Dy fytyrat e historisë së re të Kosovës

Jehona e sportistëve kosovarë, ka pushtuar globin. Mediat më të shquara botërore, përherë e më shumë janë duke e cilësuar Kosovën, si një vend me të rinj e të reja, që kanë potencial të jashtëzakonshëm në sporte të ndryshme – shkruan Gazeta e Re.

Ndryshe nga ç’reflektojmë në raportet politike, në sport jemi duke u treguar shumë më të suksesshëm. Etja për suksese të mëtejme, na ka bërë që ta shpërfillim konkurrencën. Këtë duket që e kanë hetuar edhe mediat e huaja ndërkombëtare. Mediumi i famshmë britanik The Telegraph, ia ka kushtuar së fundi një artikull Përfaqësueses së Kosovës në Futboll, duke i quajtur lojtarët tanë si brazilianët e vegjël.

“Është një vit i jubileve për Kosovën: një shekull pas formimit të Jugosllavisë së paraluftës, përkatësisht  20 vite pas kërcënimeve serioze, ekzistenciale, kur ndodhën edhe krimet e luftës nga shovinistët serbë dhe një dekadë e një vit, që nga shpallja e pavarësisë” – fillon artikulli në Telegraph.

“Rëndësia e vitit 2018? Ekipi i futbollit i Kosovës do t’i japë fund vitit, duke qenë i pamposhtur, me mundësinë që kualifikimi në Kampionatin Evropian” – vijon artikulli, duke aluduar në mundësitë që suksesi në këtë përpjekje, të jetë po aq befasues sa ç’ishte në grupin që bëri gara në kuadër të Ligës së Kombeve.

Sipas Telegraph-it, gjasat e Kosovës për të ecur tutje, janë të mëdha, ndërsa përballë saj mund të vihen Maqedonia, Gjeorgjia ose Bjellorusia.

Ndeshja ndaj Azerbajxhanit, veçohet, duke u cilësuar si një ndër paraqitjet më të mira, e cila ia mundësoi përfaqësueses sonë ta nënshkruaj vendin e tyre në play-off.

Fitorja erdhi si një melhem, pas dështimit të radhës për t’u anëtarësuar në Interpol. Akti, qe një dëshmi tjetër që ilustron më së miri pafuqinë e elitës politike për t’i shtyrë proceset përpara, duke rrezikuar që në rrafshin politik Kosova t’i ngjanë një historie dështimi.

Por media kujton që dy dekada përpjekje për ta forcuar përfaqësuesen, duket që nuk kanë shkuar dëm. Kjo përfaqësuese po duket e frikshme, tashmë nën urdhrat e trajnerit zviceran Bernard Challlandes.

“Fenomeni i bifurkacionit, përkatësisht lumit Nerodime që derdhet në dy detëra, atë Egje dhe Detin e Zi, është një metaforë për historinë e dyfishtë dhe të kontestuar të shtetit të ri” shkruan më tej Telegraph.

Artikulli vijon duke i përmendur me rend institucionet ndërkombëtare të cilat e njohin Kosovën si entitet politik.

 

“82% e Bashkimit Evropian, Fondi  Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e njohin Kosovën si entitet i pavarur” ndryshe nga Serbia dhe aleatët e saj që vijon ta kundërshtojnë sovranitetin e saj.

 

“Në korrik, legjenda dhe ish kreu i Federatës së Kosovës Fadil Vokrri, vdiq nga një arrest kardiak, ndërsa po ushtronte në një palestër në moshën 57 vjeçare. Për nder të tij stadiumit në Prishtinë, i është vënë emri i tij dhe ai vazhdon të mbahet si një vizionar i pakrahasueshëm” – thuhet ndër të tjera në artikull.

 

Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, sipas artikullit, qenë një brez që nuk e arritën kënaqësinë e veshjes së fanellës së Kosovës, meqë kishin “lindur shumë herët”, ndryshe nga yjet në ngritje si Arjanet Muriçi, Milot Rashica dhe lojtarët e tjerë që kanë shfaqur qysh tash potencë të jashtëzakonshme.

 

Artikulli vë në pah moshën mesatare të popullsisë, më të renë në Evropë, duke aluduar se sukseset e skuadrës përfaqësuese, në këtë kuptim, nuk janë aspak të befasishme.

 

Ndryshe nga rrafshi sportiv, “fytyra” politike e Kosovës, ka reflektuar ngecje dhe dështime, të cilat kanë prodhuar kriza politike të vazhdueshme që ka arritur ta kaplojë edhe Ballkanin. Përçarja e krerëve politikë, qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta për sa u përket çështjeve më të ndjeshme politike, kanë bërë që Parlamenti i Republikës së Kosovës, si institucioni politik më i lartë në vend, të zhveshet nga fuqia të cilën ia falë kushtetuta.

 

Në anën tjetër opozitarët janë duke u bërë gati për zgjedhje të parakohshme, të cilat duket të jenë të pashmangshme në vitin e ardhshëm./Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet