Dy fakultete njëkohësisht, ngarkesë apo jo për studentët?

Në vitin 2014, Shqiprojë Shala ishte në vitin e parë të studimeve të nivelit master në Universitetin e Prishtinës, Dega e Gjuhës Angleze, kur vendosi që të regjistrojë edhe një drejtim tjetër, atë të Shkencave Sociale në po të njëjtin universitet. Ajo mbeti studente e këtij të dytit për vetëm një semestër, pa mundur të përfundonte në tërësi atë që kishte nisur. Kjo ngase universiteti kishte marrë vendim që një student nuk mund të ndiqte dy drejtime në të njëjtën periudhë.

“Konsideroj se mundësitë e mia për avancim akademik, në vend që të lehtësohen, janë limituar”, thotë Shala për Gazeta e Re.

Ajo thotë se në përgjithësi, është mirë ta zgjedhësh një fushë të caktuar specifike dhe ta studiosh atë në thelb, megjithatë e sheh të arsyeshme edhe mundësinë e kombinimeve të drejtimeve dhe avancimit për to në të njëjtën periudhë.  “Përqendrimi i vëmendjes në një fushë pa shkëputje, besoj që sjellë rezultate të mira. Mirëpo, ka disa fusha të studimit që kombinohen në mënyrë perfekte duke e plotësuar njëra tjetrën. Në këto raste, kur zgjedhja bëhet në mënyrë të kujdesshme, besoj se studimi në dy drejtime do të ishte edhe më përfitues edhe për individin por edhe për shoqërinë. Përveç tjerash, këta persona do të ishin një urë lidhëse shumë e mirë në mes profesionesh të ndryshme. P.sh. një punëtor/e social që ka studiuar më herët gjuhën angleze, do të mund të avancohej në profesion duke e përdorur gjuhen si mjet për të punuar dhe ndarë përvojat me njerëzit nga shtetet tjera. Gjithashtu, një gazetar/e që ka studiuar ekonominë në mënyrë shumë efektive do të përgatiste lajme që kanë të bëjnë me ekonominë”, shprehet Shala për Gazeta e Re.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në të cilin rreth 60 mijë studentë vijojnë rregullisht procesin akademik në tri nivele studimi, që nga viti 2013/14 pati marrë vendimin për ndërprerjen e mundësisë së regjistrimit të dy apo më shumë programeve të nivelit të studimeve të ndryshme.

Rinor Qehaja, ekspert i çështjeve të arsimit, njëkohësisht drejtor ekzekutiv në Institutin EdGuard, thotë se është e drejtë e çdo njërit për të vendosur për drejtimet dhe numrin e studimeve, siç është e drejtë edhe e universitetit të përcaktojë një kufizim të tillë, si plot universitete tjera.

“Ky kufizim nuk vije me qëllim të ruajtjes së ekskluzivitetit të studimeve, por më shumë për të ruajtur numrin e regjistrimeve. Dëshmi për këtë është që studentet e interesuar për më shumë studime, përsëri e bëjnë diçka të tillë në kolegje private. Në mendimin tim kjo situatë duhet të rregullohet pa përjashtim për të gjithë institucionet e arsimit të lartë, por duke u analizuar me kujdes implikimet e cilitdo vendim”, thotë Qehaja për Gazeta e Re.

Por, vendimin për të mos studiuar dy drejtime në të njëjtën kohë e sheh plotësisht të arsyeshëm, ligjëruesi universitar, njëkohësisht Drejtor i Hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti.

“Mendoj se ky vendim është i drejtë. Praktika e deritanishme që një person të jetë student i rregullt në dy drejtime të ndryshme, në të njëjtin nivel të studimeve ka përçuar një mesazh kundërthënës. Në njërën anë syllabuset e lëndëve kërkonin angazhim tërë-kohor të studentit, me pjesëmarrje të përditshme në ligjërata, ushtrime, seminare, projekte e prezantime si dhe me një varg të gjatë të literaturës obliguese për lexim, e në anën tjetër sistemi i ka lejuar të njëjtit student të regjistrojë deri në dymbëdhjetë lëndë brenda një semestrit në dy fakultete të ndryshme”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, nëse shikohen obligimet dhe detyrat që studentët kanë, është vështirë që një student të përcjellë një kurs të gjuhës, e lëre më dy fakultete.

“Nëse shikohet se çfarë obligimesh parashohin syllabuset e lëndëve, unë dyshoj se një student i rregullt mund të gjejë kohë për të vijuar një kurs të anglishtes e lërë më të ndjek dy fakultetet paralelisht. Në këto situata, kujtoj, se është bërë kompromis në disfavor të plotësimit të kërkesave strikte të plan-programeve mësimore”, shprehet Mehmeti.

Megjithatë, ka edhe praktika të tjera që mund të ndiqen sipas tij.  “Për shembull disa universitete lejojnë studentët të ndjekin dy programe paralelisht, duke e deklaruar njërin program si primare dhe tjetrin si sekondar. Në këto raste studentët marrin diplomë vetëm në drejtimin primar, por u lejohet që të transferojnë gjysmën e kredive dhe me dy semestra shtesë të marrin diplomë edhe në drejtimin sekondar. Ky sistem ua mundësonë studentëve që të zhvillohet profesionalisht në dy drejtime në të njëjtën kohë, pa qenë nevoja që të aplikojnë, të regjistrohen dhe të paguajnë në dy fakultete paralelisht”, sqaron Mehmeti.

Ndryshe, kufizimi i regjistrimit në jo më shumë se një program brenda të njëjtës periudhë vlen vetëm për Universitetin e Prishtinës  që do të thotë se studentët mund të regjistrojnë prapë dy fakultete, por njëri duhet të jetë universitet privat./gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet

  • Haradinaj me plan për kalimin e Demarkacionit

    Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, dhe kundërshtari kryesor i Demarkacionit aktual me Malin e Zi, ka thënë se ka plan se si ta zgjidh këtë çështje....
  • Veseli: Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen

    Gjatë një interviste në “Xing me Ermalin”, ish-kreu i kuvendit Kadri Veseli ka folur për Shqipërinë e Madhe dhe alternativën që një ditë Kosova dhe Shqipëria të jetë një...
  • Protestë kundër G7-tës

    Pas përfundimit të Samitit G7 në Sicili, është mbajtur një protestë kundër G7-tës, ku ka pasur përleshje mes demonstruesve dhe policisë, raportojnë mediat italiane. Oficerët e policisë u përleshën...
  • Shpëtohen 10.000 emigrantë të brigjet e Libisë

    Më shumë se 10.000 emigrantë janë shpëtuar në brigjet të Libisë, në katër ditët e fundit. Por gjatë këtyre aksioneve nuk është arritur të shpëtohen të gjithë emigrantët, pasi...