Durim Berisha: Në sistemin parlamentar, presidentit i njihet kryesisht roli i noterit shtetëror

Njohësi i shkëlqyer i fushës së jurisprudencës Durim Berisha, s’ka shfaqur vetëm një mprehtësi intelektuale, por edhe një guxim qytetar, duke u dhënë përgjigje disa dilemave me të cilat është preokupuar opinioni publik kosovar. Specializimi i tij, siç e tregon edhe fusha ku është duke i vazhduar studimet e doktoraturës, është e drejta publike, përkatësisht e drejta dhe gjyqësia kushtetuese. Këto studime ai është duke i vijuar në kuadër të bursës Johannes Rau, bursë e Ministrisë për Shkencë dhe Inovacion NRW, në bashkëpunim me Universitetin ‘Henrich Heine’ në Gjermani.

Angazhimet e tij, megjithatë, i tejkalojnë kufijtë e profesionit prej juristi, duke qenë që ai që prej vitit 2009-të është edhe Sekretar i Federatës së Taekwondo-s, post ky i paraprirë prej një karriere prej një sportisti të dalluar. Biografia e tij tregon se ai është lindur në Pejë, në vitin 1988, por me Gjermaninë ka ndërtuar raporte qysh si student. Ai po ashtu ka qenë bursist i DAAD (Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik), ku falë kësaj mundësie, i ka përfunduar studimet e Magjistraturës në Gjermani, pas përfundimit të atyre bazike në Universitetin e Prishtinës. Në të dy nivelet, Berisha, ka treguar rezultate të menjëhershme, duke i përfunduar studimet para afatit të paraparë.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re ai ka reflektuar mbi problemet me të cilat ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë, mbi skandalet që e kanë shoqëruar këtë sistem dhe mbi zgjidhjet që duhet të kërkohen për të dalë nga kriza në të cilën ka rënë. Ai po ashtu ka folur rreth angazhimeve të tij, për planet dhe preokupimet e tij prej studiuesi.

GER: Z. Berisha, na e lejoni një pyetje pak përgjithësuese në fillim të kësaj interviste. Siç e dini, ndërtimi i republikës, domosdo ka nënkuptuar edhe ndërtimin e një sistemi të drejtësisë, ndaj të cilit qytetarët vijojnë të ruajnë një perceptim negativ për shkak të punës së dobët, por a mund të themi që të paktën infrastruktura ligjore, e miratuar këtu e sa dekada, është në rregull?

Berisha: Pavarësisht që për këto vite është kritikuar performanca e institucioneve të drejtësisë, diskutimi rreth problemeve që janë parakusht i një pune të suksesshme të gjyqësorit, me apo pa qëllim kanë krijuar një perceptim të gabuar se kinse rregullativa ligjore në fuqi paraqet njërën nga pengesat e funksionimit të sistemit të drejtësisë.

Mirëpo, ligjet të cilat janë aprovuar në Kosovën e pavarur, paraqesin versione të kopjuara të ligjeve të shteteve evropiane, ngase synimi për të qenë anëtar në të ardhmen i BE-së e ka detyruar ligjdhënësin që të harmonizojë që tani të drejtën e aplikueshme nacionale me atë të BE-së. Prandaj, pavarësisht zbrazëtive ligjore të mundshme, përgjegjësia e mosfunksionimit efikas të sistemit mbetet mbi faktori njeri, i cili jo vetëm që i kërkon këto shtigje, por nuk e përfillë fare ligjin.

GER: A duhet t’i besojmë shtetit ligjor, apo jemi ende larg sendërtimit të tij?

Berisha: Komuniteti duhet fillimisht të bëj dallimin në mes të shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës. Sepse edhe një numër juristësh, me apo pa vetëdije, duke i ngatërruar këto dy koncepte të ndryshme, e kanë krijuar një keqkuptim në publik. Shteti i së drejtës tejkalon konceptin e shtetit ligjor, sepse jo vetëm që kërkon zbatimin e ligjeve në fuqi (shteti ligjor), por obligon ligjdhënësin që përmbajtësisht të harmonizojë normat ligjore me garancionet kushtetuese të cilat sigurojnë respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit. Përtej këtyre dilemave, nuk ka diskutim, shoqërisë kosovare i mungon jo vetëm shteti i së drejtës, por edhe ai ligjor. Rrjedhimisht nuk plotësohet kriteri kryesor për t’u përgjigjur nëse duhet t’i besojmë ose jo shtetit ligjor – sepse ai nuk ekziston!

GER: Kosova është një republikë parlamentare, por si e tillë nuk ka reflektuar në praktikë. Edhe ne laikët e jurisprudencës e kemi kuptuar që disa nga udhëheqësit e institucioneve kanë abuzuar me vakuumet ligjore që mund të hasen. Në këtë kontekst, cila është instanca përfundimtare interpretuese e këtyre çështjeve të ndërliqshme dhe pse kemi përshtypjen që ajo nuk është duke funksionuar si duhet?

Berisha: Kornizat e vendosura nga dokumenti kushtetues i Republikës së Kosovës kanë përcaktuar Gjykatën Kushtetuese si autoritetin përfundimtar të interpretimit të Kushtetutës duke i njohur ex-lege rolin dhe funksionin e gardianit të kushtetutës. Ka disa vite që gjykata nuk është prezente (përmes përfaqësuesve të saj) për publikun kosovar, për dallim nga gjashtë vitet e para të funksionimit të saj. Duke i shtuar kësaj situate edhe numrin e madh të personave të pakualifikuar që e bombardojnë opinionin publik me deklarata të pasakta, është krijuar përshtypja se gjykata nuk është duke e kryer rolin dhe funksionin që i takon.

Mirëpo, qytetarët duhet ta kuptojnë se ajo nuk vihet në lëvizje me vet-iniciativë, por vetëm përmes kërkesave të dorëzuara nga palët e autorizuara. Gjithashtu vlerësimi i punës së saj nuk bazohet në metoda të njohura në të drejtën kushtetuese. Por edhe vet gjykata e ka ndihmuar krijimin e kësaj përshtypje edhe përmes numrit të madh të kërkesave që shpallen proceduralisht të papranueshme. Edhe në shoqëritë më të avancuara, mundësia që organet publike të gabojnë është rreth 5%. Nëse këto dy aspekte i krahasojmë edhe me faktin që secili raport vendor dhe ndërkombëtar e nxjerrë gjyqësorin si më të korruptuarin nga degët e pushtetit në Kosovë, ndërsa në anën tjetër kemi një numër kaq të vogël të kërkesave kushtetuese në të cilat konstatohet shkelja e lirive dhe të drejtave themelore – domosdo që vetvetiu shtrohet pyetja logjike: nëse performanca e  “gardianit” është në nivelin që duhet të jetë?!

GER: Iniciativa e Presidentit Hashim Thaçi, përkatësisht ngulmimi i tij për t’i udhëhequr bisedimet me Serbinë, sikur ka hutuar opinionin e gjerë rreth kompetencave ligjore që ai ka. Ju keni bërë një reagim publik duke thënë që ai nuk duhet t’i raportoj kuvendit, a mund të na sqaroni më shumë rreth kësaj?

Berisha: Republika e Kosovës sipas doktrinës dhe praktikës kushtetuese definohet si Republikë Parlamentare, ngase sipas teorisë së legjitimimit kushtetues, të gjitha organet kushtetuese legjitimohen përmes parlamentit i cili paraqet të vetmin organ kushtetues që legjitimohet direkt nga populli. Shumë autorë kosovarë duke mos e njohur doktrinën dhe praktikën kushtetuese – përmes metodës së numërimit dhe krahasimit të kompetencave të organeve kushtetuese kanë ardhur në përfundime të gabuara se Kosova ka një sistem të rregullimit shtetëror me tipare semi-presidenciale, apo edhe nga ata autorë që thonë se Kosova ka nga të gjitha sistemet ngapak.

Presidenti i Republikës së Kosovës nuk bën pjesë në asnjërën nga degët e pushtetit pasi është Kreu i Shtetit. Duke mos pasur kompetenca të fuqishme ekzekutive dhe i njohur më tepër për rolin ceremonial, ndonëse kuvendi e zgjedhë atë, ai nuk mund të kontrollohet nga legjislativi i vendit. Edhe në politikën e jashtme ai nuk përfaqëson vullnetin e tij, por paraqitet si i autorizuar nga organet tjera kushtetuese të cilat varësisht nga natyra e marrëveshjeve ndërkombëtare, kanë kompetencë për të formësuar vullnetin politik të shtetit. Kompetencat e tij duhet shikuar në kuadër të sistemit parlamentar ku presidentit i njihet roli i noterit shtetëror. Këtë çështje do ta trajtojmë edhe në një punim shkencor që do të botohet së shpejti, ku lexuesit në gjuhën shqipe i ofrojmë sqarime edhe më të detajuara rreth sistemit kushtetues dhe pozicioneve të organeve kushtetuese në rendin tonë kushtetues.

GER: Nuk është vetëm presidenca ajo që karakterizohet me këso lloj ngatërresash në kompetenca, ju keni reaguar edhe në disa raste të tjera, duke iniciuar madje edhe padi ndaj disave, siç është rasti ndaj Komitetit Olimpik të Kosovës, përkatësisht kryetarit të këtij komiteti, që sipas jush, është zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme. Si ka shkuar procesi?

Berisha: Në fakt procesi zgjedhor në KOK është kontestuar në tërësi, jo vetëm kundër kryetarit të saj, por duke përfshirë të gjitha organet dhe të gjitha fazat e procesit. Së bashku me 11 delegatë i jemi drejtuar MKRS për të anuluar këtë proces për shkak të pavlefshmërisë absolute të procesit. Persona që janë të dënuar për vepra penale, aso që janë në konflikt interesi apo edhe pjesëmarrja e personave të cilët janë paraqitur si përfaqësues të federatave krahas delegatëve nga federata fiktive (të gjitha të vërtetuara edhe nga organet shtetërore të Kosovës – përfshi gjykatat) më nuk paraqesin dyshime, por janë fakt notor. Pasi MKRS, zyrtarët e të cilës janë njëkohësisht mbikëqyrës të punës së KOK (pasi MKRS e financon), dhe në të njëjtën kohë përfitojnë nga angazhimet si pjesëtar të KOK, nuk është përgjigjur në kërkesën tonë, ne kemi ushtruar padi në gjykatë.

Pavarësisht që zyrtarët e KOK duke falsifikuar nënshkrimet tona dhe duke i fshehur shkresat e dërguara nga Gjykata, ne kemi arritur që të rikthejmë procesin në shqyrtim dhe njëkohësisht kemi ushtruar kallëzim penal ndaj atyre që kanë penguar administrimin e drejtësisë. Agjenci shtetërore dhe gjykatat i kanë vërtetuar disa nga pretendimet tona, përmes procedurave tjera, prandaj mbesim të bindur se pavlefshmëria dhe kundërligjshmëria e procesit zgjedhor në KOK do të konstatohet në fund të procedurës gjyqësore.

GER: Të kalojmë te një çështje e cila, si të thuash, u fut në agjendë menjëherë pas skandalit të njohur si listat e veteranëve të rrejshëm. Disa qytetarë, bashkë me një pjesë të shoqërisëcivile, po kërkojnë shkarkimin e Kryeprokurorit Lumezi, a besoni që emërimi i një personi të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, do ta këndellte sadopak sistemin?

Berisha: Sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor nuk mund të këndellet nga koka. Ndryshimet duhet të jenë sistematike dhe rrënjësore. Për vite me radhë në sistemin e drejtësisë janë punësuar persona të afërt me politikën dhe jo profesionistë juridikë. Ne që kemi punë të përditshme me ta, e dimë saktë sa kronike janë problemet që e kanë kapluar. Mbi të gjitha, për vite me radhë kemi prodhuar të diplomuar – jo juristë – që kanë probleme me konceptet elementare të së drejtës. Prandaj përmirësimi i shkollimit të juristëve, do të ndikonte direkt në performancën e sistemit të drejtësisë.

GER: Për fund, ju jeni kandidat për doktoraturë në Universitetin Henrich Heine në Gjermani, a mund të ju pyesim, ç’plane keni pas përfundimit të studimeve?

Berisha: Ashtu, si deri më tani, edhe pas përfundimit të doktoraturës kam një synim të vetëm: të vazhdojë brenda aftësive dhe mundësive të mia t’i shërbej komunitetit përmes veprimtarisë akademike dhe profesionale si konstitucionalist. Pra të mundohem të jap një kontribut modest, qoftë në botën akademike, qoftë në ushtrimin e profesioneve juridike, pasi për dallim nga shumica e bashkështetasve dhe bashkëkombësve të mi, nuk mendoj se politika është mjeti i domosdoshëm për të ndikuar në përmirësimin e jetës tonë. Ndryshimi fillon prej individit dhe nëse ne edhe praktikisht përmbushim detyrimet tona ndaj shtetit dhe shoqërisë, realizimi i të drejtave tona është proces i natyrshëm pastaj. Shoqëritë e zhvilluara kanë kaluar nëpër situata shumë më të rënda sesa ne, prandaj nëse ata kanë arritur në këtë mënyrë të krijojnë një ambient më të mirë për të gjithë, pse ne ta shohim si të pamundur!?/Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTA

Të ngjajshmet