“Dronët e Turqisë i kushtuan një kosto të rëndë PKK-së”

Kreu i organizatës terroriste PKK, Murat Karayılan, në një intervistë për gazetën izraelite të ekstremit të djathtë “Jerusalem Post” ka folur për shumë çështje, që nga operacionet anti-terror të ndërmarra nga Turqia e deri në marrëdhëniet me SHBA-të

Kreu i organizatës terroriste të PKK-së, Murat Karayılan, në një intervistë për gazetën e ekstremit të djathtë “Jerusalem Post” të Izraelit ka folur për shumë çështje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në intervistën e publikuar me nënshkrimin e Hadeel Oueis dhe Jonathan Spyer, kreu terrorist Karayılan, ka prekur shumë çështje që nga operacionet anti-terror të ndërmarra kohët e fundit nga Turqia e deri në marrëdhëniet me SHBA-të.

Pasi ka vënë në dukje se mjetet ajrore pa pilot (dronët) e Turqisë i kanë kushtuar një kosto të rëndë kohët e fundit PKK-së, Karayılan ka tërhequr vëmendjen se si pasojë janë vrarë disa prej të ashtuquajturve komandantë të organizatës.

Në intervistë Karayılan mbron idenë e tij se Partia AK (Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim) ndjek “xhemijetin İttihat dhe Terakki (Komiteti i bashkimit dhe përparimit) në vend të parimeve të Ataturkut”. Po ashtu ai ka pretenduar se ‘xhemijeti İttihat dhe Terakki‘ është pro Osman dhe se “ka kryer gjenocid ndaj armenëve, asirianëve dhe të gjithë krishterëve”.

“Aleanca e Partisë AK dhe Partisë MHP është ‘kundër Amerikës, Perëndimit dhe laicitetit” ka mbrojtur ndër të tjera idenë e tij Karayılan me pretendimin se këto dy parti “duke kaluar në zbatim një qasje të re Osmane po përpiqen të islamizojnë Turqinë dhe kjo situatë është një kërcënim i vërtetë për kurdët, grekët dhe asirianët”.

Në pyetjen “Pavarësisht se nuk i bashkoheni idealeve të Ataturkut, a jeni tani më afër ndaj partive si CHP që janë më të lidhura me vizionin e Ataturkut?” Karayılan ka dhënë përgjigjen:

“CHP kur vjen puna në çështjen e kurdëve ka mendim të njëjtë me Partinë AK por në çështjet e tjera ne kemi mendime të njëjta me CHP e cila është kundër aleancës Partia AK-MHP (aleanca popullore). Bashkë me këtë kur vijmë në çështjen e kurdëve edhe CHP nuk ka ndonjë ndryshim nga ato (Partia AK dhe MHP)”.

“Mbështesim që kurdët të formojnë marrëdhëniet me SHBA-të”.

Pas pyetjes “Tashmë Bashkimi Sovjetik nuk është më. Kurdët sirianë që ndajnë të njëjtën ideologji me ju janë aleati i vetëm i Amerikës në këtë vend. A e shikojnë ende Amerikën si një shtet imperialist që lufton kundër dëshirave tuaja?”, Karayılan tha se nuk janë kundër formimit të marrëdhënieve me SHBA-të, madje “mbështesin plotësisht marrëdhëniet e shkëlqyera mes SHBA-së dhe kurdëve”.

Duke theksuar se kryeterroristi Abdullah Öcalan ka thënë se “Bashkimi Sovjetik u shpërbë sepse nuk kishte demokraci, ndërsa SHBA qëndron në këmbë se ka demokraci”, Karayılan duke iu referuar organizatave terroriste YPG/PKK dhe PJAK tha se “kurdët rojava (nga Siria) dhe Rojhılat (nga Irani) i inkurajojmë që të formojnë marrëdhënie me SHBA-të”.

Më tej pasi ka mbrojtur idenë se SHBA informohet gabimisht lidhur me ata, Karayılan i bëri thirrje Washingtonit që të heqë PKK-në nga lista e organizatave terroriste.

“Ne mbrojmë demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”, mbron idenë e tij Karayılan i cili tha se bashkë me këtë SHBA-ja dhe vendet perëndimore mbështesin operacionet ushtarake të Turqisë kundër organizatës terroriste të PKK-së.

“Shpresojmë që SHBA duke rishikuar politikat e saj do të jetë më pozitive ndaj popullit kurd. SHBA-së i bëjmë thirrje që të na nxjerrë nga lista e terroristëve. PKK ka luajtur një rol të madh në parandalimin e përhapjes së DEASH-it në rajon. Shpresoj që SHBA do të ndryshojë pikëpamjen e saj ndaj lëvizjes tonë. Një qasje e tillë diplomatike do të jetë edhe në interesa të SHBA-së dhe në të aleatëve në rajon”, shtoi Karayılan.

Ndërsa ndaj pyetjes lidhur me mundësinë që SHBA-ja të luajë rolin për ndërmjetësim mes Turqisë dhe organizatës terroriste PKK, Karayılan theksoi se SHBA-ja dhe Evropa ashtu sikurse ka bërë në Irlandë (mes Ushtrisë Republikane Irlandeze dhe Britanisë së Madhe) mund të “jetë ndërmjetës i një marrëveshjeje për paqe” edhe mes (Turqisë dhe PKK-së).

Karayılan theksoi se “SHBA-ja mund ta bëjë këtë duke vendosur peshën e saj”.

Pasi gazetari parashtroi pyetjen: “Nëse SHBA bëhet ndërmjetës mund të kërkojë nga PKK-ja që të lë armët”, Karayılan tha se “Nuk mund të lëmë armët pa u njohur kurdët në Turqi dhe pa u liruar të gjithë të burgosurit politikë përfshirë edhe Öcalan”.

“Izraeli ka të drejtën të ekzistojë”

Karayılan në pyetjen “Si një parti kurde si e shihni Izraelin?” u përgjigj: “Izraeli ka të drejtën të ekzistojë, hebrenjtë ashtu sikurse palestinezët kanë të drejtë të kenë shtetin e tyre të pavarur”.

“Në kuadër të rezolutave të OKB-së për zgjidhjen e problemit mes Izraelit dhe Palestinës ne mbështesim zgjidhjen me dy shtete”, tha Karayılan, i cili në lidhje me marrëveshjet e normalizimit mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit potencoi se “Marrëveshja e paqes mes Izraelit dhe vendeve arabe është një gjë pozitive”.

Kategoritë
BotaLajme