Droga në Shqipëri

Përveç mungesës së stabilitetit ekonomik dhe politik, disa nga vendet e Ballkanit konsiderohen edhe si vatra të krimit të organizuar. Shqipëria, është njëra ndër to. Lufta ndaj krimit të organizuar, nuk ka arritur ta zhvendosë atë në krye të vendeve më problematike, për sa i përket këtij trendi negativ – shkruan Gazeta e Re.

Raportet e agjencive të lajmeve në Shqipëri, kronikat e zeza i kanë përplot raporte që trajtojnë krimin e organizuar. Së fundi u raportua se në një autobus të linjës Sarandë – Athinë janë kapur 97 kilogram e 750 gram marihuanë.

Autobusi është ndaluar nga policia greke sapo ka kaluar Kakavijën, saktësisht në vendin e quajtur Kllapaq. Sipas informacioneve,  shoferit 34 vjeçar i janë vënë prangat nga policia, pasi që në bagazhin e autobusit janë gjetur 2 çanta  të mbushura me 16 pako me nga 97 kg dhe 750 gram të llojit marihuanë. Po ashtu, raportohet të jenë sekuestruar edhe 955 euro,  2 leje qarkullimi dhe 2 celular.  Autobusi i përket një kompanie shqiptare – thonë raportet atje.

Hashashi, sikundër dihet botërisht, prodhohet në Shqipëri, por ky vend cilësohet si rrugë transite e trafikimit të drogës që vjen nga vendet e Lindjes.

“Sepse shqiptarët janë pjesë e bandave kriminale të trafikimit të drogës në shumë pjesë të Evropës” – citohet të ketë thënë për DW David Johnson, ekspert në Qendrën e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve. Grupet kriminale nga Greqia, Italia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, kanë bashkëpunim të ngushtë me rrjetet kriminale shqiptare.

“Shtegu” i cili kalon nëpërmjet Bullgarisë, Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë, Sllovenisë dhe Austrisë – cilësohet si ndër më kryesorët. Një sasi më e vogël, ndërkaq, kalon nëpërmjet Maqedonisë dhe Kosovës.

“Shqipëria përdoret për të transportuar drogat me rrugë detare në drejtim të vendeve të Evropës Veriore, si Britania Madhe dhe Estonia” – ka thënë për DW David Johnson.

Në një raport të CIA-s, po ashtu, konsideron se një prej problematikave të Shqipërisë, ka të bëjë me trafikimin e lëndëve narkotike. Për CIA-n vendi shqiptar mbetet një nga pikat aktive ku prodhohet kanabisi, opiumi dhe droga të tjera.

Po ashtu edhe Qendra e Inteligjencës Amerikane Shqipërinë e konsideron si vatër aktive prej ku kalon kokaina nga Amerika e Jugut, drejt Evropës Perëndimore.

Bandat kriminale janë shumë aktive dhe me një tendencë për t’u zgjeruar në Evropë. Aktiviteti i së cilave pastaj lidhet me pastrim parash, trafikim armësh dhe kontrabandë refugjatësh.

Bashkë me Australinë, Shqipëria renditet në dy vendet që kanë përdorimin më të lartë të kokainës në botë. Këto të dhëna janë bërë publike në Raportin Vjetor të Drogave 2018, raport ky i publikuar nga Kombet e Bashkuara,të bazuar në të dhënat e vitit 2016.

Sipas këtij raporti Shqipëria ka prevalencë të përdorimit të kokainës prej 2.5%, për grupmoshën ndërmjet 15 dhe 64 vjeç. Raporti është mbështetur në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik dhe pyetësorët e Raportit Vjetor (AQR).

Këta parametra kaq negativë, Republikës së Shqipërisë ia vënë një pikëpyetje të madhe, po qe se institucionet e saj nuk tregojnë gatishmëri më të lartë në luftë ndaj krimit të organizuar, thonë ekspertët./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet