Droga në Britani, Scotland Yard i ka nën llupë grupet kriminale shqiptare

Në shënjestër të Scotland Yardit anglez janë vënë 100 pjesëtarë të grupeve mafioze shqiptare që merren me tregtinë e kokainës në rrugët e qyteteve britanike.

Polica Metropolitane është duke bashkërenduar punën me Agjencinë Kombëtare të Antikrimit, NCA dhe gjatë viteve të fundit 130 pjesëtarë të grupeve kriminale janë dënuar nga gjykatat dhe janë kapur drogë me vlerë disa dhjetëra milionë sterlna, si dhe sasi të mëdha para të thata.
Sipas gazetës “Evening Standard” të Londrës, zyrtarët thonë se suksesi ka bërë që kriminelët të përdorin mënyra komplekse për fshehjen e kokainës nëpër hapësira të posaçme të krijuara brenda makinave dhe kamionëve të tonazhit të rëndë.
Statistikat e Home Office tregojnë se sasitë e drogës së kapur janë rreth 30 për qind më të larta në krahsim me vitin e kaluar. Zyrtarë britanikë kanë kapur 5.516 kilogramë drogë që nga viti 2003.
Sipas Steve Benett, numrit dy të Departamentit të Inteligjencës të NCA-së, e cilësuar si FBI-ja britanike, “suksesi i trafikantëve shqiptarë është ngritur më shumë në reputacionin e tyre si të besueshëm, sesa për dhunën, siç portretizohen në flimin “Taken”, ku Luan aktori Liam Neeson”. Sipas tij, “ata janë partnerë të mirë biznesi sesa partnerë të frikshëm”.
Sipas detektivëve britanikë, muajt e fundit trafikantët shqiptarë kanë filluar të udhëtojnë drejt vendeve të Amerikës së Jugut, ku është origjina e kokainës, për të arritur marrëveshje të drejtëpërdrejta me kartelet e drogës.
Shumica a korrierëve janë emigrantë illegalë të pajisur me letra identiteti falso greke dhe italiane, që shiten për 12 mijë euro ose u jepen borxh trafikantëve.
Sipas “Evening Standard”, Agjencia Kombëtare e Antikrimit ka dy zyrtarë të saj të stacionuar në Shqipëri, ku po grumbullojnë informacione për rrjetet kriminale, por lidhjet e ngushta familjare të klaneve mafioze e bëjnë të vështirë depërtimin në këto rrjete.

Kategoritë
DIASPORALajme

Të ngjajshmet