Dritan Abazoviq: Gjukanoviqi ende komandon me Malin e Zi

Dritan Abazoviq është politikan shqiptar nga Ulqini i cili drejton subjektin politik Lëvizja Qytetare ‘URA’. Ishte drejtor ekzekutiv i televizionit Teuta. Për disa vite ishte bashkëpunëtor i disa organizatave jo qeveritare, ku është marr me fushat si të drejtat e njeriut, euro-integrimet dhe qytetaria aktive. Është pjesëmarrës në shumë konferenca, kongrese e seminare ndërkombëtare. Ka publikuar një seri analizash politike në gazetat ditore në Mal të Zi, si dhe disa punime shkencore në revista vendore, rajonale e ndërkombëtare. Abazoviq është doktorant pran Fakultetit të Shkencave politike të Universitetit të Malit të Zi. Në vitin 2010 ka botuar librin e tij të parë “Kultura kosmopolitane dhe e drejta globale”. Aktualisht është deputet i Kuvendit të Malit të Zi.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re Abazoviq flet për situatën politike në Mal të Zi, marrëdhëniet këtij të fundit me Kosovën, pozitën e shqiptarëve dhe qasjen e Podgoricës zyrtare ndaj nevojave të tyre. Po ashtu ai ka komentuar edhe hyrjen e Malit të Zi në NATO, punën e kuvendit dhe kandidaturën e tij për president të vendit.

Kur flet për ndryshimet politike pas daljes së Milo Gjukanoviqit nga pozita e kryeministrit të vendit, ai thotë se “dalja e Gjukanoviqit është vetëm formale, në thelb ai ende komandon me Malin e Zi”.

GeR: Z. Abazoviq, siç e dimë Mali i Zi tanimë është anëtar i paktit të NATO-së, mirëpo para anëtarësimit, ai kaloi nëpër një situatë e cila u cilësua si grusht shtet. Çka në të vërtetë është duke ndodhur në skenën politike të Malit të Zi?

Abazoviq: Aktualisht në Mal të Zi po mbretëron një konfuzion politik i mishëruar në bllokimin e punës së parlamentit, të cilin po e bojkoton e gjithë opozita për arsye të parregullsive enorme që kanë ndodhur në prag dhe në vetë ditën e zgjedhjeve. Tregimi për grusht shtetin (të vërtetin apo të rremin, këtë do ta përcaktojë gjykata), s’është veçse një rrip për mbrojtjen e qeverisë aktuale. Ky është një skenar i njohur ballkanas i ngjashëm me atë në Maqedoni. Kur jeni një qeveri e korruptuar e mbërthyer në krimin e organizuar, atëherë vazhdimisht fshiheni prapa pretendimeve të kërcënimit shtetëror. Në këtë mënyrë duke “shpëtuar” shtetin ruani monopolin politik, financiar dhe kriminal. Për këtë arsye, çdo gjë që ka ndodhur është shumë e dyshimtë dhe si pasojë e kësaj ne kërkojmë zgjedhje të reja, nga se vetëm ato mund ta zgjidhin krizën aktuale. Kushtetutën dhe ligjet mund t’i ruajë vetëm qeveria legjitime e cila del nga vullneti i lirë i qytetarëve, e jo nga ajo e cila del nga frika, represioni policor apo blerja e votave. Po e përmend këtë për arsye të lexuesve tuaj të respektuar, që Mali i Zi është vendi i vetëm në Evropë dhe ndër të paktët në botë që kurrë, pra kurrë nuk e ka ndryshuar qeverinë nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Opozita, tani edhe më shumë, pas hyrjes së vendit në NATO, është e angazhuar që ta bëjë këtë dhe kështu të sjell demokracinë në jetët tona. Kjo që është aktualisht në fuqi, manifeston një simulim të demokracisë nën vellon e oligarkisë reale.

GeR: Tanimë ju keni një përvojë të gjatë në skenën politike të Malit të Zi. Aktualisht jeni Kryetar i Lëvizjes Qytetare “URA”. Ju dhe partia juaj a konsideroni se Mali i Zi është në rrugën e duhur drejt Integrimeve Evropiane?

Abazoviq: Ne jemi të pakënaqur me dinamikën e proceseve integruese. Konsiderojmë se vendi mund të hapërojë më shpejt drejt standardeve të BE-së. Nuk është e mjaftueshme vetëm të hapen ose përkohësisht të mbyllen kapitujt, të rëndësishme janë rezultate. Ato realisht pothuajse nuk ekzistojnë. Mosbesimi në procesin zgjedhor na kthen në fillim, në kriteret e Kopenhagenit. Nuk ekziston një luftë sistematike kundër krimit të organizuar, dhe për shkak të kësaj bie mbështetja e qytetarëve të BE-së. Thjesht mbështetja e tyre e njëanshëm ndaj autoriteteve që vetëm me demagogji angazhohen për vlerat pro-perëndimore mjaftë shumë i frustron qytetarët. Shpresoj që presioni i Brukselit mbi Podgoricën zyrtare të jetë edhe më i madh e të mos na shikojnë ndërmjet gishtërinjve për atë që nuk është duke u punuar. Nuk ka rëndësi se për sa shpejt do të hyjmë në Bashkimin Evropian, veç për sa kohë do të arrijmë standardet. Nëse kështu vazhdojmë do të na duhen dekadat që të jemi në një nivel me vendet evropiane.

GeR: A ka ndryshime politike në Mal të Zi pas daljes së Millo Gjukanoviqit nga pozita e kryeministrit, apo “çdo gjë është e njëjtë vetëm ai nuk është”?

Abazoviq: Dalja e Gjukanoviqit është vetëm formale, në thelb ai ende komandon me Malin e Zi. Ashtu si në çdo regjim tjetër gjysmë-diktatorial, për “liderin” nuk ka dalje reale të pensionimit politik, përveç në rast të humbjes së pushtetit. Gjukanoviqi kontrollon politikën, biznesin, krimin… Ai është pengesa e çfarëdo hapërimi demokratik. Për sa kohë që partia e tij nuk shkon në opozitë, në Mal të Zi nuk mund të përfundojë tranzicioni. Daljet si kjo nuk kanë domethënie për qytetarët. Kjo ndodh për shkak se partia e tij në fakt është një partiçkë në të cilën punojnë mendjet e kapura dhe në të cilën deputetët shndërrohen në makina të votimit, pa menduar i japin aminin të gjitha vendimeve të dëmshme nga të cilat përfitim ka vetëm Gjukanoviqi ose një grupacion i  vogël i njerëzve rreth tij. Qytetarët nga kjo kanë vetëm dëme.

GeR: Çështja e cila po shqetëson disa vende të Ballkanit Perëndimor është edhe ndikimi rus në rajon. Hyrja e Malit të Zi në NATO konsiderohet si një goditje e ndikimit të Rusisë mbi Ballkanin. A ka ndonjë të vërtetë në këtë narracion?

Abazoviq: Hyrja e Malit të Zi në NATO është e rëndësishëm për rajonin po aq sa edhe për vetë Malin e Zi. Gjithsesi, është i kuptueshëm ndikimi rus marrë parasysh lidhjet historike të disa vendeve të veçanta të rajonit me këtë vend të madh por Mali i Zi dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor vetë duhet të zgjedhin rrugën e tyre. Kjo rrugë është e demokracive perëndimore, shoqërive funksionale dhe sundimit të ligjit. Rajoni e ka vendin në Perëndim, çdo reflektim tjetër është i rrezikshme për të gjitha vendet tona. Megjithatë, sfida kryesore mbetet në sistemin e sundimit të ligjit, nga se gati të gjitha vendeve të Ballkanit u kërcënohet rreziku i madh që si pasojë e kësaj oligarkët plotësisht të na nënshtrojnë. Hyrja e Malit të Zi në NATO në mënyrë të qartë ka përcaktuar kursin e ardhshëm të shtetit, dhe në këtë mënyrë ka reduktuar ndikimin e vendeve jo-demokratike në rajon. Tani është e rëndësishme që të kryejmë ndryshimet e brendshme, nga se është plotësisht e palogjikshme që një anëtar i NATO-s të jetë një vend i cili është shembull klasik i “shtetit privat”. Besojmë se me përfundimin e këtij procesi fillon një epokë e re e zhvillimit politik të Malit të Zi.

GeR: Të kalojmë pakëz edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi. Përveç demarkacionit të kufirit, mes tyre konsiderohet se nuk ka asnjë çështje tjetër të hapur. Si i shihni ju këto marrëdhënie si kryetar i një partie opozitare?

Abazoviq: Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë të mira, por ka vend për përmirësime të mëtejshme. Demarkacioni duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse ky është interesi i të dyja vendeve. Kosova në këtë mënyrë do të marrë liberalizimin e vizave, e Mali i Zi do të përfundojë edhe një detyrim ndaj fqinjëve. Si dy shtete të “reja”, ne mund të jemi model i bashkëpunimit në rajon, kështu që nuk duhet të lejojmë që disa çështje të caktuara të na ndalojnë në këtë rrugëtim.

GeR: Pavarësisht asaj që drejtoni një parti qytetare, ju jeni shqiptar dhe do të donim të dinim, sipas jush cila është pozita aktuale e shqiptarëve në Mal të Zi?

Abazoviq: Pozita e shqiptarëve në Mal të Zi nuk është e favorshme, dhe do tua shpjegojë pse. Pra, numri i shqiptarëve në 15 vitet e fundit ka pësuar ulje në mënyrë kumulative për 27%. Emigrimi më i madh është në zonat ku jetojnë shqiptarët. Asnjë prej çështjeve më të rëndësishme për shqiptarët nuk është zgjidhur që kur Gjukanoviqi është në pushtet. Nuk ka mjaftueshëm njerëz në administratën publike, nuk është kthyer pasuria e rrëmbyer, Agjencia për të Mirat Detare u morri të gjithë vijën e vlefshme bregdetare qytetarëve të Ulqinit, sistemi arsimor është nën standarde, Komuna e Tuzit do të formohet tek pas 2018 (dhe kjo është në pikëpyetje)… Por, paradoksi më i madh nga të gjitha është se të gjitha partitë nacionale shqiptare janë në pushtet, pavarësisht nga rezultatet zhgënjyese. Në këtë mënyrë, korpusi shqiptare është i desubjektizuar dhe është poshtëruar vetëdija e shëndosh e qytetarëve. Prandaj, është e qartë se pa ndryshime të thella dhe radikale në nivel shtetëror nuk ka prosperitet as për shqiptarët në Mal të Zi. Derisa kjo qeverisje e cila mbijeton me ndihmën elitave politike të korruptuara të partive nacionale, nuk largohet nga skena politike e vendit, nuk ka hapësirë për zhvillim, dhe si pasojë e kësaj as për standard më të mirë jetese, as për shqiptarët e as për popujt e tjerë që jetojnë në Mal të Zi.

GeR: Dhe për fund, a do të kandidoni për President të Malit të Zi

Abazoviq: Nëse nuk do të ketë kandidatë të përbashkët, Lëvizja URA do të propozojë kandidatin e saj për president. Kështu që unë nuk e përjashtojë mundësinë e kandidaturës për zgjedhjet presidenciale, por që fjalën e fundit do ta ketë Këshilli drejtues i URA-së. Jam i mendimit se ka ardhur koha që përfaqësuesi i popujve pakicë të jetë kandidat për president të Malit të Zi. Kandidati i përbashkët për president i opozitës do të ishte zgjedhja më e mirë. Nëse nuk do të ketë edhe një “grusht shteti” të ri, kushdo qoftë prej kandidatëve të partisë qeverisëse nuk ka çka kërkon në zgjedhjet presidenciale./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet