Drita Ademi-Beqiri: Publiku fillon nga një lexues

Poetja Drita Ademi-Beqiri (1965), është një ndër autoret shqiptare tashmë të njohura edhe ndërkombëtarisht. Vepra e saj, i ka gjetur shtigjet edhe për lexuesit joshqiptarë.

Konkretisht vepra ‘Placebo’, i është botuar në Londër në vitin 2011, edhe atë në të dy gjuhët: anglisht dhe shqip; të tjera i janë botuar nga Novum në gjermanisht; dhe nga Frankfurter Bibliothek; pastaj është përfshirë në antologjinë shqipo-gjermane ‘Andrra e Gjethe’ 2018, vepër kjo e përgatitur dhe e botuar nga shtëpia botuese Toena në Tiranë, etj.

Këtu në këtë intervistë për Gazeta e Re, përveç që ka folur rreth projekteve të saj të realizuara deri më tani, nuk iu ka shmangur pyetjeve që kanë të bëjnë me realitetin socio-kulturor kosovar. Sipas saj, autorët vendorë nuk gëzojnë përkrahjen e merituar institucionale dhe kjo është shumë keq.

GER: Bodlerit (Charles Pierre Baudelaire), i atribuohet thënia «shkruaj për t’i paguar faturat!», po ju ç’përgjigje do të epnit, po t’ju shtrohet pyetja: pse shkruani?

D.Ademi: Unë e kam thënë edhe diku tjetër se të shkruarit është vetsqarim. Pra, shkruaj, jam. Mendimet nuk mund t´i lexoj askush, fjalët po.

GER: Pavarësisht motivit që ka një autor për të shkruar çfarëdo qoftë, me veprën e tij, ndër të tjera, ai synon të bëhet pjesë e debatit publik. Për këtë është kusht që të ketë lexues… a ka lexues autori që shkruan në gjuhën tonë, në gjuhën shqipe?

D.Ademi: Unë nuk mendoj se duhet të shkruash vetëm nëse ke lexues të mjaftueshëm dhe të bëhesh pjesë e debatit publik, por, është fat nëse ke lexues të mirëfilltë. Publiku fillon nga një lexues. Në përgjithësi mungon kultura e të lexuarit në botën shqiptare. Populli shqiptar pra po kalon një krizë të madhe kulturore. Turmat po e degjenerojnë artin në përgjithësi, sidomos ne rrjetet sociale.

GER: Jeni edhe autore e përkthyer, si e ka gjetur rrugën vepra jote te lexuesi ndërkombëtar?

D.Ademi: Poezia ime, kryesisht në gjuhën gjermane është pritur mjaftë mirë dhe është lexuar e komentuar mijëra here. Unë kam publikuar poezi në faqe të ndryshme letrare, pra, në gjuhën gjermane me autorë nga shtetet gjermanofolëse . Aty ka gjetur vend poezia ime dhe i publikoj rregullisht. Ka kritikë letrarë por edhe lexues të mirëfilltë që merren shumë seriozisht me atë që ke shkruar. Kam botuar edhe në Frankfurter Bibliothek, pra edhe aty jam e rregullt, çdo vit më botohen poezi, por edhe jam vlerësuar lartë, duke më futur në listën e autorëve më të mirë të librit të vitit 2018.

GER: Shoqëria jonë ka telashe të mëdha me demokracinë. Duket që nga tranzicioni politik, kemi kaluar në atë kulturor. Artistët, e në veçanti shkrimtarët, nuk është që trajtohen dinjitetshëm… si e komentoni ju tërë këtë?

D.Ademi: Ndjejë keqardhje të madhe për artin dhe artistët, shkrimtarët në trojet shqiptare. Artistët, poetët e shkrimtarët po e bëjnë të pamundurën për t´i rezistuar këtij realiteti kaq agresiv. Shpresoj se me kohë do të rregullohen gjërat dhe secili do t`a ketë vendin e vetë.

GER: A është poezia aq e fuqishme, sa t’i ndryshojë gjërat?

D.Ademi: Pyetje interesante. Poezia e mirë mua më shkakton emocione të forta dhe për t`u shëruar nga kjo, shkruaj vetë ndonjë poezi. Në përgjithësi arti është shpirti i një kombi. Poezia ndikon në njeriun në shumë aspekte. Të jesh me poezinë nuk je asnjëherë vetëm dhe kjo është gjëja më e bukur që mund t`i ndodhë dikujt. Njeriu duke lexuar poezi rritet shpirtërisht.

GER: Krejt për fund, çka ju sugjeroni lexuesve?

D.Ademi: Pa dashuri nuk ka asgjë kuptim. Lexoni./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet