Drejtori i Thesarit të Kosovës: Rasti i vjedhjes së mbi 2 milionë eurove “veprim individual”

“Ju njoftoj se në cilësinë e drejtorit nuk kam nënshkruar asnjë dokument dhe as s’kam dhënë asnjë aprovim për këtë rast”, tha drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili

Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili, lidhur me rastin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga ky institucion drejt kompanisë “LDA Group Sh.P.K”, ku dyshohet se janë transferuar këto para, ka thënë se veprimi ka qenë krejtësisht individual dhe pa bashkëpunim me eprorët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një letër drejtuar qytetarëve dhe mediave, Ismaili ka sqaruar se aktualisht po zhvillohet proces hetimor në bazë të përgjegjësive institucionale dhe me kapacitet të plotë. Vjedhja siç siguroi ai “është kryera pa bashkëpunim dhe pa asnjë aprovim nga eprorët”.

“Veprimi që ka ndodhur është krejtësisht individual, duke tejkaluar autorizimet ligjore, duke ndërmarrë veprime të palejuara, duke krijuar përdorues false në sistem dhe duke thyer/resetuar fjalëkalime të zyrtarëve përgjegjës të ministrisë, nga e cila janë marre mjetet. Pra, ka përdorur qasjet nga sistemi për të bërë krim, i cili ka pasur qëllim mashtrimin përmes manipulimit dhe thyerjes nga brenda të sistemeve, që bie në domenin e krimit kibernetik po ashtu. Ky veprim është kryer pa bashkëpunim dhe pa asnjë aprovim nga eproret”, ka thënë Ismaili në letër.

Policia e Kosovës është në kërkim të dy pronarëve të kompanisë “LDA Group Sh.P.K”, me bazë në Llapushnik të Drenasit, të cilët janë në arrati që nga fillimi i kësaj jave ndërsa punonjësi i Thesarit i cili është i dyshuar se bëri transferin e parave tek llogaria e kompanisë në fjalë është arrestuar dhe i janë caktuar nga Prokuroria 30 ditë paraburgim.

Ismaili, në letër ka thënë se është çuar dëm mundi i shumë punëtorëve që në këtë kohë pandemie kanë punuar edhe me orar të zgjatur.

“Ju njoftoj se në cilësinë e drejtorit nuk kam nënshkruar asnjë dokument dhe as s’kam dhënë asnjë aprovim për këtë rast. Për më tepër gjatë gjithë asaj jave ne kemi qenë me grupin punues ndërqeveritar për përfundimin e pakos së rimëkëmbjes, e cila vetëm dy ditë më pas u lansua dhe ekzekutua”, ka shtuar Ismaili.

Për këtë vjedhje në Thesarin e Kosovës, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se tre minuta pasi është informuar me rastin e ka denoncuar atë në polici.

“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, ka thënë Bajrami.

Për këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se mashtruesit dhe keqpërdoruesit brenda sistemit publik nuk kanë vend në institucione.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rastin në fjalë e ka evidentuar më 9 tetor 2020 ndërsa deri më 20 tetor kur është kryer arrestimi i parë ka qenë duke zhvilluar hetimet.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet