Drejtësia kundër avokatëve

Një ‘Urdhëresë’ e Gjykatës Themelore në Prizren, e datës 08. 08. 2018, i ka kthyer në “armiq” avokatët me sistemin e drejtësisë. Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka marr një vendim, nëpërmjet të cilit ka kërkuar nga institucionet relevante që ‘Urdhëresa’ në fjalë,  të shfuqizohet menjëherë. Por meqë deri më sot nuk është ndërmarrë asgjë, avokatët kanë vendosur t’i radikalizojnë veprimet – shkruan Gazeta e Re.

Më 5 janar, OAK ka marrë një vendim sipas së cilit ka kërkuar që ‘Urdhëresa’ të shfuqizohet menjëherë. Siç është bërë e ditur, ajo është marrë fillimisht nga Gjykata Themelore e Prizrenit, por më pas është aprovuar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), aprovim i cili i ka dhënë fuqi edhe për instancat e tjera gjyqësore, në nivel vendi. Por ajo po konsiderohet si e pa vend, përkatësisht, siç e thotë edhe avokati Florin Lata, ajo është “pengesë në aspektin e qasjes ndaj drejtësisë”.

Meqë OAK, paralajmëroi javë më parë që po qe se kjo ‘Urdhëresë’ nuk shfuqizohet, ata do t’i bojkotojnë seancat gjyqësore, në nivel vendi, kështu edhe ndodhi.

Duke e komentuar këtë dokument problematik, i cili u nxori telashe avokatëve me sistemin e drejtësisë, avokati Lata për Gazeta e Re tha që “ai ua ndalon hyrjen në objektin e gjykatës palëve dhe avokatëve pa ftesa, apo leje, dokumente këto që lëshohen nga kryetari i gjykatës apo gjyqtarët. Oda e Avokatëvetë Kosovës këtë urdhër e ka konsideruar si pengesë në qasjen në drejtësi.”

I pyetur se për ç’arsye avokatët janë duke e cilësuar “pengesë”? Lata sqaroi duke vënë në dukje një varg argumentesh:

“Konsideroj se ky urdhër jo vetëm që mund të konsiderohet si pengesë në qasjen në drejtësi, por përbën shkelje të parimit të publicitetit të procedurës. Parimi i publicitetit është parim kushtetues i paraparë me nenin 31 par.2 dhe 3; parim  ky që palëve në procedurë iu garanton që procedurat gjyqsore të jenë publike dhe vetëm përjashtimisht mund të përjashtohet publiku. Publiciteti i procedurës është i paraparë edhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në Kosovë. Po ashtu edhe ligjet procedurale si penale, kontestimore dhe administrative, e kanë të paraparë parimin e publicitetit.

Pra, me këtë urdhër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me apo pa vetëdije, ka vendosur që qasjen në gjykatë ta mbyll në tërësi për publikun duke lejuar hyrjen vetëm për palën dhe avokatin me ftesa. Pra, qytetarët apo personat tjerë të interesuar, nuk mund të kenë qasje në gjykime pa marr leje nga kryetari i gjykatës pasi që ata nuk mund të pajisen me ftesa. E njëjta do të vlejë edhe për media, pasi që as ato nuk marrin ftesa për seanca.Vlen të theksohet se vetëm përjashtimisht, dhe atë për arsye shumë serioze (si p.sh: interesi i të miturve), gjykata mund të mbyll seancën për publikun. Ky fakt tregon për rëndësinë që ka ky parim në një proces gjyqsor. Bile, shkelja e këtij parimi nga gjykata e shkallës së parë përmbën shkelje thelbësore procedurale dhe si e tillë vendimi i gjykatës prishet nga gjykata e instancës më të lartë.”

Sipas tij gjykata “duke dashur që t’i pengojë avokatët në ushtrimin e punës së tyre, rrezikon që të gjitha vendimet e veta të konsiderohen të kundërligjshme, pasi që nëse ky urdhër gjen zbatim, seancat gjyqsore edhe pse do të shpallëshin të hapura për publikun, faktikisht do të ishin të mbyllura, meqë përveç palës dhe avokatit, askush tjetër nuk do të ketë qasje në gjykatë. Një urdhër i tillë do të ishte i pranueshëm sikur askujt përveç stafit të gjykatës të mos i lejohej hyrja në zyret personale të gjyqtarëve, duke përfshirë edhe prokurorët, por ndalimi i qasjes në objekt dhe atë vetëm për palët dhe avokatët, nuk ka asnjë arsyeshmëri. Si duket, gjyqësori kosovar pas shkurjes së EULEX-it dëshiron të bëj administrim të fshehtë të drejtësisë duke vepruar në kundërshtim me Konventat, Kushtetutën dhe Ligjet për të cilat është e thirrur t’i zbatojë.”

Bojkoti i paralajmëruar më datën 5 janar, ka hyrë në fuqi dje, meqë KGJK, e ka shpërfillur vendimin e OAK-ut. Pikërisht për shkak të kësaj përplasjeje, mbi 80 seanca gjyqësore në Prishtinë e Prizren kanë dështuar të mbahen vetëm ditën e djeshme. Kështu, brenda sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili edhe ashtu karakterizohet me probleme të shumta, është hapur një luftë e re: Ajo ndërmjet avokatëve dhe gjyqtarëve. KGJK, përkundër që nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt shfuqizimit të ‘Urdhëresës’, ajo i ka ftuar avokatët në një takim të jashtëzakonshëm që është paraparë të mbahet sot, megjithatë, ende nuk ka lajme rreth arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet palëve. /Gazetaere.com/

Kategoritë
Tema e Ditës

Të ngjajshmet

  • Shqipëria në zjarr

    Republika e Shqipërisë prej kohësh nuk ka qenë në një gjendje krize kaq të thellë politike. Që nga djegia e mandateve të deputetëve opozitarë, gjendja ka ardhur vetëm duke...
  • Rruga drejt Parisit, me plot dilema

    Nga Beogradi dhe nga Prishtina zyrtare, politikanët kanë vijuar të derdhin më shumë mjegull rreth asaj se çfarë i pret dy vendet në Samitin e Parisit. Hapa prapa nuk...
  • A e ka seriozisht Veseli luftën kundër korrupsionit?

    Disa nga mediat vendore e cilësuan si “stuhi”. Vendimi për përjashtimin nga pozitat partiake dhe institucionale zyrtarët e PDK-së të cilët kanë aktakuza, megjithatë, nuk e ka entuziazmuar një...
  • Me shtatore të shëmtuara, nuk zbukurohen sheshet

    Invazioni i shtatoreve dhe busteve nëpër sheshet e qyteteve të Kosovës, ka filluar fill pas përfundimit të luftës së fundit. Figura dhe emra heronjsh, ish luftëtarësh, martirësh etj, u...