Dorëhiqet ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka dhënë dorëheqje pas debatit të zhvilluar në qeveri në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë.

Në njoftimin e bërë nga kryeministria greke, kryeminsitri Alexis Tsipras e pranoi dorëheqjen e Kotzias dhe e falënderoi për detyrën e tij 3,5 vjeçare, transmeton AA.

Në njoftim gjithashtu thuhet se të gjitha përpjekjet në lidhje me Marrëveshjen e Prespës të arritur për çështjen e emrit me Maqedoninë do të ndërmerren nga kryeministri.

Sipas lajmeve në shtypin grek, ka ndodhur një debat i ashpër mes ministrit të Mbrojtjes Panos Kammenos dhe Kotzias-it në mbledhjen e kabinetit të zhvilluar dje në lidhje me marrëveshjen me Maqedoninë.

Në lajme theksohet se Kammenos ka akuzuar Kotziasin se është “njeriu” i miliarderit amerikan me origjinë hungareze George Soros dhe keqpërdorimin e fondeve të ministrisë, ndërsa Kotzias është zemëruar se Tsipras nuk ka qëndruar pas tij kundër këtyre akuzave dhe se nuk ka bërë përpjekje për qetësimin e debatit.

Kammenos i cili e kundërshton marrëveshjen me Maqedoninë ka thënë se nuk do të mbështesë qeverinë në lidhje me këtë çështje. Gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Washington tha se ka ofruar një plan alternativ për marrëveshjen e arritur me Maqedoninë.

Ky veprim i ministrit Kammenos ka shkaktuar reagime nga zyrtarë qeveritarë të SYRIZA, në krye me Kotzias-in.

Theksohet se në rast se Kotzias, anëtar i SYRIZA-s së formuar me bashkimin e subjekteve majtiste dhe deputetët që veprojnë bashkë me atë tërheqin mbështetjen, qeveria mund të bie.

Pritet që Tsipras të japë deklarata në lidhje me çështjen.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet