Dobitë e vizitës së Presidentit Thaçi në ShBA

Presidenti Hashim Thaçi dje ka udhëtuar për në New York për të marr pjesë në sesionin e 72 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku edhe do të takojë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. “Me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump, në margjinat e asamblesë, presidenti Thaçi dhe Zonja e Parë e Kosovës do të priten nga çifti presidencial Trump”.

Por, çfarë mund të pritet nga ky udhëtim i presidentit të Kosovës dhe a do të mund të pritet ndonjë njohje e re, meqenëse procesi i njohjeve nga shtete të ndryshme në botë, sikur ka stagnuar?

Në një prononcim për mediumin tonë, profesor i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, ka theksuar se është shans i mirë për t’u takuar me burrështetas të ndryshëm ngase ky eveniment sipas tij, paraqet pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta sovrane dhe po ashtu është forumi më i madh botëror.

“Në rrethana normale do duhej të kishim rezultate pozitive dhe nëse jo në margjina të asamblesë, atëherë të paktën të vendoseshin kontaktet, të koordinoheshin veprimet që njohjet të vijnë në javët dhe muajt në vijim”, pohon Hoti.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani, shprehet skeptik për vizitën e të parit të shtetit në SHBA.

“Po jo edhe aq nuk pritet kryesisht shfrytëzohet prania e shumë shteteve dhe bisedohet për njohjet, bëhet lobim, marrin ndonjëherë premtime ndonjëherë ato nuk dalin fare, kryesisht janë përpjekje për të punuar dhe për të ndihmuar Kosovën, nuk mund të pritet edhe aq po që se miqtë tanë ndërkombëtar nuk kanë bërë e ndonjë punë për neve, dihet se në tërësisht jemi të varur nga miqtë sa i përket njohjes edhe në OKB edhe të shteteve që ende nuk na kanë njohur”, shprehet shkurt Burjani.

Ndryshe, pavarësia e Kosovës e cila u shpall më 17 Shkurt të vitit 2008, deri më tani është njohur zyrtarisht nga 114 shtete, prej gjithsejtë 193 Shteteve anëtare të UN-it. Ndër këto janë 24 prej 28 shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Fahrije Bajrami/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet