DnV: Partitë publikuan programet me shumë vonesë, përdorën edhe gjuhën e urrejtjes

Fushata 10 ditore e partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen nesër u përcoll me shkelje të masave anti-COVID, ndërsa subjektet politike u vonuan me prezantimin e programeve. Kështu u tha sot në një konferencë për media të koalicionit të organizatave që monitorojnë procesin zgjedhor Demokracia në Veprim.

Veton Mujaj nga DnV njoftoi se dhjetë ditët e fushatës zgjedhore kanë kaluar kryesisht në një atmosferë të qetë, ndonëse me një numër të konsiderueshëm të aktivitete zgjedhore, shumë shpesh të paparalajmëruara para institucioneve përkatëse.

“Kemi përcjell çdo aspekt të fushatës dhe mendojmë që ka qenë atmosferë e qetë, me një numër të konsiderueshëm të aktiviteteve, me vizita nëpër shtëpi që kanë bërë partitë politike, të cilat faktikisht jo të gjitha kanë qenë të lajmëruara në institucionet përkatëse. Në shumicën e këtyre aktiviteteve që kanë realizuar subjektet politike mosrespektimi i masave për COVID-19 ka qenë shumë evident, duke mos respektuar rregullat për distancë sociale dhe mbajtjen e maskave në mënyrë të duhur”, tha ai.

Mujaj tha se elemente të gjuhës së urrejtjes nuk kanë munguar në aktivitet politike te monitoruara, teksa shtoi se partitë politike kanë prezantuar programet e tyre me shumë vonesë.

“Elementet e gjuhës së urrejtjes në baza politike nuk kanë munguar në aktivitetet zgjedhore të monitoruara… 3:40 Të gjeturat negative jemi munduar t’i drejtojmë tek institucionet e KQZ ose PZAP. Për këtë kanë rezultuar edhe disa dënime që janë shqiptuar, ku me ankesat e DnV është bërë që së paku disa prej partive politike të dënohen deri në 40 mijë euro… min.2 Programet politike u publikuan me shumë vonesa, ndërsa pjesëmarrja e grave në aktivitete zgjedhore ishte më e ulët sesa 30 përqind. Prezenca e ulët e grave është shënuar edhe në media”, tha ai.

Lidhur me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore në komunat serbe foli Dusan Radakoviq nga DnV, i cili tha se fushata u zhvillua në mënyrë paqësore, pa ndonjë incident.

Sipas tij, subjektet politike në këto komuna nuk kanë mbajtur pothuajse asnjë mbledhje madhore me mbi 50 persona.

“Sa i përket fushatës zgjedhore në komunat (me shumicë) me popullsi serbe ka kaluar pa probleme të theksuara në respektim të ligjit, kryesisht me tubime në hapësira të hapura deri në 150 persona, kemi pasur disa ankesa të vogla për moslajmërimin e tubimeve kryesisht në veri, por në përgjithësi mund të them se nuk kemi hasur në billborda ose postera sikur te mos kishte fare zgjedhje ne Kosovë. Sa i preket zonave ku jetojnë serbët, disa parti te komuniteteve, si edhe disa nga partitë serbe, nuk kanë pasur fare postera dhe billborde, disa po. Fushata kryesisht është zhvilluar derë më derë, kështu që mund të them se sa i përket komuniteteve pakicë, para se gjithash komunitetit serb dhe atyre që jetojnë në mjediset ku shumicë është komuniteti serb në 10 komuna, mund të them se fushata ka kaluar shumë qetë dhe me frymë demokratike, duke u respektuar rregullat demokratike (me tubime) deri në 50 persona, kështu që mund të them se kemi zhvilluar një fushatë të qetë dhe në përputhje me ligjin në këto 10 komuna”, u shpreh ai.

DnV ka ftuar qytetarët e Kosovës që në zgjedhjet e parlamentare që do të mbahen nesër të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm. Ndërsa ka bërë të ditur se kanë angazhuar 498 vëzhgues dhe 100 ekipe mobile.

Po ashtu, Demokracia në Veprim ka porositur subjektet politike që të tregojnë maturi për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kategoritë
LajmeVendi