Diskuri Eurocentrik

Recension: John M. Hobson, Origjinat lindore të qytetërimit perëndimor, Logos-A, Shkup, 2018, 439 faqe.

Shkruan: Murat M. ALIU, Prilep

Libri i autorit John M. Hobson, Origjinat lindore të qytetërimi perëndimor, si një studim në kuadër të sociologjisë historike, trajton një çështje, në rend të parë, të ndjeshme dhe një çështje të cilën jo shumë autorë kanë marrë guximin ta trajtojnë. Me këtë vepër autori mëton të bëjë një kritikë ndaj mendësisë eurocentrike, që synon të shpërfaqë një të vërtetë ose një qasje më ndryshe nga ajo që jemi mësuar të dëgjojmë deri tani sa i përket origjinës së qytetërimit perëndimorë. Ashtu siç mund të kuptohet nga vet titulli i librit, autori – nëpërmjet metodës analitike dhe krahasuese – mëton të hedhë në dritë origjinat lindore të qytetërimit perëndimor, përkatësisht të dëshmojë vazhdimësinë e proceseve  zhvillimeve fundamentale, të cilët kanë filluar në Lindje të cilat më vonë janë përvetësuar nga Perëndimi. Në këtë kontekst, autori e hedh poshtë gjithë diskursin perëndimorë/eurocentrik të krijimit të imazhit të Lindjes si një objekt pasiv i historisë njerëzore dhe perceptimin për Lindjen si e paaftë, dembele, despotike, irracionale, injorante etj. Përkundër kësaj, eurocentrizmi gjithmonë e ka shpërfaqur Perëndimin si një subjekt proaktiv të historisë njerëzore, përparimtar, racional, autonom, të kulluar etj. Kësisoj, sipas vetë autorit, ky margjinalizim i Lindjes në realitet i fsheh tri çështje të mëdha. “Së pari, Lindja i hyri e para aktivisht zhvillimit të saj të qenësishëm ekonomik aty pas vitit 500. Se dyti, Lindja krijoi dhe ushqeu aktivisht ekonominë globale pas 500-s. Së treti, dhe mbi të gjitha, Lindja ka kontribuar në mënyrë aktive dhe domethënëse për ngritjen e Perëndimit duke u prirë dhe duke i shpërndarë shumë kapacitete burimore të avancuara (për shembull, teknologji, institucione dhe ide) në Europë” (faqe: 22-23). Pra, këtu autori e thekson rëndësinë e kontributit të Lindjes në fushën e teknologjisë, ekonomisë dhe në krijimin e institucioneve racionale. Sipas tij, të gjitha këto procese dhe ky zhvillim nuk lindën në Perëndim, ashtu siç pretendojnë eurocentrikët, por origjina e tyre është Lindja, ndërsa më vonë janë përvetësuar nga Perëndimi. Në këtë kontekst, autori përpiqet të dëshmojë marrëdhëniet e ndërsjella ndërmjet këtyre dy qytetërimeve dhe, mbi të gjitha, përpiqet ta përcjellë idenë se pikëpamja e përgjithshme se gjithçka ka filluar në Europë për arsye të ndryshme, është e sajuar dhe, përkundër kësaj,  ai thekson se Lindja dhe Perëndimi që prej vitit 500 të erës së re gjithmonë kanë qenë të ndërlidhura në mënyrë fundamentale dhe të vazhdueshme përmes procesit të globalizimit (faqe: 18-20). “

Kështu, paramendimi i Lindjes si “tjetri” dhe margjinalizimi i saj përbën faktorin themelor për formimin e identitetit europian. Ndërkaq sfondi teorik i kësaj mendësie është diskursi orientalist, i cili u shpërfaq veçmas përgjatë shekujve XVIII dhe XIX në Europë,  për të cilin Edward Said-i në veprën e tij Orientalizmi, koncepte perëndimore për Orientin (Logos A, Shkup) thekson se pikërisht imazhi i “tjetrit” i Lindjes përbënte faktorin kryesor për vetëpërkufizimin e Perëndimit. “Orienti ka ndihmuar për të përcaktuar Europën (ose Perëndimin) si imazhin, idenë, personalitetin dhe përvojën kontrastuese të saj”, shkruan ai (faqe: 23). Ndërsa për Hobson-in, orientalizmi është një botëkuptim që e thekson superioritetin e brendaqenësishëm të Perëndimit mbi Lindjen (faqe: 25). Sërish sipas Siad-it, orientalizmi si një institucion korporativ mëton sundimin, ristrukturimin dhe vendosjen e autoritetit mbi Orientin (faqe: 25). Thënë shkurt, orientalizmi ndërton një imazh të përhershëm të Perëndimit superior (“Vetes”), të përkufizuar negativisht kundrejt “Tjtetrit” jo më pak imagjinar – Lindjes së prapambetur dhe inferiore.

Sipas Hobson-it, Perëndimi – me krijimin e imazhit superior ndaj Lindjes – përpiqet që brenda kornizave morale ta legjitimojë imperializmin dhe eksploatimin perëndimorë ndaj Lindjes. Por, jo vetëm kaq: eurocentrizmi, duke imagjinuar Lindjen si të kundërtën pasive të Perëndimit, në fakt krijon një diskurs, sipas së cilit vetëm Perëndimi është i aftë për zhvillim progresiv në mënyrë të pavarur. Kështu, “historia europiane ishte skalitur me një linearitet kohor progresiv, ndërsa Lindja u imagjinua të qeverisej nga cikle regresive amullie” (faqe: 28).

Më tej Hobson-i vazhdon duke thënë se në krijimin e diskursit orientalist ose eurocentrik teoria e mënyrës së prodhimit lindor të Karl Marksit dhe despotizmit lindor të Maks Veberit kanë luajtur një rol të veçantë. Në këtë kontekst, Marksi, gjithmonë duke u mbështetur në materializmin historik, theksonte se prona private dhe lufta e klasave ishte motori zhvillimor i progresit historik. Por, fakti që prodhuesit në Lindje ishin drejtpërsëdrejti të varur nga udhëheqësit despotikë, ishte e pamundur shpërfaqja e pronës private, rrjedhimisht edhe lufta klasore. Ndërkaq qasja veberiane për despotizmin lindor konsiston në racionalitetin perëndimor. Kështu, Veberi ia atribuoi Perëndimit një varg institucionesh racionale, që ishin liberale dhe lejuese për progres e zhvillim. Veberi thekson se dallimi fundamental ndërmjet këtyre dy qytetërimeve qëndron në ndarjen e sferës publike dhe asaj private. Përderisa kjo ndarje (racionale) ekzistonte në Perëndim, për Veberin, një gjë e tillë nuk ekzistonte në Lindje. Veçoria e dytë dalluese ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, sipas Veberit, qëndron në ekzistencën e një “balance shoqërore pushteti” te i dyti dhe mungesa e saj në të parin. Rëndësia e ekzistencës së kësaj balance qëndron në shpërqendrimin e pushtetit në mesin e më shumë aktorëve, gjë që gjeneron progres dhe zhvillim.  Ndërsa, sipas Veberit, në strukturat monolite ose modelet despotike progresi është i pamundur (faqe: 31-40).  Përkundër kësaj, Hobson-i argumenton se pas vitit 500 ishin pikërisht vendet aziatike dhe afrikane ato të cilët zhvilluan një ekonomi globale dhe kësisoj këto vende ishin ato që deri rreth viteve 1800 e mbajtën gjallë ekonominë botërore. “Së pari, pas 500-ës, persianët, arabët, afrikanët, javanezët, hebrenjtë, indianët dhe kinezët krijuan dhe deri rreth vitit 1800 mbajtën gjallë një ekonomi globale ku civilizimet madhore të botës ishin në çdo kohë të ndërlidhura. Së dyti, rajonet e ndryshme qeveriseshin nga sundues të cilët siguronin një mjedis paqësorë dhe i mbanin taksat e kalimit të ulëta për ta lehtësuar tregtinë globale. Së treti, një sërë institucionesh racionale kapitaliste u krijuan dhe u vunë në punë pas 500-ës për të mbështetur tregtinë globale” (faqe: 57).

Domethënë, autori në mënyrë kategorike i kundërshton të gjitha tezat eurocentrike dhe orientaliste, të cilat e imagjinojnë Lindjen si subjekt pasiv të historisë njerëzorë. Në mënyrë të argumentuar, Hobson-i  flet për mrekullinë e parë industriale kineze, me ç’rast thekson se Kina shumë me herët ka hyrë në procesin e industrializimit se Britania e Madhe. Revolucioni i hekurit, çelikut, energjisë, taksimi, letra, shtypshkronja dhe, më pas, revolucioni lundrimor,  ushtarak, agrikulturor (faqe: 80-94), sipas autorit, janë procese ose zhvillime të cilat për herë të parë u paraqitën në Kinë atëherë kur Europa nuk e kishte as konceptin për të gjitha këto. Ai, po ashtu, në libër vë në dukje dhe kundërshton një sërë mitesh të krijuara nga Perëndimi, të cilat i denigrojnë vendet lindore. Thënë shkurt, sipas autorit, Perëndimi ose Europa deri në vitin 1800 gati se në të gjitha aspektet qëndronte pas Lindjes. Për shembull, sipas tij, të ardhurat e Perëndimit i kaluan ato të Lindjes vetëm pas në vitin 1870 dhe prodhimi i brendshëm bruto i Kinës në vitin 1820 përbënte 29% të të gjithë ekonomisë së botës dhe ishte i barabartë me kontributin e gjithë Europës (faqe: 114).

Ndër të tjera, Hobsoni në këtë libër një vend të veçantë u kushton edhe zhvillimeve ekonomike, politike, intelektuale në botën Islame. Duke kundërshtuar botëkuptimin eurocentrik se globalizimi ekonomik ka filluar pas vitit 1500, ai thekson se pas vitit 610 Lindja e Mesme është ngritur si një fuqi globale me revelatën e Muhammedit. Islami, sipas tij, nuk ishte një fe regresive, që pamundësonte veprimtarinë kapitaliste racionale, ashtu siç pretendojnë orientalistët ose eurocentrikët, por e kundërta e kësaj – ishte një fe që stimulonte tregtinë dhe ekonominë. Autori, për ta argumentuar këtë, e ofron shembullin se vet profeti Muhammed ka qenë tregtar dhe se lidhja ndërmjet Islamit dhe kapitalizmit mund të gjendet në librin e shenjtë, në Kur`an, dhe hadithet e Profetit Muhamed (faqe: 63-65).

Më tej, si pasojë e eurocentrizmit, autori në vazhdimësi vë në dukje shpikjen e “rrezikut islamik”, kjo me qëllim të konsolidimit dhe krijimit të një identiteti të përbashkët europian  mbi bazat e Krishterimit. Europa nuk ka qenë një tërësi e harmonishme. Përkundrazi, ajo ka qenë një strukturë fragmentare dhe e përçarë me konflikte të thella të brendshme ndërmjet fshatarëve dhe klasës së fisnikëve, fisnikëve e sundimtarëve, sundimtarëve e klerikëve, sundimtarëve e papës, papës e perandorëve të shenjtëroma, thekson Hobson-i. Në këto kushte socio-politike ishte e pamundur të flitej për homogjenitet të brendshëm. Rrjedhimisht, e vetmja mënyrë për ta krijuar këtë homogjenitet të brendshëm është përfytyrimi i “tjetrit” kundrejt të cilit do të formohet “vetja” homogjene. Në kontekstin mesjetar “vetja” e përfaqësonte të “mirën” dhe të “drejtën”, ndërsa “tjetri” ishte imagjinuar si e kundërta e këtyre virtyteve, përkatësisht si e “liga” dhe “e padëshirueshmja”. Në këtë kontekst, “tjetri” më i përshtatshëm, nëpërmjet të së cilit do të mund të krijohej vetja homogjene, u përzgjodh Islami. Si pasojë e kësaj, në shumë vepra shkencore e intelektuale filloi denigrimi i  figurës së profetit Muhammed, denigrim i cili e arriti kulmin e tij në veprën e Dantes (faqe: 157-162). Thënë shkurt, siç e vë në dukje Rana Kabbani, thotë Hobson-i, “Islami u pa si mohim i Krishterimit, kurse Muhammedi si mashtrues, si një epshor i lig, një Antikrisht në aleancë me Djallin. Bota islame u pa si një Antieuropë” (faqe: 159).

Jo vetëm Hobson-i, por këtë qasje përjashtuese ose denigruese të Islamit e vënë në dukje edhe një sërë autorësh dhe mendimtarësh të tjerë. Për shembull, profesori Ferid Muhiq, në librin e tij Identiteti islam i Euopës (Logos A, 2013), hedh dritë mbi vazhdimësinë dhe prezencën e këtij botëkuptimi mesjetar edhe në ditët e sotme në vendet europiane. “Evropa bashkëkohore edhe më tutje, e udhëhequr sipas imperativave ideologjike të supremacionit perandorak dhe ambicieve neokolonialiste si motive të tij qendrore politike, vazhdon të gjenerojë raport qëndrimin negativ ndaj islamit, duke e konsideruar si sistem vlerash e mënyrë të jetesës radikale anti-europiane dhe anti-kristiane të jetës shoqërore” (faqe: 10). Pra, siç mund të vërejmë nga këto vargje të autorit Muhiq, por jo vetëm, Islami dhe, përgjithësisht, muslimanët, edhe sot e kësaj dite për Europën, e cila thirret në moralin kristian, paraqet “tjetrin”, që është burimi i të gjitha këqijave me të cilat mund të përballet vetë ajo. Thënë ndryshe, në diskursin politik, por edhe nëpër studimet shkencore, ndonëse në nënvetëdije, Islami akoma perceptohet si rreziku kryesor që rrezikon institucionet, mënyrën e jetesës, madje edhe vetë shtetet Europiane. Pra, Islami në diskursin orientalist përbën një rrezik ontologjik për Europën.

Hobson-i, në këtë libër, pretendon se Lindja luajti një rol të rëndësishëm në mundësimin e ngritjes së qytetërimit perëndimor. Këtë e ka bërë nëpërmjet dy proceseve kryesore: përhapjes dhe përvetësimit. “Së pari, lindorët krijuan një rrjet të komunikacioneve globale dhe ekonomisë globale pas viti 500, përgjatë të cilit `kapacitetet burimore` lindore u përhapën anembanë Perëndimit, ku ato u asimiluan më pas përmes asaj që unë e quaj globalizmim oriental. Dhe, së dyti, imperializmi perëndimorë i shtyu europianët pas viti 1942 që t’i përvetësojnë të gjitha llojet e burimeve ekonomike lindore për të mundësuar ngritjen e Perëndimit. Shkurt, Perëndimi nuk e nisi në mënyrë autonome zhvillimin e vet, në mungesë të ndihmës lindore, sepse ngritja e tij do të kishte qenë e pakonceptueshme pa kontributet e Lindjes” (faqe: 19).

Për fund mund të thuhet se ideja themelore e autorit Hobson është të paraqesë një botëkuptim ose lexim ndryshe të zhvillimit historik të Lindjes, jashtë kornizave të mënyrës së të menduarit europian, dhe kështu të vë në dukje rolin proaktiv të Lindjes ose vendeve lindore, të cilat e kanë luajtur atë rol pothuajse në të gjitha zhvillimet dhe proceset globale.“Argumenti kryesor i këtij libri kundërshton një prej teorive më bazë të eurocentrizmit: se Lindja ka qenë një spektatore pasive në historinë e zhvillimit historik të botë, si dhe një viktimë ose bartëse e fuqisë perëndimore dhe se, për pasojë, mund të margjinalizohet në mënyrë legjitime nga rrëfimi progresiv i historisë botërore   “(faqe:21). Por, kundërvënia e tij ndaj mendësisë orientaliste a eurocentrike dhe shtrimi i gjithë atyre argumenteve për subjektivitetin historik të Lindjes, assesi nuk duhet nënkuptuar, siç thotë vetë ai, se Perëndimi ka qenë një ndjekës ose konsumues pasiv i gjithë atyre zhvillimeve dhe ngjarjeve, porse ekziston një lidhje kauzale ndërmjet këtyre dy qytetërimeve, në kuptimin se moderniteti dhe kapitalizmi europian nuk ishin fenomene të cilat rënë nga qielli, porse fondamenti i tyre ishte përgatitur në Lindje. Edhe autori turk Ibrahim Kallën, në veprën e tij Islami dhe Perëndimi (Logos A, 2011), e thekson këtë ndërlidhshmëri ndërmjet këtyre dy qytetërimeve, duke thënë se marrëdhëniet ndërmjet Islami dhe Perëndimi nuk përbëjnë vetëm një histori konfliktesh dhe përplasjesh, por – përkundrazi – ekziston një ndërveprim serioz në të gjitha fushat e mundshme. Ndërkaq shembulli më tipik i këtij ndërveprimi është zhvillimi i një kuture islame në Andaluzinë europianë ndërmjet viteve 711-1492 (faqe: 95).


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet