Diplomatët e huaj dhe çështjet e brendshme të Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, përveç këshillave, jo rrallë herë u ka treguar politikanëve në Kosovë se çfarë vendimesh duhet të marrin. Së fundi, duke qenë në prag të fushatës zgjedhore, ai u bëri thirrje partive politike në Kosovë që të kenë kujdes se çfarë njerëzish të përfshijnë në listat zgjedhore.

Jo vetëm Delawie, por edhe ambasadorë të tjerë në Kosovë shpesh janë akuzuar nga partitë opozitare se po përzihen më shumë se sa që duhet në punët e shtetit.

“Në të kaluarën ka pas më shumë deklarata të diplomatëve të huaj që do të mund të konsideroheshin si ndërhyrje në vullnetin politik. Ngase kanë pasur të bëjnë me rendin kushtetues të Kosovës, apo me ligjet dhe vullnetin e deputetëve për të votuar ose jo ndonjë ndryshim kushtetues apo aprovoj ndonjë ligj”, thotë Mytaher Haskuka, tashmë ish-deputet nga radhët e Vetëvendosjes në legjislaturën e fundit. Megjithëkëtë, për të, rekomandimi i fundit i ambasadorit amerikan është miqësor.

E për Anëtarin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës Bajram Gecaj, deklarimi i fundit i Delawies është  plotësisht i drejtë sa i përket partisë së tij. “ Ne edhe ashtu nuk kemi probleme të tilla”, thotë Gecaj për Gazeta e Re, duke iu referuar “listave të pastra zgjedhore”.

Kërkesa e amerikanit, për ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës Shukri Buja, po shihet një sugjerim për të mirën e qytetarëve. “Ishte sugjerim për partitë politike, madje me shtesën për përfshirje gjinore dhe rinore, sugjerim për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, pohon Buja për Gazeta e Re.

Njohësi i çështjeve politike Haki Abazi konsideron se shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Kosovës nga të gjithë është që të kërkohen lista të pastra pa emra të përfshirë apo apostrofuar, që kanë probleme me ligjin, apo që janë të përfshirë në korrupsion dhe krim.  “Ky është një rast jashtëzakonisht i mirë që të pastrohet skena politike dhe ambasadori e ka edhe detyrë edhe qëllim që të ndihmojë Kosovën drejt reformave dhe zhvillimeve që sigurojnë funksionalitetin e shtetit demokratik dhe zhvillohet sipas normave demokratike që rrjedhimisht do të duhej të përfundonte integrimet Euro Atlantike”, përfundon Abazi.

Ndryshe, deklaratat e Delwies vijnë pas përcaktimit të 11 qershorit si datë e zgjedhjeve të parakohshme, pas rrëzimit të Qeverisë Mustafa. Ndërkaq, Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që fushata elektorale të fillojë zyrtarisht me 31 maj dhe të zgjasë 10 ditë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet