Diploma ka, por tregut të punës i mungojnë profesionistët

Profilet më të preferuara për të rinjtë në Kosovë, vazhdojnë të jenë fusha e drejtësisë e pasuar nga menaxhmenti i biznesit, dhe e fundit drejtimi i mjekësisë. Por, kjo përzgjedhje e këtyre drejtimeve nga ekspertë të çështjeve të arsimit po kërkohet të ndryshohet dhe përzgjedhja e drejtimeve të bëhet në përputhje me kërkesat e tregut të punës – shkruan Gazeta e Re.

Drejtori i Qendrës për Arsim e Kosovës (KEC) Dukagjin Pupovci, në një prononcim për Gazeta e Re, ka thënë se, Kosova po vuan për kuadro të përgatitura mirë në të gjitha fushat.

Megjithatë ai shpjegon se, “Edhe pse ka mijëra të rinj të papunë që kanë diplomuar nga institucionet e arsimit të lartë, tregut të punës i mungojnë profesionistë të mirë edhe nga ato fusha ku ka pasur hiper-prodhim të të diplomuarve, siç është fusha e drejtësisë ose e menaxhimit të biznesit. Sikur të ishte ndryshe, shteti dhe biznesi do të funksionin më mirë në Kosovë se që po shihet”.

Sipas tij problemi madhor qëndron tek cilësia e arsimit që ju ofrohet të rinjve, “Dhe, për pasojë, numri i të diplomuarve është në shpërputhje me numrin e atyre që, realisht, janë të përgatitur për sfidat e tregut të punës. Kështu, kohëve të fundit shumë të rinj kanë studiuar për shkenca kompjuterike që vazhdon të jetë fushë atraktive, por kjo nuk do të thotë se edhe janë aftësuar për ta ushtruar profesionin e programuesit në kushtet e një konkurrence të fortë rajonale dhe ndërkombëtare”.

“Kjo ndikon që shumë investitorë ta anashkalojnë Kosovën dhe kompanitë kosovare, duke u orientuar në vendet ku kuadri është më i përgatitur. Pa dyshim se të rinjve u nevojitet orientimi dhe këshillimi në karrierë që të zgjedhin drejtime që i bëjnë më të punësueshëm. Kjo mund të organizohet nëpër shkolla. Por, punësueshmëria varet edhe nga cilësia e arsimit që marrin dhe obligimi i shtetit është që ta sigurojë atë. Në këtë drejtim kemi rrugë të gjatë për të bërë”, përfundon Pupovci.

Por, a ka rrezik nga hiper-prodhimi i kuadrove nga shkencat shoqërore dhe cilat mund të jenë pasojat e kësaj? Profesori universitar Alejtin Berisha, tregon se zhvillimi i teknologjisë e sidomos Inteligjencës Artificiale, ka ndryshuar krejtësisht tregun e punës. Sipas tij, “shumë profesione janë në zhdukje e të tjera do të hapen viteve në vijim”.

“Maturantët duhet të kenë shumë kujdes kur të përzgjedhin profilin e studimit por edhe institucionin. Ata para se të përzgjedhin çka të studiojnë, duhet të zgjedhin ato institucione që ju ofrojnë zhvillim të shkathtësive të transferueshme, në mënyrë që ti bëjnë ballë ndryshimeve që do të ndodhin në tregun e punës në 30 vitet e ardhshme. Sa i përket profileve, Shkenca Kompjuterike, Menaxhment dhe Gjuhët e huaja, janë opsionet më të mira, me më së shumti mundësi karriere sot dhe pas 30 viteve”, pohon Berisha.

Në anën tjetër Rinor Qehaja, nga Instituti Edguard tha se tashmë është krijuar një disbalancë mes kërkesës së tregut dhe profileve të caktuara nga shkencat shoqërore, për rrjedhojë me implikim të drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, dhe pashmangshmërisht në sukses dhe karrierë të rinjve.

“Është e domosdoshme që të kemi një strategji nacionale për profilet që mund të gjenerojnë ekonomi, dhe numër të kufizuar të studenteve për tu pranuar në shkollim universitar, dhe pjesa tjetër të fokusuar në shkollat profesionale. Nuk mund të ketë atraktivitet për shkencat ekzakte deri sa studentet nuk shohin përfitim në punësim nga profile të tilla. Mos të diskutojmë për ndonjë kontribut në shkencë”, shprehet Qehaja.

Kujtojmë që Universiteti i Prishtinës i ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara. Kurse, numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës nga viti në vit po shënon rritje. Aktualisht në këtë universitet studiojnë më shumë se 45 mijë studentë.

Ndërkohë, numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike në Kosovë për vitin akademik 2017/2018 është 15.255 studentë. Ndërkaq, papunësia sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që po e përcjell vendin tonë tash e sa kohë me  28.7%. të papunësisë. /Fahrije Bajrami/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet