Dikur thuhej: “Trepça punon, Beogradi ndërton!”, e sot…

Dikur cilësoheshin si spekulime, por ditëve të fundit janë bërë realitet. Trepça po synohet të futet në menynë e bisedimeve. Vet Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq ka hedhur benzinë mbi debatin e ndezur, duke e cilësuar gjigantin e dikurshëm ekonomik – “si një çështje që duhet të mbyllet” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – shkruan Gazeta e Re. 

Për herë të parë “në historinë bashkëkohore të xehetarisë dhe industrisë, emri “Trepça” figuron me rastin e regjistrimit të saj si kompani britanike më 9 dhjetor 1927 në Londër” – ka shkruar në një opinion Daut Dauti, duke ua kujtuar politikanëve se përveç britanikëve, askush nuk ka të drejtë ta diskutojë statusin e këtij gjiganti.

Reagimet pas deklaratës shokuese të Kocijançiq dhënë për agjencinë e lajmeve “Tanjug”, ishin të menjëhershme. Kryeministri Ramush Haradinaj, Kryeparlamentari Kadri Veseli, Ministri Valdrin Lluka e deri te minatorët e Trepçës, ua rikujtuan vendorëve e ndërkombëtarëve se ky aset, është i panegociueshëm.

Dikur, konsiderohej një ndër gjigantët e zhvillimit ekonomik në Ish Jugosllavi. Madje brezat më të vjetër ende e kujtojnë mjaft mirë vargun e famshëm: “Trepça punon, Beogradi ndërton”, i cili si për ironi, nga disa qarqe, po përpiqet të jetësohet, ndonëse në një realitet krejt tjetër politik. Të paktën kështu po e sheh pjesa më e madhe e opinionit publik.

Pak histori

Është zbuluar se për herë të parë emri Trepça është përdorur në disa dokumente që gjenden në arkivat e Dubrovnikut. Bëhet fjalë për vitin 1303. Por emri, sipas disa të dhënave, është lakuar edhe në dokumente që ndodhen në arkivat osmane, po ashtu mjaft të hershme. Në fakt, edhe para ardhjes së këtyre të fundit, miniera është njohur edhe në periudhat e mëhershme si greke, romake, bashkë me shekujt e mesjetës. Por siç e kujton Daut Dauti, fizionominë e një kompleksi të tillë ekonomik, e ka fituar nën menaxhimin e britanikëve.

“Hulumtimet e para gjeologjike filluan në vitin 1924, atëherë kur gjeologët anglez filluan kërkimet gjeologjike për mineralizimet polimetalore sulfure të Pb – Zn, në suaza të fushës xeherore të Trepçës në Stantërg. Më vonë saktësisht në vitin 1926, në Londër formohet një shoqëri aksionare e njohur me emrin Trepca Mines Limited e cila merr me koncesion shfrytëzimin e këtij vendburimi për 50 vjet” – shkruan në websajtin e Trepçës.

Në Ish-Jugosllavi, Kombinati Trepça pati periudha të jashtëzakonshme të zhvillimit. Kulmin e suksesit e arriti në vitet e tetëdhjeta, kur ia doli të eksportonte mallra me vlera dhjetëra, qindra milionëshe (103 milionë dollarë).

Për më shumë se pesë dekada, nga ky kombinat, thuhet se janë prodhuar 33 milionë ton xehe, kryesisht plumb dhe zink.

Nuk kanë munguar as metalet e tjera të çmueshme si: argjend (ag), ar (au), bismut (bi), kadmium (cd) etj. Pastaj: plumb i rafinuar, zink elektrolitik, argjend i pastër, acid sulfurik etj.

Vet miniera e Stantërgut konsiderohet si vendburimi i plumbit, zinkut, artit dhe argjendit, ndër më të njohurat në Evropë.

Në kombinat, në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, qe themeluar edhe një muze, i njohur ndryshe si: Muzeu i Kristaleve të Trepçës, ku janë të ekspozuar mbi 1500 eksponate.

Rikthimi në kontekst…

Miniera Trepça në Stantërg, në të gjitha periudhat, është njohur si pjesë e territorit administrativ të qytetit të Mitrovicës. Por Beogradi zyrtar do të përpiqet që këtë aset ta shndërrojë në çështje të diskutueshme në procesin e bisedimeve, ndonëse për të gjithë zyrtarët më të lartë në Prishtinë, e kanë përjashtuar një gjë të tillë. Edhe vet Presidenti Hashim Thaçi, i cili i pari e ka promovuar idenë e ndryshimit të kufirit me Serbinë, ka deklaruar se “pikat strategjike si: Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme!”

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë bërë disa hapa, si përpjekje për rregullimin e infrastrukturës ligjore. Por procesi ka ngecur në gjysmë, meqë intenca kryesore e politikës është që atë ta shndërrojë në Shoqëri Aksionare. Ky do të ishte hapi i fundit ligjor, i cili do t’i shuante përfundimisht ambiciet e serbëve për këtë aset të rëndësishëm ekonomik – thonë njohësit e kësaj çështjeje./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet