Dikur një shoqëri optimiste, tash po vuan nga pesimizmi kolektiv

Qytetarët e Kosovës kurdoherë janë shquar për optimizmin e pathyeshëm të cilin e kanë reflektuar në çdo moment. Si rrallëkund, edhe pasi u shpërngulën me dhunë gjatë luftës nga forcat militare e paramilitare serbe, ata u kthyen në vatrat e tyre, për t’ia rifilluar nga e para. Por entuziazmi, nuk zgjati shumë. Dekada e fundit duket që i ka lodhur, sidomos brezat më të ri, të cilët me ngulm kërkojnë standard më të mirë jetese. Republika jonë, vazhdon të mbetet si vendi më i izoluar në Evropë. Qeveritë, njëra pas tjetrës, kanë dështuar në përpjekjet e tyre për plotësimin e detyrave të vëna nga mekanizmat relevant të BE-së, si parakusht për fitimin e të drejtës për negociata për anëtarësim. Kriza dhe bllokada politike, ndërkohë, duket që ka ndikuar në disponimin e qytetarëve, të cilët shprehen se sapo t’u epet rasti, do të ikin nga ky vend. Bindja se këtu e ardhmja është një iluzion, ilustrohet më së shpeshti me batutën: <<i fundit që del nga Kosova, le t’i fikë dritat!>>  – shkruan Gazeta e Re.

Një ndër arsyet se pse BE po ka frikë t’ua liberalizojë vizat kosovarëve, sipas disa analistëve, mbetet vala e madhe e migrimit e cila mund të ndodh pas këtij akti. Sepse, sikundër flasin vet statistikat, shkalla e të papunëve mbetet ende  e lartë. Nuk ka të dhëna të sakta rreth numrit të të ikurve, meqë është një fenomen që po vazhdon, por, të dhënat alternative, mbeten shqetësuese. Sipas një sondazhi të paradokohshëm, 48% e kosovarëve, po t’u epet rasti, do ta braktisin vendin. Ç’shpjegim sociologjik i jepet këtij skepticizmi kolektiv?

Sociologu Valter Nasufi për Gazeta e Re fenomenin e lidhë me kontekstin sociopolitik në vend. Sipas tij, ekzistojnë disa faktorë që e kanë shkaktuar tërë këtë:

<<Nga aspekti sociologjik janë të njohur dy lloj faktorësh kryesorë që i detyrojnë njerëzit të emigrojnë, si faktorët “push” edhe “pull”. Pra ata që janë faktorë shtytës të cilët kanë të bëjnë me gjendjen momentale të një vendi, respektivisht me situatën politiko-ekonomike, sociale e kulturore, që mbretëron në një vend të caktuar. Nga ana tjetër, është edhe aspekti tërheqës, ai i cili i nxitë njerëzit të largohen në vendet e tjera për të përmirësuar jetesën e tyre, duke shkuar në vende më të pasura dhe me një ekonomi më të mirë se sa vendi i tyre. Njerëzit mësyjnë vendet më të zhvilluara se sa vendi i origjinës, dhe kjo i tërheq ata që të marrin iniciativë për t’u larguar nga vendlindja. Ndërkaq, kur flasim për pesimizmin si fenomen i shfaqur te popullsia shqiptare sidomos tek të rinjtë të cilët kërkojnë të ikin, është si pasojë e humbjes së shpresës. Kjo vjen për arsye se njerëzit nuk po besojnë më në institucione në përgjithësi dhe as tek politikanët në veçanti. D.m.th në tërësi nuk mendojnë se gjendja mund të ndryshojë ndonjëherë. Apo siç kemi dëgjuar shpeshherë shprehjen e njohur popullore, “nuk bëhet ky vend!”. Është pikërisht kjo lloj episteme që qëndron fuqishëm në thelb të mentalitetit të shqiptarëve. Ngase, janë zhgënjyer tërësisht nga politikanët dhe politikat e ndjekura prej tyre. Por edhe opozita nuk duket se po jep një lloj alternative për shpresë të mirëfilltë që qytetarët të besojnë që kur të ndodhë rrotacioni politik, gjendja e vendit të mund të ndryshojë.>>

Penetrimi i zhgënjimit në thellësi të shpirtit të shoqërisë, domosdo ndërlidhet me punën e dobët të të zgjedhurve të popullit, sipas Nasufit:

<<Qytetarët janë zhgënjyer edhe prej institucioneve që drejtohen nga njerëz që janë të lidhur me  politikën, respektivisht nga njerëzit me ndikim. Ata shohin që secili do të përfitojë për vete, apo vetëm grupi i tyre në të cilin bëjnë pjesë dhe për rrjedhojë nuk mendojnë për interesin e përgjithshëm. Gjithashtu një tjetër mendësi qytetare e cila mbretëron është se krejt njerëzit korruptohen dhe korrupsioni ka arritur në nivelet më të larta ne çdo pore të shoqërisë. Shqetësimi i qytetarëve, si të thuash, është i arsyeshëm, sepse nuk mund të mbarosh punë nëse nuk kryen favore apo nëse dikush nuk kurruptohet, prej sportelistit te kreu që ndodhet në maje të institucionit, qoftë ai publik apo privat. Këto edhe shumë të tjera, shkaktojnë at ndjenjë pesimizmi që e këpusin shpresën që në gjenezë. Sigurisht edhe niveli i ulët i arsimimit, është njëri ndër faktorët sikurse edhe pasiguria individuale dhe e pronës…>>.

Sipas tij, ka një mori faktorësh sociologjik që i detyrojnë qytetarët të mendojnë alternativa të tjera, më të mira, të jetesës. Sipas raporteve nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), nuk ka shumë sektorë që ofrojnë mundësi punësimi, ndonëse më shumë se dy të tretat e popullsisë, janë qytetarë që janë të aftë për të kryer punë, ndërkohë që shkalla e lartë e papunësisë, në tremujorin e parë, ishte afro 30%, respektivisht 26.5%. Sektorët, në të cilët të rinjtë gjejnë mundësi më të shpeshta punësimi janë: ai i ndërtimtarisë, bujqësisë dhe arsimit. Të pashpresë janë ata që specializohen në fusha të veçanta, kuadrin e rrallë, për të cilin ka nevojë shumë BE./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet