Dijetarët muslimanë bëjnë thirrje për “Ditën e mbështetjes” për Al-Aksën

Unioni i Dijetarëve Muslimanë bën thirrje që të premten ta dedikojë si ditë e mbështetjes për Xhaminë Al-Aksa kundër praktikave izraelite.

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë (IUMS) ka bërë thirrje që e premtja, 12 mars, të dedikohet si një ditë e mbështetjes për xhaminë Al-Aksa të Kudsit.

Në një deklaratë, Unioni me bazë në Doha tha se “Mbështetja e Al-Aksës dhe çlirimi i Kudsit të okupuar është një detyrë dhe domosdoshmëri fetare”.

IUMS tha se praktikat izraelite të shkatërrimit të shtëpive dhe zhvendosjes së palestinezëve në Kuds përbëjnë krime kundër njerëzimit.

“Është detyra jonë ndaj njerëzve tanë në Palestinë t’i ekspozojmë këto krime dhe t’i dënojmë ato”, thuhet në deklaratë.

“Praktikat e okupatorit (izraelit) në Al-Aksa dhe Kuds kërkojnë nga populli (musliman) të ngrihet kundër okupimit dhe projekteve të tij dhe ta bojkotojë atë ekonomikisht, duke mos u normalizuar me të”, theksoi Unioni i Dijetarëve Muslimanë.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë këtë zonën e quajnë Mali i Tempullit, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohërat antike.

Muajin e kaluar, IUMS bëri thirrje që të shënohet Java Ndërkombëtare e Kudsit në 6-12, për të treguar mbështetje në luftën palestineze kundër okupimit izraelit disa dekadash.

Kudsi mbetet qendra e konfliktit në Lindjen e Mesme, ku palestinezët shpresojnë se Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, mund të shërbejë përfundimisht si kryeqyteti i një shteti të pavarur palestinez.

Kategoritë
BotaLajme