Dialogu e “kërcënon” sërish Kosovën

Askush nuk e mohon që perspektiva e Kosovës ndodhet në kuadër të Bashkimit Evropian. Por rruga deri në integrimin e plotë, ka ende shumë pengesa. Ndërsa vendet fqinje kanë bërë hapa shumë më progresiv, republika jonë ka ngecur në një izolim shumë më të madh, përderisa qytetarëve të saj u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë brenda shteteve të BE-së – shkruan Gazeta e Re.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, përkundër problemeve të shumta, kanë shumë më shumë gjasa që të integrohen më shpejt në BE, se sa Kosova. Së fundi pas një takimi me kryeministrat dhe ministrat e gjashtë vendeve të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, nga kabineti i Frederica Mogherini-t është lëshuar një kumtesë ku ndër të tjera thuhet se këto vende «shprehën mbështetje për hapjen e negociatave integruese të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke theksuar se ky vendim është krucial jo vetëm për këto dy vende, por edhe për tërë rajonin».

Për Kosovën, pengesë mbetet raporti i saj me Serbinë. Negociatat ndërmjet të dyja vendeve, medoemos duhet të vazhdojnë, menjëherë pas formimit të qeverisë së re, dhe kjo mbështetet nga të gjitha vendet.

Kyle Scott, Ambasador i ShBA-ve në Beograd, tash në përfundim të mandatit të tij prej diplomati, në një intervistë për mediumin serb ‘Blic’, ndër të tjera ka thënë që roli i ShBA-ve nuk është më i rëndësishëm se sa përpjekja që mund të bëjnë të dyja vendet për t’u pajtuar dhe për ta zgjidhur problemin një herë e përgjithmonë.

«SHBA-ja kohë më parë ka emëruar emisarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe ai është i përkushtuar që të ndihmojë të dy palët në mënyrë që të ecin përpara. Mirëpo, mos prisni nga SHBA-ja që të dëshirojë më shumë se ju vetë në rajon» transmeton Koha.net. Për më shumë, ai ka këshilluar që Serbia të ndalojë menjëherë lobinin e saj në shtete të ndryshme, për t’i tërhequr njohjet ndaj Kosovës. Asgjë, sipas tij, nuk mund të ndihmojë përpjekja për ta përulur partnerin në procesin e bisedimeve.

Që negociatat duhet të vazhdojnë, këtë e thonë të gjithë. Mirëpo të debatueshme kanë qenë idetë të cilat janë projektuar tash e sa kohë, për ta tejkaluar problemin. Është kritikuar, edhe nga pjesa më e madhe e vendorëve, sidomos ideja e ndryshimit, lëvizjes apo shkëmbimit të territoreve.

Në një intervistë dhënë Kohën Ditore Nicholas Abbot, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, e ka vënë theksin pikërisht tek rrezikshmëria e këtyre ideve.

«Ne besojmë se ndryshimet e këtyre kufijve do të destabilizonin vendin, si dhe pjesë të tjera të rajonit dhe do të mund të dëmtonin sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit».

Fati i republikës për sa iu përket raporteve të saj me BE-në, duket qartë, është i predisponuar që të kalojë nëpër marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Por të gjitha problemet ekonomike, sociale e politike, vet integrimi i plotë në BE, nuk i zgjidh të gjitha problemet. Seb Bytyqi, njohës i këtyre proceseve, në një intervistë dhënë portalit thealbanian.co.uk ka thënë ndër të tjera se:

«Tri dekadat e fundit duhet të shërbejnë si mësim se zhvillimi politik, institucional e ekonomik vije nga brenda me dialog të brendshëm, reforma të brendshme dhe forcim të prodhimit të brendshëm. Shqiptarët duhet të veprojnë sikur të mos ekzistonte BE-ja dhe fuqitë tjera. Mos të mashtrohemi me idenë se anëtarësimi në BE do të na i zgjidhë problemet.»

Vlen të thuhet që përkundër hapjes së fushatës së parakohshme, politikanët vendorë, duke i përfshirë edhe vet kandidatët për kryeministra, shumë rrallë i kanë bisedimet me Serbinë, liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE. Diskursi i tyre, përveç me akuza të ndërsjella, karakterizohet edhe nga premtime të shumta që më shumë kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe luftimin e korrupsionit./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet