Diabeti një problem në rritje

Diabeti konsiderohet tashmë një sëmundje globale, pra një pandemi. Ajo vjen në shprehje si pasojë e mungesës së insulinës, përkatësisht paaftësisë së trupit për ta prodhuar atë ose, ose në disa raste, edhe nëse ka prani të këtij hormoni, qelizat nuk reagojnë dhe nuk tregojnë ndjeshmëri. 14 nëntori, ndryshe, njihet edhe si dita e diabetit – shkruan Gazeta e Re.

Portali zyrtar i Kombeve të Bashkuara (KB), nëpërmjet një artikulli njofton që në vitin 2014, 422 milionë njerëz të rritur janë identifikuar të jenë prekur nga diabeti në nivel global, krahasuar me 108 milionë sa qenë identifikuar në vitin 1980. Sipas këtyre të dhënave, prevalenca globale e diabetit është dyfishuar që nga viti 1980, duke u rritur nga 4.7% në 8.5%.

“Kjo pasqyron një rritje të faktorit të rrezikut që ka të bëjë me mbipeshën ose obezitetin. Por gjatë dekadës së fundit, prevalenca e diabetit është rritur më shpejt në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare sesa në vendet me të ardhura të larta” – thuhet më tej në këtë artikull.

Në Kosovë, nuk ka një statistikë zyrtare për të prekurit nga kjo sëmundje, por sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i përgjithshëm i shërbimeve të ofruara nga Qendrat e Mjekësisë Familjare për vitin 2017 ishte 18,763,237, ku prej tyre vizita në Mjekësi Familjare  ishin  688,301, vizita  stomatologjike ishin 384,655, shërbime laboratorike ishin 855,675 si dhe intervenca dhe shërbime  të veçanta ishin 6,006,009. Në kuadër të këtyre shërbimeve të ndryshme, është një numër në rritje për sa u përket pacientëve që ankohen nga diabeti.

Pasojat e kësaj sëmundjeje janë të rënda. Ajo konsiderohet si shkaktarja kryesore e verbërisë, dështimit të veshkave, sulmit në zemër, goditjes dhe amputimit të gjymtyrëve të poshtme.

Në vitin 2007 Asambleja e Përgjithshme e KB, miratoi rezolutën A / RES / 61/225 që përcaktoi 14 Nëntor si Ditën Botërore të Diabetit. Dokumenti njohu “nevojën urgjente për të ndjekur përpjekjet multilaterale për të promovuar dhe përmirësuar shëndetin e njeriut, dhe për të siguruar qasje në trajtim dhe edukim shëndetësor”.

Rezoluta gjithashtu nxiti Shtetet Anëtare të zhvillojnë politika kombëtare për parandalimin, trajtimin dhe kujdesin e diabetit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të tyre të kujdesit shëndetësor.

Mjekët specialistë, dietologët e nutricistët thonë se dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe shmangia e përdorimit të duhanit mund të parandalojnë ose vonojnë diabetin e tipit 2. Përveç kësaj, diabeti mund të trajtohet dhe pasojat e tij të evitohen ose vonohen me ilaçe, kontrollim të rregullt dhe trajtim për komplikime.

Sipas disa të dhënave, 3% e fëmijëve gjatë kontrolleve mjekësore të kryera në shkollat e kryeqytetit, kanë rezultuar të vuajnë nga mbipesha.

Dr. Rabie Mustafi në artikullin e saj: ‘Çfarë është diabeti?’, të publikuar te sajti Familja dhe Shëndeti, ndër të tjera shkruan se identifikimi i kësaj sëmundjeje, bëhet nëpërmjet disa simptomave. Sipas saj ato janë:

“Etje, urinim i shtuar, uri e tepruar, rënie e pashpjegueshme në peshë, tharje e gojës etj. Glikemia (sheqeri në gjak), nëse është mbi 11,1 mmol/l. Glikemia esëll nëse vlera e sheqerit në gjak të paktën 8 orë pas ngrënies është mbi 7 mmol/l, ndërkohë që, vlerat normale janë nga 3,5 deri më 6,4.”

Mustafi, sikurse edhe specialistët e tjerë, këshillon të gjithë ata të cilët ballafaqohen me këto probleme, të paraqiten sa më parë te mjeku, meqë identifikimi i hershëm i kësaj sëmundje, mund të jetë vendimtar për shumë gjëra./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet