Dhunës që mund t’ia shohim sherrin

Gëzimi dhe entuziazmi i kosovarëve pas pranimit në UEFA e FIFA po zbehet nga problemet e shumta që karakterizuan futbollin kosovar. Infrastruktura sportive është shumë larg standardeve që kërkojnë këto organizata, ndërkohë që afati për licencimin e klubeve po afrohet.

Përveç kësaj, kohën e fundit u zbuluan edhe disa skandale të manipulimeve të ndeshjeve e si për të mos mjaftuar, pati edhe dhunë e arrestime nëpër stadiume.

Së fundi një gazetar u sulmua me gurë gjatë një ndeshje, ndërsa dje u arrestua lojtari i Klubit Futbollistik, Prishtina, Liridon Leci. Në një video të publikuar ky i fundit shihet duke u tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës.

Gazetari me përvojë shumëvjeçare në sport, Xhavit Kajtazi në një prononcim për Gazeta e Re thotë se dhuna e shfaqur gjatë ndeshjeve e dëmton imazhin e Kosovës dhe si e tillë është e papranueshme.

“Ku ka zë, s’ka pa gjë! Jo vetëm në Kosovë, po gjithandej rruzullit dhuna në sport, për fat të keq tonin dhe pa dëshirën tonë, është shfaqur hove-hove, qoftë si dukuri, qoftë si fenomen,  që prore ia ka prishur hijeshinë dhe misionin sportit. Madje, po kjo dhunë, ka ditur të shfaqet tejet e vrazhdë dhe me pasoja të rënda për pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë, që nga sportistët e deri tek tifozët”,  thotë Kajtazi.

Sipas tij është shumë e rëndësishme që të merren masat parandaluese, në mënyrë që dhuna të mënjanohet qysh në shkëndijat e para të saj,  që të mos përshkallëzohet dhe të shndërrohet në pasoja në njerëz dhe dëme në infrastrukturë.

Duke qenë se me dhunë e me infrastrukturë të dobët nuk plotësohen kriteret e vendosura nga UEFA e FIFA për ndeshje ndërkombëtare, Kajtazi vëren organet tona shtetërore duhet të merren me këto raste.

“Fajtor është ai që e shkakton. Edhe ata që e shkaktojnë. Pra, qoftë individi, qoftë grupi. Ka persona të papërgjegjshëm që ngrisin krye sa herë që shfaqen pamje dhune dhe përshkallëzimi i saj shoqërohet me rrahje përmasash gjithëfare, që nganjëherë nisin ende pa filluar ndeshja, gjatë ndeshjes, madje edhe pas saj, duke u shtrirë edhe nëpër udhët e qytetit. Policia e specializuar, si kudo në botë, edhe në Kosovë, ka mundësi dhe kapacitete të mjaftueshme që t’i kontrollojë deri në shpartallimin e tyre, dhe kapjen e të gjithë atyre që shkaktojnë dhunë, për t’i vënë të gjithë para drejtësisë”, shton Kajtazi.

Sociologu Albert Mecini shpjegon cilët janë faktorët e mundshëm si pasojë e të cilëve në futbollin dhuna jo rrallë është prezente. Sipas tij, rastet e dhunës mund të pasohen nga sanksione nga UEFA e FIFA.

“Fillimisht duhet përmendur se periudha e gjatë kohore, deri te ndërkombëtarizimi i futbollit të Kosovës, ka shkaktuar rënie të interesimit të sportdashësve për ta përcjellë futbollin. Si pasojë ne kemi një mungesë të vetëdijesimit sportiv në mesin e tifozerive dhe simpatizantëve, me fjalë tjera kemi deficit të kulturës sportive. Po të përcjellim me kujdes strukturën e tifozerive nëpër stadiume, do të vërejmë se grupet ultra dominojnë me prezencën e tyre, dhe në shumicën e rasteve janë shkaktarë të incidenteve. Nëse prezenca e dhunës nëpër stadiumet e futbollit nuk ndërpritet, atëherë do të ballafaqohemi me degradim të imazhit sportiv të futbollit të Kosovës, me ç’rast mund të rrezikojmë sanksione dhe penalizime nga instancat e ndërkombëtare të futbollit siç janë UEFA dhe FIFA”, thotë Mecini për Gazeta e Re.

Sipas tij, organizimi të ndeshjeve nuk është në nivel dhe mungon koordinimi i përfaqësuesve të klubeve dhe të tifozerive me organet e rendit.  Veç kësaj ai thotë se masat ndëshkimore që po merren nga ana e federatës, nuk po rezultojnë si të duhur duke shtuar se në disa raste, infrastruktura e dobët nëpër stadiume ndikon në parandalimin dhe menaxhimin e incidenteve.

Nga ana tjetër, Federata e Futbollit të Kosovës shumë herë ka shprehur pakënaqësi ndaj organeve shtetërore, që sipas tyre po i ngelizhojnë thirrjet e UEFA-s e FIFA-s për investime në infrastrukturë. Ndërkohë që po bëhet një vit nga pranimi në këto organizata,  Kosova ende nuk e kem një stadium të kategorisë së dytë, në të cilën klubet mund t’i zhvillojnë ndeshjet ndërkombëtare./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreSportTema e DitësVendi

Të ngjajshmet