Dhuna në familje, një e keqe që duhet çrrënjosur

Tranzicioni politik nëpër të cilin ka kaluar shoqëria Kosovare, duke e ndërruar kështu sistemin politik nga ai socialist e njëpartiak, në pluralist dhe shumëpartiak, i ka pasur kostot e veta edhe në rrafshin kulturor – thonë specialistët e fushave. Në këtë pikë, dhuna në familje, përbënë një të keqe e cila ende nuk është kuruar – shkruan Gazeta e Re.

Ditën e djeshme, Këshilli i Bashkësisë Islame të Podujevës (KBI-Podujevë), me sugjerimin e Stacionit Policor në Podujevë (KP), në xhamitë e rajonit të Llapit është ligjëruar rreth çështjes së dhunës në familje. Kjo përveç që konfirmon koordinimin e institucionit të KBI të Podujevës, me policinë, flet që edhe prezenca e dukurisë së dhunës në familje, edhe në këtë pjesë të Kosovës, është mjaft e lartë.

Statistikat në fakt, tregojnë që rastet e dhunës në nivel të Kosovës, janë mjaft të larta. Vetëm brenda një viti janë shënuar mbi dhjetëra raste,  ku viktima kanë qenë gratë. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, vetëm brenda këtij viti janë raportuar mbi 785 raste ku 620 prej tyre viktimat kanë qenë femrat. Ekspertët e fushave relevante si: psikologët e sociologët, konsiderojnë që problemi është edhe kulturor. Mendësia patriarkale e një pjese të shoqërisë, duhet të ndryshojë medoemos.

Për sociologun Ferdi Kamberi, ky fenomen negativ, është në një mënyrë edhe produkt i shoqërisë. Në një intervistë për Gazeta e Re ai ka thënë se edhe konteksti i brishtë ekonomik, si dhe faktorë të tjerë, ndikojnë në përhapjen e saj si dukuri:

«Dhuna si fenomen social është produkt i shoqërisë e cila e përcjellë atë në çdo segment të jetës. Të dhënat flasin se në Kosovë kemi mbi 1000 raste të dhunës brenda një viti dhe si fenomen përbënë një ndër sfidat serioze të shoqërisë kosovare në këtë periudhë tranzicioni. Madje, nga OSCE është cilësuar se 13 vdekje të grave kanë ndodhur vetëm gjatë periudhës janar-shtator 2018 në Kosovë, gjë që është shqetësuese për shoqërinë. Me siguri se kjo ka ardhur nga disa faktorë, si: mungesa e komunikimit e cila ka dalë si nevojë emergjente për riparimin e raporteve në mes të bashkëshortëve. Një gjë e tillë është vërejtur dukshëm edhe gjatë bashkëbisedimit me shumë çifte të cilat kanë pasur raste të dhunës në familje, pastaj faktorët individual të cilat ndërlidhen ngushtë me përdorimin e substancave psiko – aktive, përdorimi i alkoolit, lojërat e fatit që tashmë e një kohë janë shndërruar në trend, me gjithë faktin që qeveria e Kosovës ka nxjerrë ligjin për mbylljen e tyre. Pastaj, faktorët socio – ekonomik, papunësia e cila ka prodhuar një varfëri të lartë, mungesa e pavarësimit ekonomik të gruas, toleranca ndaj dhunës në familje, e të tjera. Problemet shfaqen më tej, sidomos në periudhat afatgjate, ku për pasojë do të kemi: një numër të lartë të divorceve, krizë në familjen bërthamë, aborte të panumërta, depresion, mungesë të integrimit shoqëror, si dhe pasoja të tjera.

Gruaja edhe pse është shtyllë kryesore e familjes, komunitetit, shoqërisë dhe shtetit, ajo sot ballafaqohet me shumë probleme të theksuara që nga dhuna për të cilën folëm shkurtimisht më lartë, e deri tek ngacmimi seksual. Pastaj portretizimi i saj në media vetëm si objekt seksual dhe mos ndarja e trashëgimisë në bazë të barabartë, ku të dhënat flasin se deri më tani kemi rreth 18% të grave të cilët kanë përfituar nga ndarja e trashëgimisë, gjë që është tepër e ulët në krahasim me përqindjen (%) e grave të cilët jetojnë në Kosovë. Konsiderojmë se si shoqëria po ashtu edhe institucionet relevante, duhet dhënë kontribut më shumë në aspektin e krijimit së pari të një drejtësie sociale dhe së dyti involvimin e gruas në poret tjera të jetës, me qëllim që edhe ajo të jep kontributin e saj në zhvillimin e vetë shoqërisë dhe shtetit. Shoqëria shqiptare duhet kuptuar njëherë e mirë që gjërat nuk mund të zgjidhen përmes dhunës, ato duhet zgjidhur përmes komunikimit, bashkëpunimit dhe sjelljes së mirë.»

Mirëqenia sociale, me një fjalë stabiliteti ekonomik, do t’i ndihte familjet kosovare t’i ngritin standardet, dhe kjo t’i ndihmojë edhe gratë në forcimin e pozicionit të tyre social e ekonomik të tyre. Deri atëherë të gjithë aktorët duhet të angazhohen për ta ngritur edhe nivelin e vetëdijes në përgjithësi./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet