Dhjetor, mjegull mbi Republikën e Kosovës

Opozita sikur ka hequr dorë nga përpjekjet e saj për ta vënë nën kontroll të parlamentit Presidentin Hashim Thaçi. Ndonëse pat paralajmëruar protesta të tjera kundër vetiniciativës së tij për të dialoguar në emër të Kosovës, ato nuk u organizuan asnjëherë. Ndërsa të gjithë po shpresojnë që në vitin tjetër, të ndodhin “mrekullitë” – shkruan Gazeta e Re.

Presidenti autokrat, i një Republike Parlamentare

Futja në agjendë e rinegociimit të kufijve, ndryshimit apo këmbimit të tokave në kuadër të procesit të bisedimeve me Serbinë, nuk erdhi menjëherë në shprehje, përderisa Presidenti Hashim Thaçi provonte ta siguronte besimin e deputetëve në parlament. Por kur koalicioni qeverisës i prirë nga Kryeministri Ramush Haradinaj ia dha dritën e gjelbër, opozita e kundërshtoi ashpër atë. Por duke qenë e çakorduar, ajo kurrë nuk ia doli ta nënshkruante me vulë parlamentare një rezolutë që do t’ia kufizonte presidentit veprimet në kuadër të negociatave.

Protesta e 29 shtatorit, të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arritën t’ia ndryshojnë agjendën Presidentit Thaçi, i cili edhe sot e kësaj dite vijon ta ripërtypë idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Në mënyrë indirekte këtë e ka përmendur edhe së fundi, ndërsa ndodhet në një vizitë në ShBA.

Edhe me senatorin republikan, Marco Rubio, biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve” ka njoftuar presidenti, duke i përsëritur fjalët e njëjta, pas takimit paraprak që e realizoi me senatoren Joni Ernst.

Ndonëse agjenda e bisedimeve e presidentit, nuk është bërë e qartë plotësisht asnjëherë, ajo që ai ka e zbuluar nëpërmjet konferencave të shtypit, intervistave apo njoftimeve në rrjetet sociale, ka mjaftuar që një pjesë e krerëve të shtetit, të pozicionohen kundër idesë së tij. Kryeministri Haradinaj, por edhe partneri i tij kryesor qeveritar Kadri Veseli, e kanë kundërshtuar ashpër idenë e presidentit për shkëmbime territoriale. Mbahet mend intervista e këtij të fundit për agjencinë shtetërore gjermane të lajmeve DPA, kur qe shprehur qartë: “…shkëmbimi (i territoreve), nuk është opsion!”.

Ndryshe nga Veseli, i cili si pasardhës i Thaçit në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, ende po orvatet ta largojë ndikimin e tij të fortë brenda në parti, Kryeministri Haradinaj ka qenë i zëshëm dhe nuk ka hezituar ta përsëris qëndrimin e tij kundër idesë së shkëmbimeve.

Të thyer dhe të mundur

Ndonëse Neni 4, pika 4 e Kushtetutës së Kosovës, e bënë të qartë ndarjen e pushtetit teksa sqaron se:

Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar” – Parlamenti i Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk arriti të tregojë epërsinë institucionale që ia garanton kushtetuta. Shpërfillja e këtij institucioni, së pari nga ana e presidentit, çoi deputetët drejt një përplasjeje, duke bërë që opozita t’i braktisë seancat njërën pas tjetrës dhe kështu duke e thelluar edhe më tej krizën politike në vend.

Udhëheqësit e partive opozitare, duke mos qenë tërësisht unik në kauzën e tyre kundër rrezikimit të sovranitetit, s’kanë pushuar së kërcënuari mazhorancën me rrëzim nga pushteti. Por dhjetori po e dëshmon seriozitetin e këtyre kërcënimeve. Intensifikimi i aktiviteteve partiake, i kombinuar me kërcënimet në adresë të koalicionit qeverisës, krijoi përshtypjen që Qeverinë Haradinaj nuk do ta zinte dimri në pushtet.

Veç situatës kaotike, tensioneve brenda në parlament, këto “sulme virtuale” asgjë nuk prodhuan. Megjithatë, Lista Serbe, e cila që në krye të herës u cilësua si një ndër pikat më të dobëta të koalicionit qeverisës, mund t’ua kryej një shërbim opozitarëve, po qe se jep dorëheqje nga koalicioni qeverisës. Në fakt ky subjekt politik, ka qenë një opozitë për vet mazhorancën, ndërsa për opozitën nuk është parë kurrë si një aleat politik i besueshëm. Por zhvillimet e fundit, duket se i kanë revoltuar udhëheqësit politikë serbë, të cilët hapur manifestojnë lidhjet e tyre me Beogradin. Së këndejmi mund ta vënë në pikëpyetje vazhdimin e bashkëpunimit të tyre me partnerët e tjerë qeveritarë. Është më se e qartë që viti i ri, Republikën tonë do ta gjejë me probleme të mëdha. Nga projektet e mëdha si: formimi i ushtrisë, anëtarësimi në Interpol, liberalizimi i vizave etj, vetëm i pari është nisur mbarë. Prandaj këto duket që do të shndërrohen në barrë të rënda të cilat qeveria aktuale nuk do të mund t’i mbajë gjatë./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet