Dhjetëra mijëra mbështetës të Trumpit protestuan në Washington

Një javë pasi demokrati, Joe Biden, fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, dhjetëra mijëra mbështetës të presidentit, Donald Trump, marshuan në Uashington, për të protestuar ndaj rezultateve, dhe për t’i bërë jehonë pretendimeve të tij – të pabazuara – për mashtrim zgjedhor.

Duke mbajtur flamuj dhe të veshur me kapele të stolisura me parullën e Trumpit “Make America Great Again – MAGA” (fraza e presidentit: E bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme), demonstruesit marshuan nga një shesh afër Shtëpisë së Bardhë deri te Gjykata Supreme. Njerëzit brohorisnin “USA, USA” dhe “katër vjet më shumë” dhe mbanin shenja që shprehnin pakënaqësi me procesin e votimit.

Trump shkroi në Twitter në lidhje me marshimin. Ai akuzoi mediat se nuk e kanë mbuluar atë. Në fillim të ditës ai kaloi para marshuesve me autokolonën e tij, duke buzëqeshur dhe duke i përshendetur. Trump po shkonte për të luajtur golf.

Marshimi, i cili përfshiu anëtarët e grupit të ekstremit të djathtë “Proud Boys” (Djemtë Krenarë), ishte kryesisht paqësor gjatë ditës, por natën disa kundër-demonstrues dolën në rrugë dhe iu drejtuan mbështetësve të Trumpit me thirrjet: “Ju keni humbur!”.

Demonstrata kundër fitores së ngushtë të Bidenit, u mbajtën më 14 nëntor edhe në Florida, Miçigan dhe Arizona. Biden është projektuar si fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit bazuar në fitoret në mjaft shtete duke siguruar më shumë se 270 vota të Kolegjit Zgjedhor. Por, Trump ende nuk e ka pranuar rezultatin.

Ai dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash ligjore, pavarësisht se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se ata nuk panë prova të parregullsive serioze. Trump ende nuk e ka mbajtur fjalimin e zakonshëm të humbjes, dhe është zotuar të vazhdojë me kundërshtimin. Avokatët e tij kanë filluar një seri betejash të ashpra ligjore kundër rezultateve në disa shtete dhe deri më tani nuk kanë arritur ndonjë sukses

Për të siguruar rizgjedhjen, Trump do të duhet të përmbysë epërsinë e Biden në disa shtete, një rezultat që shumica e analistëve thonë se nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Fushata e Trump megjithatë shënoi një fitore ligjore më 14 nëntor kur një gjykatës i Pensilvanisë urdhëroi qarqet të mos numërojnë një numër të vogël të fletëvotimeve me postë, ose të rasteve kur votuesi nuk paraqiti identifikimin e vlefshëm në kohë.

Numri i fletëve të votimit besohet të jetë disa mijëra, të cilat janë shumë pak për të ndryshuar rezultatin në Pensilvani, ku Biden mban një epërsi prej rreth 55,000 votash. Gjykatat në Pensilvani dhe dy shtete të tjera – Arizona dhe Miçigan – kanë hedhur poshtë padi të tjera. Zyrtarët e lartë federalë dhe shtetërorë, përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve thanë më 12 nëntor se nuk kishte “asnjë provë” që votat në ndonjë mënyrë ishin të komprometuara ose të ndryshuara.

Rrjetet televizive amerikane më 13 nëntor parashikuan rezultatet në dy shtetet e fundit të padeklaruara, duke thënë se Biden fitoi Xhorxhian në një garë jashtëzakonisht të afërt, dhe Trump siguroi fitore në Karolinën e Veriut.

Nëse rezultatet nga Xhorxhia qëndrojnë, Biden do të ketë një epërsi të gjerë 306-232 ndaj Trump në Kolegjin Zgjedhor.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet