Dhjetëra hebrenj ultra-ortodoksë protestojnë kundër shërbimit ushtarak në Izrael

Hebrenjtë Haredi të cilët përbëjnë rreth 13 për qind të popullsisë izraelite, refuzojnë të kryejnë shërbimin ushtarak

Dhjetëra hebrenj Haredi në Izrael mbajtën protestë në Kuds kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak, transmeton Anadolu.

Siç raporton “Times of Israel”, dhjetëra hebrenj ultra-ortodoksë bllokuan rrugën përpara Zyrës së rekrutimit ushtarak në Kuds dhe i vunë flakën një koshi të plehrave.

Gjatë protestës hebrenjtë Haredi brohoritën me slogane të tilla si “Preferojmë të vdesim sesa të shërbejmë në ushtri”.

Hebrenjtë Haredi të cilët përbëjnë rreth 13 për qind të popullsisë izraelite, refuzojnë të kryejnë shërbimin ushtarak, duke pretenduar se ia kanë kushtuar jetën e tyre edukimit të Torës dhe se integrimi në shoqërinë laike kërcënon identitetin e tyre fetar.

– Debati për rekrutimin e hebrenjve Haredi

Sipas ligjit izraelit të gjithë personat mbi 18-vjeç duhet të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak ndërsa përjashtimi i burrave Haredi nga shërbimi ushtarak ka qenë debat në vend për vite me radhë.

Më 25 qershor 2024, Gjykata Supreme e Izraelit vendosi se përjashtimi i burrave Haredi nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk ka bazë ligjore dhe se duhet të rekrutohen ata që janë të përshtatshëm.

Është njoftuar se qeveria u ka dërguar rekrutime afërsisht 24 mijë burrave Haredi që janë të përshtatshëm për rekrutim në shërbimin ushtarak dhe se për vitin e shërbimit ushtarak 2025-2026 duke nisur që nga korriku do të lëshonte urdhra për pjesën tjetër të grupit.

Për shkak të dështimit për miratimin e ligjit që përjashton hebrenjtë Haredi nga shërbimi ushtarak, partnerët e koalicionit Haredi të kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftuan dorëheqjen e tyre nga qeveria dhe filluan bojkotimin e seancave parlamentare.

Kategoritë
BotaLajme