Hetimet mbi rastin tronditës të “snajperistëve të fundjavës”, që gjatë rrethimit të Sarajevës paguanin forcat serbe për të qëlluar mbi civilët, kanë hyrë në një fazë të re.
Sipas dëshmisë së një ish-agjenti të shërbimit të inteligjencës së Bosnjës, agjencia ushtarake e inteligjencës italiane SISMI kishte dijeni për ekzistencën e asaj që quhej “safari lufte”. Edhe më shqetësuese, ata e dinin se baza nga e cila niseshin mercenarët italianë ndodhej në Trieste.
Agjencia italiane ishte në dijeni për qytetarët italianë që paguanin për të qëlluar mbi civilët në Sarajevë, dëshmon ish-agjenti. “Shërbimet boshnjake mësuan për ‘Safarin’ në fund të vitit 1993. Gjithçka ndodhte gjatë dimrit të viteve 1993/94. Ne e njoftuam SISMI-n në fillim të vitit 1994”, tha ai për gazetën italiane La Repubblica.
Dy muaj më vonë, përgjigjja e SISMI-së ishte e qartë: “Kemi zbuluar se ‘Safari’ niset nga Trieste. Operacioni është ndërprerë dhe nuk do të përsëritet më.”
Këtë e ka deklaruar ish-agjenti i inteligjencës së Bosnjës, i njohur me inicialet E.S., i cili ndodhet në listën e dëshmitarëve që prokuroria e Milanos planifikon të thërrasë për të hedhur dritë mbi ngjarjet e rrethimit të Sarajevës (1992–1996). Sipas hetimeve, grupe italianësh kishin marrë pjesë në të ashtuquajturin “turizëm lufte”, duke paguar për të qëlluar mbi civilë të paarmatosur nga kodrat që rrethonin qytetin.
Pas këtij komunikimi, thotë dëshmitari, mes dy shërbimeve të inteligjencës nuk pati më diskutime, megjithëse kontaktet ishin të rregullta. “Nuk morëm kurrë emrat e gjuetarëve apo organizatorëve, por besohet se ekziston një dokument i SISMI-së që konfirmon se në fillim të vitit 1994 u zbulua baza në Trieste dhe operacioni u ndërpre.”
Në hetimin e udhëhequr nga prokurori Alessandro Gobbis në Milano, çështja trajtohet si vrasje me elemente mizorie dhe motive të ulëta. Po përpiqen të identifikohen të paktën pesë persona, ndonëse dyshohet për më shumë, që çdo të premte niseshin nga Milano, Torino, Veneto e Friuli drejt Triestes, prej nga udhëtonin me avion për në Beograd dhe më pas me helikopterë ose rrugë tokësore drejt maleve përreth Sarajevës.
Të gjitha këto me ndihmën e pjesëtarëve të ushtrisë serbe, të cilëve u paguanin shuma të mëdha parash. Midis të dyshuarve janë ish-biznesmenë, mjekë, mercenarë – njerëz në të dyzetat dhe pesëdhjetat, pasionantë pas armëve dhe gjuetisë – siç tregohet edhe në dokumentarin “Sarajevo Safari” të autorit slloven Miran Zupanič.
Hetimi, i nisur pas kallëzimit të shkrimtarit italian Ezio Gavazzeni dhe me mbështetjen e avokatëve Nicola Brigida dhe Guido Salvini, shqyrton edhe mundësinë që snajperistët italianë të kenë vepruar nën “mbulesë humanitare”. Disa prej tyre, sipas dëshmive, udhëtonin me arsyetimin se po merrnin pjesë në konvoje ndihmash nga Milano dhe rajonet përreth për popullsinë e prekur nga lufta.
Operacioni ishte fshehur me kujdes. “Edhe sot, dëshmitarët janë nën presionin e shërbimeve të sigurisë serbe për të heshtur,” tregon ish-agjenti boshnjak. “Në film duhej të përfshihej rrëfimi i pilotit që transportonte ‘gjuetarët’ nga Beogradi në Bosnje, por ai u tërhoq para xhirimeve, pasi agjentët e BIA-s (shërbimi sekret serb) e kërcënuan se do t’i vrisnin familjen.”
Ish-kryetarja e Bashkisë së Sarajevës, Benjamina Karić, ka rikonfirmuar gatishmërinë për të dëshmuar. “Në gusht dorëzova kallëzimin penal në prokurorinë e Milanos përmes Ambasadës Italiane në Sarajevë. Hetimi është hapur dhe jam vënë në dispozicion si dëshmitare,” ka thënë ajo.
Karić thekson se, ndërsa Sarajeva pret të njihet si palë e dëmtuar, “hetimi duhet të zbulojë të vërtetën dhe autorët të dalin para drejtësisë”. Ajo kujton se “sipas një ish-agjenti slloven, disa prej tyre paguanin më shumë për të mundur të qëllonin mbi një fëmijë”.
Në Itali, hetimi për “snajperistët e fundjavës” mbetet i hapur. “Fjalët e regjistruara nga vetë autorët, pasanikë të sëmurë pas mizorisë, janë prova e një çmendurie çnjerëzore. Një ekip këmbëngulës po lufton që kjo çështje të mos mbetet thjesht në letra. Ne nuk do të dorëzohemi,” përfundon Benjamina Karić.

















