Dështimet e presidentit dhe faji i ndërkombëtarëve

Pasi që Presidenti Thaçi i fajësoi ndërkombëtarët për sa i përket çështjes së Gjykatës Speciale, duke thënë që e ka pranuar formimin e saj si kosto të një kompromisi (pasi i është premtuar nga ndërkombëtarët se do të bëhet liberalizimi i vizave, do të formohet ushtria dhe vendi do të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare etj), këta të fundit kanë reaguar duke ia atribuuar dështimet vet institucioneve të Kosovës – shkruan Gazeta e Re.

Në një prononcim dhënë për mediumin tonë analisti Blerim Burjani, bëri të ditur se, të dy palët janë përgjegjës, por më së shumti pala kosovare.

“Gjykatat gjithmonë janë të pavarura, pra nuk janë politike dhe nuk mund të këmbehen me procese tjera siç ka menduar Thaçi. Është mashtruar vet e thotë së është mashtruar nga bashkësia ndërkombëtare. S’ka gjë prej kësaj teme as nuk ka pas asnjëherë. Këto gjykata janë të pavarura dhe s’bëhet politikë me to. Ato janë të tipit hibrid, gjysmë profesionale dhe pa fakte. Këto gjykata hibride punojnë përgjatë procesit nëse nxjerrin fakte nëse jo nuk i përgjigjen askujt për dështimet dhe padrejtësitë”, është shprehur Burjani.

“Zakonisht, liderët primitivë, gjithmonë për gabimet e veta e kërkojnë fajtorin tek një faktorë i huaj. Edhe z. Thaçi në këtë rast, për shkak të dështimeve personale po e kërkon fajtorin tek bashkësia ndërkombëtare. Me shkurt, si për dështimet në politike, si në ekonomi, si në çfarëdo dështimi tjetër, fajtori kryesor është politika e keqe e Kosovës dhe gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhet vendi, është reflektimi më i mirë i saj” – thotë për Gazeta e Re Dimal Basha, njohës i çështjeve politike.

Edhe analisti Faik Krasniqi, deklaratën e Presidentit Thaçi e komenton si mashtrim të tij nga ana e ndërkombëtarëve. Ai mendon se oferta e tyre, ka qenë joshëse për Thaçin, prandaj është pajtuar me një kompromis të tillë. Por premtimet e tyre, nuk janë realizuar, mendon ai.

“Asnjëra prej këtyre nuk është përmbushur deri tash, ani se Specialja është themeluar prej më shumë se dy vitesh. Një deklaratë e tillë nga kreu i shtetit është një gjë e frikshme, që nënkupton se ky njeri ka bërë pazare politike me fatin e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Për dështimet në Kosovë, Thaçi akuzoi bashkësinë ndërkombëtare. Njeriu i cili ishte promotori kryesor i themelimit të Gjykatës Speciale, pas përçarjes dhe armiqësimit që ai ia bëri popullit të Kosovës, tash po dëshiron të na armiqësojë edhe me ndërkombëtarët. Padyshim që ky njeri është fajtori kryesor për të gjitha dështimet në Kosovë!”, nënvizoi Krasniqi.

Kurse analisti tjetër Florim Zeqa, tregon se Presidenti Thaçi përderisa ledhatohej dhe përdorej si vegël në duart e ndërkombëtarëve, mendonte se e tërë bota sillej rreth tij.

“Tanimë kur dështimet e Thaçit janë bërë dështime të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, presidenti përveçse fajëson ndërkombëtarët, ka filluar ta kuptoj të vërtetën e tij të hidhur,…për dështimet e tij me Gjykatën Speciale, bisedimet me Serbinë në Bruksel, Demarkacionin me Malin e Zi, e shumë dështime të tjera, vargu i të cilave është më i gjatë se sa përmasat e tij trupore”. Zeqa fajtorë i bënë ndërkombëtarët që e përdoren lidershipin e shantazhuar kosovar për interesat e Serbisë në Kosovë. “Për fajin e bashkërenduar të ndërkombëtarëve me lidershipin kosovar, po e pësojnë qytetarët e vendit, viktima të luftës dhe paqes, mbi kurrizin e të cilëve u pasuruan liderët shtetëror dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Presidenti Thaçi, vetëm me një kërkimfalje publike ndaj qytetarëve nuk mund të pastrojë ndërgjegjen, duhet të kërkoj edhe tërheqjen e nënshkrimeve të gabuara në marrëveshjet ndërkombëtare që gjunjëzuan Kosovën para varrmihësve të shtetit tonë”, thotë ai.

Kujtojmë që, fillimi i kësaj gjykate është mundësuar pas harmonizimit të Rregullores së Procedurës dhe Provave me Kushtetutën e Kosovës. Selia e Gjykatës është në Hagë të Holandës, kurse përbërja e saj është nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, si dhe do të financohet nga BE./Fahrije Bajrami/Gazetaere.com

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet