Deputetja e PDK-së: Vuçiqi po mundohet të shkaktojë tensione ndëretnike

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi po mundohet të shkaktojë tensione ndëretnike, pasi ky i fundit tha se nëse dialogu me Kosovën dështon atëherë do të rinisë një konflikt si në Armeni dhe Azerbejxhan, përcjell Ekonomia Online.

Deliu-Kodra tha se Vuçiqit po i pengon qetësia dhe maturia me të cilën janë duke e menaxhuar shqiptarët këtë situatë të krijuar me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Reagimi i plotë i Deliut:

Kërcënimi i Vuçiqit është provokim për të nxitur tensione të brendshme në Kosovë, sidomos ndëretnik. Atij po i pengon qetësia dhe maturia me të cilën janë duke e menaxhuar shqiptarët këtë situatë të krijuar me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe është duke tentuar ta shndërrojë mllefin e akumuluar në Kosovë në trazirë të brendshme duke cytur shqiptarët ndaj komunitetit serb. Ai është koshient se Serbia është shporrur njëherë e përgjithmonë nga Kosova, por nëpërmjet cenimit të serbëve kosovar nga shqiptarët synon të argumentojë dështimin e shtetit të Kosovës, për ta vënë në tavolinën e ndarjes mbi baza etnike.
NATO/KFOR është përgjigje konsistente e kërcënimeve nga Serbia me vetë praninë ushtarake në Kosovë.
Ata që duhet t’i reagojnë Vuçiqit janë ndërmjetësuesit evropian, të cilët inkurajojnë atë të deklarohet për Kosovën pa bartur konsekuencat. Kërcënimi i Vuçiqit është veprim i hapur për të shkaktuar trazira të brendshme ndëretnike në Kosovë dhe heshtja e ndërmjetësuesëve të dialogut është indikator se ndarja e brendshme e Kosovës mbi baza etnike mbetet në agjendën e tyre.
Ne duhet t’u protestojmë këtyre ndërmjetësues të dialogut, para së gjithash!

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet