Deputeti i VV-së për licencimin e Kelkosit: Krimi ka lëshuar rrënjët brenda institucioneve

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka thënë se krimi i organizuar ka lëshuar thellë rrënjët brenda institucioneve të vendit.

Abrashi ka reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, që vendosi t’i japë licencë 40-vjeçare Kelkosit për operim me dy hidrocentrale, në Deçan dhe Belaje.

“Në kushte kur Kuvendi i Kosovës ka formuar Komision Hetimor për çështjen e Hidrocentraleve, vazhdon i papenguar procesi i licencimit të tyre mbi baza të dyshimta ligjore. Në Komision Hetimor deputetët e pozitës dhe disa të opozitës sabotojnë kërkesën e drejtë për ndërprerjen e përkohshme të dhënies së lejeve dhe licencave deri në përfundimin e punës së Komisionit hetimor”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Sipas tij, me këtë rast janë shpikur rregulla fiktive që u mbivendosen dispozitave ligjore, vetëm për dhënie të licencave.

“Ministria lëshon leje mjedisore pa plotësim të kritereve, kurse ministri Kuqi gënjen haptas se nuk e ka bërë një gjë të tillë. Krejt kjo bëhet gjersa pasuria natyrore e Kosovës dëmtohet egërsisht dhe pa kthim në emër të profitit privat. Rast për burg!”, ka thënë Abrashi.

Kategoritë
LajmeVendi