Deputetët kritikojnë Hotin se nuk ka strategji për dialogun, ekip e as përmbajtje

Platforma, ekipi dhe fjala njohja reciproke, ka përplasur kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti me deputetët e partive opozitare në Kuvend.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka pasur kritika për kryeministrin Hoti rreth informatave që i ka ndarë për dialogun e zhvilluar në Bruksel me palën serbe.

Ismaili: Nuk kemi strategji, nuk kemi ekip, nuk kemi përmbajtje

 

“Nuk kemi strategji, nuk kemi ekip, nuk kemi përmbajtje. Pra, ne nuk jemi në gjendje në çfarë matrice me ju analizua juve dhe strategjinë tuaj, nuk e dimë çka po doni me analizua, përpos që po vjen dhe po thua unë e thash këto, këto, këto, dhe nënkuptimi i kësaj është që Serbia është pajtuar, mirëpo po ju tradhton Lajcaku ngapak, prandaj më e mirë është të jesh më transparent me Kuvendin. Mos të marrim lajme nga Lajçaku, të marrim nga kryeministri i vendit. Dialogu nuk është mes Avdullah Hoti dhe Serbisë, është mes Kosovës dhe Serbisë, nuk na ke armiq në Kuvend, na ke kundërshtar politik”, tha ai.

Në përgjigjen e tij, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se po u tregon pozicionin shtetëror të Kosovës për dy tema specifike që i kanë diskutuar me 16 qershor.

Hoti: Unë ju tregoj pozicionin shtetëror të Republikës së Kosovës për dy tema specifike

 

“Unë ju tregoj pozicionin shtetëror të Republikës së Kosovës për dy tema specifike që i kemi diskutuar me 16 qershor edhe shkova në detaje. Më thoni nëse keni ndonjë problem ose keni ndonjë vërejtje për pozicionin që kemi mbajtur ne si shtet i Kosovës për ato dy tema, unë besoj që është kaq e thjeshtë. Tash cili është pozicioni i Serbisë për ato tema dhe për plot tema të tjera unë nuk flas në këtë foltore. Është e qartë që ne kemi pozicione ekstreme, ne kemi hy në këtë dialog për njohje reciproke për normalizim të marrëdhënieve, ne kemi hy në këtë proces me kërkesë të miqve tanë për një proces që është i kufizuar në kohë dhe që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke mes dy vendeve, është kaq e thjeshtë, nuk ka asgjë përtej kësaj”, tha Hoti.

Sa i përket kritikës se pse në takim ka marrë pjesë vetëm shefja e kabinetit të kryeministri dhe jo ministri i Drejtësisë apo zëvendëskryeministrat, Hoti tha se niveli i takimit në Bruksel ka qenë 1 plus 1, që tha se është përfaqësuesi shtetëror dhe një staf teknik. Për këtë ati tha se nuk e ka marrë ministrin e Drejtësisë dhe dy zëvendëskryeministrat me i fut si staf teknik.

E një sugjerim për kryeministrin ka pasur përsëri deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, i cili i tha se më mirë ka qenë që në takim të ishte ministri i Drejtësisë Selim Selimi duke qenë se është edhe me prejardhje nga Presheva.

Ismaili: Më mirë është të jetë z.Selimi, është shqiptar i Preshevës pak i dhamin sytë Vuçiqit kur te sheh

 

“Parimisht për hir të transparencës më mirë është të jetë z.Selimi, është shqiptar i Preshevës pak i dhamin sytë Vuçiqit kur te sheh edhe gjithmonë e merr si shembull aty që ku e ke një person i cili gjithnjë është i shtypur në shtetin që ai e përfaqëson”, tha ai.

Në debat është përfshirë edhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi, i cili e ka pyetur kryeministrin se a ka qenë në tavolinë copëtimi i integritetit territorial.

Selimi: A ishte në tavolinë copëtimi i integritetit territorial

 

“A ishte në tavolinë copëtimi i integritetit territorial që ju referuat që tashmë nuk është. Është shumë më rëndë ta dimë nëse ishte a e keni hequr ju, sepse kur folët më herët thatë që tashmë nuk është integriteti territorial në tavolinën e bisedimeve”, tha ai.

Pyetje se çka nënkupton njohja reciproke ka pasur deputeti tjetër i LVV-së Hajrullah Çeku.

Çeku: njohja reciproke edhe këtu po ndalet fjalia, çka i bien njohja reciproke

 

“Parulla, njohja reciproke edhe këtu po ndalet fjalia, çka i bien njohja reciproke, në këta kufijtë që i kemi sot apo jo, çka nëse ju ofrohet mundësia njohja reciproke po në kufij të tjerë, hajde ta zgjerojmë këtë temë të mos kufizohemi në parulla. Ja po themi që në fund po e nxjerrim njohjen reciproke në kufijtë aktual po me çfarë çmimi, a jeni të përgatitur për kërkesat e Serbisë apo jo”, tha ai.

E në përgjigjen e tij, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se zgjidhja mes dy vendeve është njohja reciproke në kufijtë ekzistues.

Hoti: Vetëm njohja reciproke dhe në kufijtë ekzistues jo në kufij të tjerë

 

“Ne mund të dialogojmë dhe tre muaj ta përmbyllim ose edhe gjashtë muaj dhe nuk mund ta përmbyllim ose edhe një muaj dhe nuk e përmbyllim fare. Po nuk ka zgjidhje tjetër në këtë proces përveç njohjes reciproke, kjo mund t’iu tingëllojë parullë juve po kështu është realiteti. Sa të duam mund të dialogojmë, po ka vetëm një zgjidhje vetëm njohja reciproke dhe në kufijtë ekzistues jo në kufij të tjerë, mos ngritni hipoteza të tjera”, tha ai. 

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet