Demokracia

Albinot Maloku

Pesëmbëdhjetë shtatori, që nga 2007-ta, shënohet si Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, e përcaktuar sipas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kjo gjë u bë si inkurajim për vendet që udhëhiqen nga qeveri që thirren mbi këtë parim bazë, por po ashtu ka për qëllim promovimin dhe konsolidimin e frymës demokratike në këto vende. Edhe Republika e Kosovës e shënon këtë datë si dëshmi e angazhimit për fuqizimin e demokracisë si vlerë dhe parim mbi të cilin e ka nisur rrugëtimin, prej 17 shkurtit të 2008-tës, kur edhe e shpalli pavarësinë.

Dihet mirëfilli se prej çlirimit e deri te shpallja e pavarësisë, nuk janë vetëm vendorët ata që i kanë shprehur synimet për rrugëtimin e tyre për ta ndërtuar shtetin demokratik e të lirë, i cili ndjek parime të cilat i proklamon edhe pesëmbëdhjetë shtatori. Edhe bashkësia ndërkombëtare e instaluar nga 1999-ta e këndej, ka investuar shumë më shumë resurse joushtarake për kokë banori në Kosovë, për stabilizimin, demokratizimin dhe zhvillimin e Kosovës, se sa në cilëndo zonë tjetër post-konfliktuoze në botë. Përkushtimi i Kosovës për t’u udhëhequr me parime demokratike, vazhdon të jetë qëllimi i gjithë spektrit aktiv politik që mirëfilli ia do të mirën qytetarit dhe vendit.

Demokracia si vlerë e bazament mbi të cilin zhvillohet pretendon të zhvillohet republika jonë, ka nevojë ta marr formën e duhur. Kjo tamam i bie që edhe koncepti, definicioni por edhe nevojat e kapaciteteve të vendit, të përplotësohen në këtë kuptim (për nga forma). Nuk e konteston askush se vendi ka shënuar progres të mirë, por s’është i mjaftueshëm. Viteve të fundit në zhvillimin dhe promovimin e demokracisë, ky progres, ka rrjedhur si pasojë e orientimit të politikës së saj shtet-formuese e shtet-ndërtuese. Mbrojtja e të drejtave të njeriut, të drejtat e pakicave kombëtare, zbatimi i parimeve të demokracisë parlamentare si dhe shteti ligjor, pa dyshim se kanë nevojë të madhe për të pasur zhvillim më të mirë. Nevojë e patjetërsueshme në sistemin pluralist që e ka Republika e Kosovës është edhe demokratizimi më i madh i subjekteve politike. Liria e medias si njëra nga përbërëset e sistemeve demokratike, ka nevojë për vëmendje më të madhe.

Është më se e vërtetë se për Kosovën, e cila nga organizma vendor e ndërkombëtarë që e matin nivelin e demokratizimit, konsiderohet të ketë shënuar një përparim të lehtë, demokracinë e ka një përvojë jo aq të thellë dhe se mund të jetë sfiduese. Është sfiduese për shumë arsye, por nuk mund të konsiderohet se i mungojnë mundësit e kapacitetet. Kushtetuta e saj me gjithë mangësitë në funksionalizimin e mirëfilltë të shtetit të Kosovës, është nga më gjenerozet në rrafshin e respektimit të të drejtave të njeriut, pakicave kombëtare, që garanton sistem pluralist, demokraci parlamentare e edhe liri të medies e shtypit. Të gjitha këto janë të ndërfutura në ligjet e zbatueshme në Republikën e Kosovës, por në nevojë të madhe për implementim.

Kemi nevojë që të ndryshohet perceptimi për sa i përket kuptimit thelbësor. Duhet ta kuptojmë se demokracia, ndër vlerat e saj e ka edhe përgjegjësitë në rrafshin individual, kolektiv, politik, ekonomik dhe rrafsheve të tjera. Ajo nuk është vetëm mundësi për t’u shfrytëzuar e keqpërdorur por më shumë është obligim për t’u realizuar. Demokracia nuk është e plotë por krejtësisht e pa formë e përmbajtje, po nuk pati përgjegjësi për të vendosur dhe për të kërkuar llogari prej atyre që e marrin përgjegjësinë. Demokracia nuk është e plotë po nuk pati sistem të mirë gjyqësor, po nuk pati respektim të rregullave e normave të paracaktuara. Shfrytëzimi i mundësive që ofron demokracia e sistemi demokratik i një vendit kundër tjetrit është në kundërshtim të plotë të parimeve e vlerave të demokracisë.

Fuqizimi i demokracisë në vendin tonë merr formën e vet kur pamëshirshëm luftohet dukuria e rrënjosur thellë në ekonomin e dobët në vend, që është papunësia e të rinjve, mos krijimi i perspektivave për qytetarët, e si rrjedhës edhe korrupsioni si mjet i çeljes së ndonjë perspektive. Koncentrimi i kapaciteteve dhe energjive qeveritare e shtetërore në drejtim të zhvillimit ekonomik, do të nënkuptonte potencialisht krijimin e një ambienti me kushte të volitshme të një demokracie të synuar të shtetit të Kosovës.

Për fund, edhe pse Republika e Kosovës ende nuk po arrin të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ajo me angazhimin e saj për një demokraci të shëndosh shtetërore e qytetare mund t’i kontribuoi edhe temës themelore të sesionit të 72 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për vitin 2017, e që do të jetë ‘Demokracia dhe parandalimi i konflikteve’.

 

Kategoritë
ANALIZA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet