Deklarata e Izetbegoviqit (s’) është ndryshim i qasjes së BeH-së ndaj Kosovës

Deklarata e anëtarit boshnjak të Kryesisë së Bosnjës Bakir Izetbegoviq, se Bosnja dhe Hercegovina është dashur ta njoh Pavarësinë e Kosovës deri më tani,  ka nxitur reagime të shumta. Ata që tashmë e njohin Kosovën si shtet të pavarur ndajnë mendim me Izetbegoviqin, e të tjerët i kundërshtojnë këto deklarata, shkruan Gazeta e Re.

“Sa më përket mua, deri më tani Kosova do të duhej të pranohej. Tani do të hidhërohen kolegët tanë, e tentimi ynë për të ndodhur kjo ka sjellë probleme përbrenda BeH-së,e nuk i kanë ndihmuar Kosovës”, ka thënë Izetbegoviq për të përditshmen gjermane Deutsche Welle.

Kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Bosnje e Hercegovinë Muharrem Zejnullahu, përshëndet këtë deklaratë e cila sipas tij, mund të konsiderohet si fillim i ri i BeH-së ndaj realitetit të cilin sipas tij, liderët politik të cilit vijnë nga entiteti i Republikës Serbe e kohëve të fundit dhe lideri i kroatëve të Bosnjës e njëherit dhe Kryesuesi i radhës i Presidencës se BeH z. Dragan Qoviq e mohojnë realitetin se Kosova është shtet sovran e i pavarur dhe në asnjë mënyrë ky realitet nuk ka kthim mbrapa. Zejnullahu thotë edhe më parë liderët e subjekteve politike të popullit boshnjak dhe atyre kroat në BeH (përveç prononcimeve të fundit të liderit të HDZ BeH z. Qoviq), në një mënyrë e kanë shprehur të njëjtin qëndrim kur është në pyetje njohja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Fatkeqësisht BeH e Dejtonit për çdo vendim që merr duhet të ketë konsensus të plotë të tre anëtarëve të Presidencës së BeH, e kur është fjala për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, në këtë moment është gati e pamundur të arrihet përderisa Serbia mos të jep dritën jeshile liderëve serbe të Bosnjës dhe anëtarit të tyre në presidencën e BeH dhe në anën tjetër për derisa mos të ketë një presion real të SHBA-ve dhe vendeve të Unioni Evropian ndaj BeH për ketë çështje. Deklarata e z. Izetbegoviq është për ty përshëndetur edhe për faktin se vjen në kohën kur pritet dënimi i gjeneralit Ratko Mlladiq në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Luftë në Hagë, e në anën tjetër edhe dënimi për krime lufte ndaj popullit boshnjak të liderëve politik dhe ushtarak të kroatëve të Bosnjës në krye me ishe Ministrinë e Punëve të Jashtme të BeH Dr. Jadranko Prlliq e tjerë”, ka deklaruar Zejnullahu për Gazetën e Re.

Ai ka treguar se Bashkësia Shqiptare në BeH në mënyrë permanente ka kërkuar që BeH të njoh Pavarësinë e Kosovës dhe mbi të gjitha të njoh edhe dokumenteve të Kosovës në mënyrë që sipas tij, të krijohen kushtet për liberalizimin e vizave që qytetarët e dy vendeve të lëvizin lirshëm në të dyja anët.

Edhe njohësi i çështjeve politike në vend Shkelzen Maliqi, përmend konsensusin që duhet të kenë anëtarët e presidencës së BeH-së për të marrë vendime, për këtë shkak ai thotë se deklarata e Izetbegoviqit nuk do të thotë ndryshim i qasjes së BeH-së ndaj Kosovës. Kjo për faktin se siç thotë ai, vetëm përkrahja e Izetbegoviqit nuk është e mjaftueshme.

“Jo, nuk do të thotë ndryshim. Kjo është ditur se serbët e Bosnjës bllokojnë njohjen dhe pasi që në ketë shtet për çdo vendim kërkohet vota koncesuale përkrahja e Izetbegoviqit nuk është e mjaftueshme, duhet të pajtohet edhe përfaqësuesi kroat në Kryesinë e Unionit të BH (që ekziston) dhe e përfaqësuesit serb, që sërish është deklaruar menjëherë kundër. Vetëm se këtë herë Izetbegoviq foli hapur, ndoshta si formë e presionit dhe menjëherë kishte përgjigje negative nga Beogradi dhe Banjalluka. Ndërkaq, Millorad Dodik pranoi që ka vështirësi në kontakte dhe bërje biznesi mes Kosovës dhe Rep. Serbskës, për çka tha se duhet të hiqen pengesat, pra regjimi i vizave me reciprocitet në ketë aspekt është hap përpara”, është shprehur Maliqi.

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri deklaratën e Izetbegoviqit se BeH-ja është dashur ta njoh që moti Kosovën e sheh si deklaratë shumë realiste mirëpo, ai thotë se duhet të pritet për të parë nëse do të mund të realizohet. Sipas tij, njohja e Kosovës është e vetmja rrugë që sjell stabilitet në Ballkan.

Pas deklaratave të Izetbegoviqit, të menjëhershme kanë qenë reagimet e politikanëve brenda BeH-së, Serbisë e Kosovës. Presidenti i Republikës Srpska në Bosnje, Milorad Dodik ka bërë të ditur se kjo e fundit nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovë. Në Serbi këto deklarata u cilësuan si “skandaloze dhe shokuese”. Në Kosovë të njëjtat janë përshëndetur ndërsa, reagimet e shteti serb për këtë çështje janë cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Bosnje e Hercegovinës. /Yllnorë Shala/ Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet