Dejan Saviçeviç: Nuk do të ketë probleme në ndeshjet tona me Kosovën

“Shteti i Malit të Zi dhe Ministria e Punëve të Brendshme kundër Serbisë kanë dëshmuar se pa problem mund të organizojnë këso lloje ndeshjesh”, tha Saviçeviç.

Futbollistët e Malit të Zi po përgatiten për ndeshjet kundër Bullgarisë dhe Anglisë në fillim të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Në një bisedë ekskluzive për Anadolu Agency (AA), kryetari i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviçeviç, shpreh keqardhje që përfaqësuesja e tij sërish nuk do të mund të paraqitet me ekipin më të fortë.

“Assesi nuk po na anashkalojnë fatkeqësitë që po na ndjekin tashmë një vit e gjysmë. Vazhdimisht kemi problem me lojtarë të lënduar. Fillimisht u lëndua Jovetiç, e tani edhe Stefan Saviç. Besoj se nuk duhet t’u flas rreth asaj se sa janë të rëndësishëm këta dy lojtarë për përfaqësuesen tonë. Neve na presin dy sfida të rënda kundër Bullgarisë dhe Anglisë”, tha Saviçeviç.

Edhe përskaj asaj që në një grup me Malin e Zi ndodhet përfaqësuesja e cila në kampionatin e fundit botëror arriti deri në gjysmëfinale dhe e cila është përplot me emra të njohur nga Premier Liga angleze, opinioni në rajon pas shortit të mbajtur në Glasgow më shumë u fokusua në duelin kundër Kosovës.

“Në muajin qershor e presim Kosovën në Podgoricë. Ka shumë kohë deri atëherë. Ajo që është e sigurt, shteti i Malit të Zi dhe Ministria e Punëve të Brendshme kundër Serbisë kanë dëshmuar se pa problem mund të organizojnë këso lloje ndeshjesh. Jam i sigurt se edhe kundër Kosovës nuk do të ketë probleme. Mendimi im është se gjithçka do të jetë në rregull. Gjithnjë keni ekstreme edhe në njërën, edhe në anën tjetër. Nuk mendoj shumë rreth kësaj, ekzistojnë njerëz që këtë (sigurinë) e kanë profesion dhe deri më tani e kanë kryer mirë. Nuk ka arsye që të mos jetë kështu edhe më 7 qershor në Podgoricë”, tha Saviçeviç.

Ai siguron se edhe ndeshja në Prishtinë, e cila zhvillohet më 14 tetor, do të kaloj pa fërkime dhe probleme, edhe pse ka indikacione se lojtarët me prejardhje serbe nga radhët e Malit të Zi, si dhe vetë seleksionuesi Ljubisha Tumbaković u frikësohen reagimeve të opinionit të vendit të tyre, në rast se shfaqen në përballje në Kosovë.

“Unë mendoj se nuk duhet, pse do të frikoheshin. Ajo është një ndeshje si të gjitha të tjerat. Në fund të fundit, ne kemi edhe një kosovar në ekipin tonë. Ai është Fatos Beqiraj, i cili madje bart edhe shiritin e kapitenit në mungesë të Saviç dhe Jovetiç. Nuk duhet të ngrihet pluhur. E kuptoj që është në interes të mediave të shkruara që të ‘fryjnë’ situatën, pasi në këtë mënyrë rrisin tirazhin. Po e përsëris, mendoj se nuk do të ketë probleme”, tha Saviçeviç.

Serbinë gjithashtu e pret sfidë e madhe në fillim të kualifikimeve dhe përballje në cilësinë e mysafirit kundër kampionit aktual evropian në Lisbonë.

“Para se gjithash, i uroj Serbisë për fitimin e vendit të parë në Ligën e Kombeve. Ishin më të mirë se ne dhe merituan që të avancojnë në divizionin ‘B’. Uroj që nga nëntori të festojnë plasman të drejtpërdrejtë në kampionatin evropian. Gjatë vitit të kaluar, Krstajiç ka krijuar një ekip të mirë dhe stabil. Forma momentale e disa lojtarëve mund ta gëzojë edhe më shumë dhe nuk ka arsye që të ketë frikë para ndeshjes me Portugalinë”, vlerëson Saviçeviç.

Ekipi i Fernando Santosit pa Cristiano Ronaldon arriti të parakaloj Italinë dhe Poloninë në Ligën e Kombeve dhe ka fituar të drejtën që në teren vendas në qershor të këtij viti të sulmoj trofeun dhe të fitoj një shpërblim të konsiderueshëm financiar. Në momentin më të keq të mundshëm për Serbinë, ylli i Juventusit ka vendosur që të kthehet në përfaqësuese.

“Ka ndryshuar stilin e lojës dhe pozicionin në teren në krahasim me periudhën para tre apo katër viteve. Atëherë depërtonte nga krahët e fushës, krosonte, krijonte mundësi shënimi, ishte gjithandej nëpër fushë. Tani është koncentruar në 16-të metërsh dhe më duket edhe më i rrezikshëm. E keni parë kundër Atlerico Madridit se si reagoi me kokë dhe shënoi dy gola të mrekullueshëm. Mbrojtësit e Serbisë patjetër duhet të jenë të kujdesshëm, pasi Ronaldo kërcen sikur të kishte 24 vjet. Ok, penaltitë gjithnjë i ka realizuar në mënyrë të përsosur, atë e bën akoma. Dikush mund të mendoj se ai vrapon më pak se më herët, por esenca është se tani vrapon në mënyrë më të mençur dhe më të dobishme”, vlerëson Saviçeviç.

As Serbia nuk është pa yllet e saj në prag të ndeshjes në stadiumin Da Luz. E gjithë Evropa është akoma e çuditur me mjeshtërinë e futbollistit Dushan Tadiç, i cili brenda një muaji, tre herë do të masë forcat me Cristiano Ronaldon.

“Këtë duhet ta thënë ekspertët, nëse Tadić është ‘dhjetëshja’ e parë e vërtet në përfaqësuesen e Serbisë që nga Dragan Stojkoviç Piksi. Atë që kam parë në Madrid, ka luajtur në mënyrë maestrale edhe atë në pozicionin e ‘nëntëshes së rrejshme’. Ashtu kishte qenë e caktuar, iu hap ndeshja dhe ai me mjeshtëri e shfrytëzoi atë. Më duhet të rikujtoj se edhe kundër nesh në Ligën e Kombeve ishte fenomenal. Posaçërisht në Podgoricë ku erdhi në shprehje e tërë pjekuria e tij. Ishte dominues në raport me të gjithë lojtarët tjerë, si në kuptim të kondicionit, ashtu edhe në kuptimin tekniko-taktit. Ta them sinqerisht, paraqitja e tij kundër Real Madridit për mua nuk ishte befasi”, tha Saviçeviç.

Duke qëndruar në Beograd si mysafir special në asamblenë e federatës serbe të futbollit, Dejan Saviçeviç nuk ka lëshuar mundësinë që të theksoj suksesin e madh që ekipi i tij i mëparshëm e arriti këtë sezon në Ligën e Kampionëve.

“Përveç suksesit të përfaqësueses në Ligën e Kombeve, Serbia mund të krenohet edhe me ecurinë në skenën evropiane të klubeve. Jam i lumtur që Crvena Zvezda ime u kthye në mesin e gjigantëve dhe që vërtetoi se mund të shtyhet me ekipe shumë më të pasura dhe më të fuqishme”, tha ai.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet