Degradimi i Universitetit të Prishtinës, në një raport

Nuk është renditur si kriter për avancim, por si duket, plagjiatura shpërblehet në UP. Kështu të paktën dëshmon një raport i sapo publikuar i organizatës Admovere. Kjo OJQ është anëtare e Koalicionit për Integrim dhe Transparencë në UP, prandaj ehe hulumtimi: Stafi Akademik i UP-së, Studimet, Angazhimet tjera, Plagjiaturat, Vlerësimet dhe Përpjesa Staf-Student; i cili u prezantua sot, është pjesë e programit të KITU-së – shkruan Gazeta e Re.

Hulumtimi edhe njëherë ka nxjerr në pah problemet, defektet dhe ngecjet, me të cilat përballet Universiteti ‘Hasan Prishtina’, tash e sa dekada. Del që UP, përveç problemeve të shumta infrastrukturore, ai përballet edhe me ato më serioze, siç është dukuria e plagjiaturës. Për sa i përket kësaj të fundit rastet e Zeqir Veselajt, Muhamet Aliut, Drita Konxhelit, Venet Shalës, Sabri Hamitit, Lindita Sejdiu-Rugovës, Ali Didës, Kadri Metajt, Selim Bezerajt, Luan Ahmas dhe Sabri Limarit, Hajredin Kuçit, Mejdi Bektashit, Beqir Sadikajt, Sylejman Rexhepit, Dalip Limanit dhe Arsim Morinës, janë të dokumentuara e të denoncuara në shtypin ditor në Kosovë, që nga viti 1985 e deri në vitin 2016. Por sipas raportit, përkundër faktit që këto plagjiatura kanë qenë të dokumentuara, askush nga të denoncuarit nuk ka vuajtur ndonjë ndëshkim, ashtu siç e parashohin dokumentet relevante (nga rregulloret deri te ligji për autorësinë):

“Nga gjithsejt 16 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së të cilëve u janë shpalosur plagjiaturat në media, shumica nuk kanë reaguar asnjëherë ndaj akuzave. Prej këtyre 16 rasteve, vetëm tre janë suspenduar nga procesi mësimor, mirëpo që të tre më pas janë kthyer. Vetëm njërit – që nuk ka qenë mësimdhënës i rregullt, por i angazhuar – i është ndërprerë kontrata e punës. Pra, edhe kur zbulimet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik janë publikuar nëpër media, plagjiatorët jo veç që nuk kanë dhënë dorëheqje, por në shumicën dërrmuese të rasteve, as që u janë nënshtruar masave. Në ato pak raste kur ndonjë masë është ndërmarrë, ajo është shfuqizuar më pas. Për më tej, shumë prej plagjiatorëve edhe janë avancuar.”

Hulumtimi pasqyron edhe arritjen akademike të stafit të UP-së ku del që: “Nga 840 pjesëtarë të stafit akademik që i kanë të afishuara CV-të në uebfaqen e UP-së: studimet BA në UP i kanë të kryera 700 pjesëtarë, 17 në Tiranë e 1 në Tetovë, vetëm 53 jashtë vendit në gjuhë të huaja, ndërsa të dhënat për 69 pjesëtarë mungojnë; studimet MA 466 i kanë të kryera në UP, 21 në Tiranë, e 1 në Tetovë, 254 jashtë vendit, kurse të dhënat për 96 mungojnë; studimet PhD 153 pjesëtarë i kanë përfunduar jashtë vendit, e pjesa tjetër janë me formim akademik krejtësisht vendor ose të dhënat nuk i kanë të azhurnuara/nuk figurojnë në uebsajtin e UP-së. Nga gjithsej 840 pjesëtarë në UP, 313 (37.26 %) i kanë përfunduar studimet të paktën në njërin nivel jashtë vendit në gjuhë të huaja, kurse 527 të tjerë ose 62.7 % janë me formim akademik krejtësisht vendor. Gjithsej vetëm 36 pjesëtarë të stafit akademik në UP (4.28%) i kanë përfunduar të gjitha nivelet e studimit jashtë vendit në gjuhë të huaja. Sa i takon përbërjes gjinore, nga 840 pjesëtarë të stafit akademik me CV të afishuara në uebfaqen e UPsë, 286 ose 34% janë gra. Fakulteti i Edukimit ka më së shumti gra (36 gra ose 58%), kurse Fakulteti i Sportit më së paku (2 gra ose 8.7%).”

Sipas autorëve të hulumtimit, të dhënat themelore për profesorët e angazhuar në UP, kanë paraqitur problemet e para me të cilat ata janë përballur. Sipas tyre, kjo lidhet me mungesën e transparencës, që e karakterizon institucionin më të lartë arsimor publik në vend, për ç’gjë drejtuesit e saj në të ardhmen, duhet të shqetësohen. Një analizë e mbi raportin gjinor të stafit deri te relacioni student profesor, nuk është anashkaluar në kuadër të hulumtimit. Vlerësimi i profesorëve nga ana e studentëve, një praktikë e njohur kjo edhe në universitetet më të njohura botërore, nuk është përfillur si praktikë, pa çka që ekziston një sistem online anonim i vlerësimit. Në përgjithësi, hulumtimi pasqyron gjendjen reale të rëndë nëpër të cilën ka kaluar dhe po kalon UP-ja edhe sot e kësaj dite. Ai është tërësisht në pajtim me perceptimin negativ të krijuar tash e sa kohë, mbi sistemin arsimor, i cili me gjithë që funksionon, ai vijon të ballafaqohet me probleme të mëdha./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet