Defektet e bëjnë dialogun Kosovë – Serbi të padobishëm

Albinot Maloku

Dialogu mes Kosovës e Serbisë apo Prishtinës e Beogradit, që është zhvilluar në Bruksel, e që zuri fill në mars të 2011-tës, nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, i ka kaluar dy fazat e tij, atë teknik dhe atë politik. Si i tillë ka prodhuar shumë dokumente të njohura me emra të ndryshëm dhe me shumë kuptimësi. Është konsideruar si dialog i cili ka sjell progres, e në momente marrëveshjet janë konsideruar madje edhe historike. As të parin epitet e as të dytin nuk e ka dhënë deri më tani Beogradi, por ka qenë Prishtina zyrtare ajo e cila pavarësisht disfatave, është ngutur për ta cilësuar jo vetëm si progres por edhe historik.

Gjatë këtij dialogu, pavarësisht se, Prishtina zyrtare ka thënë që po zhvillohet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete të pavarura e sovrane e që për synim kanë normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore, nuk është aplikuar parimi i shumë rekomanduar i reciprocitetit. Zbatimi i konkluzave/marrëveshjeve është sfiduar e penguar me të gjitha format e mjetet nga Beogradi zyrtar. Zbatueshmëria e konkluzave/marrëveshjeve nuk e ka kaluar pesëdhjetë përqindëshin e saj.

Njohja e diplomave, e cila në bisedimet e fundit është kthyer si temë, ende po neglizhohet nga pala serbe, kadastrat prapë janë pjesë e temave të bisedimit, liria e lëvizjes është po ashtu temë e cila është dashur të konsiderohet e tejkaluar. Qytetarët e Republikës së Kosovës në momentin e kalimit në Serbi duhet ti heqin tabelat e targave të automjeteve me shenjën RKS, e ato ti zëvendësojnë me “proba” serbe, është rikthyer marrja e të njëjtave me shenjën KS, pavarësisht se puna e misionit të UNMIK-ut nuk është në korrelacion me gjendjen politiko-juridike të vendit tonë.

Bisedimet për kodin shtetëror telefonik të Kosovës kanë filluar hiq më pak se para pesë vjetëve dhe ende vazhdon të bllokohet ky proces, edhe pse ka pas premtime intensive nga ana e ministres për Dialog, Edita Tahiri, se Kosova do ta ketë kodin vet telefonik. Kjo gjë ende nuk po ndodh. Instalimi edhe i një rrjeti të telefonisë mobile të MTS serb si kompromis i kodit telefonik të Kosovës po bëhet i pa tjetërsueshëm.

Dialogu i Brukselit e ka nxjerr si obligim për Kosovën themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicën Serbe në Kosovë dhe ky obligim pavarësisht se i dëmshëm do të përmbushet, e pranuam tani apo jo. A/BKS është kryekëput gabim i Prishtinës zyrtare dhe si i tillë që është, pra krijesë etnike e aspak demokratike gjithsesi se do ta dëmtojë kapacitetin e shtetësisë së Kosovës, por që këtë gabim me apo pahiri shteti ynë ka për ta jetësuar, nga se është pjesë e marrëveshjes që si e tillë nga lidershipi ynë është konsideruar ‘arritje historike për paqe mes kombeve’.

Ky dialog mes Kosovës dhe Serbisë, e të cilit sikur nuk po i duket fundi, nuk është duke e provuar cilësimin të cilin ia ka dhënë Edita Tahri, pra dialog “urë lidhës i qytetarëve e shteteve”, por është konvertuar në një kushtëzues të një anshëm dhe nga i cili askush nuk po gëzohet në Kosovë.

Qeveria e vendit e ka proklamuar angazhimin e saj maksimal me të vetmin synim, arritjen e marrëveshjeve dhe zbatimin efektiv të tyre në drejtim të normalizimit të raporteve dhe duke ruajtur rendin Kushtetuese e ligjor të Kosovës. Nga ky synim nuk ka përfituar asgjë. Nuk ka qenë asnjëherë befasuese pse Serbia i ka bërë obstruksione procesit si gjatë bisedimeve e si pas konkluzioneve e marrëveshjeve të arrira. Nisur nga kjo, e shumë arsye tjera, mund të konsideroj se dialogu i Brukselit me fajin e palës së Kosovës e për Kosovën ishte fiasko e madhe.

Stopimi i dialogut është i nevojshëm dhe ka qenë rekomandim i patjetërsueshëm. Afatizimi i dialogut nuk do të sillte ndryshime, kurse stopimi i tij, rekomandohet edhe për një arsye tjetër, pra që të matet konkretisht zbatushmëria e marrëveshjeve të arritura dhe mos të prodhohet dokumentacion i pazbatueshëm. Fatkeqësisht të gjitha palët, Kosova, Serbia, por edhe Bashkimi Evropian, dialogun e Brukselit nuk po e përjetojnë si historik, por thjesht rutinë të kohës. Edhe vetë Bashkimin Evropian e kanë lodhur kompromiset me veten e vet, e lere më tentimi për të kërkuar kompromise mes palëve të procesit të Brukselit që nuk janë të barabarta në asgjë mes veti. Pa dyshim, këto e shumë defekte tjera, këtë lloj dialogu të Kosovës me Serbinë e bëjnë të pa dobishëm dhe të cilit i rekomandohet stopimi.

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Nëntori

    Albinot Maloku Thuhet se nëntori është muaj i shqiptarëve. Data e 28-të e këtij muaji, në vete ndërlidh disa momente historike, por ndër më të rëndësishmet mbetet Shpallja e...
  • Tribunali

    Albinot Maloku Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht...
  • Zëvendësministrat

    Albinot Maloku  Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...