Debate pafund rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, data e të cilave ende nuk dihet

Të gjitha subjektet politike janë aktivizuar. Debate pafund, jo vetëm me njëra tjetrën, por edhe me qytetarët. Në këtë mes, ndonëse ende nuk është shpërndarë parlamenti, skena politike ka filluar t’u ngjajë orëve të fushatës zgjedhore – shkruan Gazeta e Re.

Në një debat publik disa nga deputetët e legjislacionit aktual, i cili i  ka ditët e numëruara, përsëritën preferencat për bashkëpunime të ndërsjella, treguan vijat e kuqe, si dhe shkëmbyen akuza me njëri tjetrin. Debati u organizua në ambientet e Riinvest-it, ndërsa bëri bashkë katër deputet, të katër subjekteve më të mëdha në vend. Temës: Çfarë zgjidhjesh ofrojnë zgjidhjet? – ,deputetët iu përgjigjën në mënyra të ndryshme.

Sipas Arben Gashit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), shpërndarja e kuvendit tashmë është rruga e vetme dhe e pashmangshme:

«Me dorëheqjen e Haradinajt është krijuar një situatë e re politike. Presidenti ka bërë konsultime, si duket, me disa parti të vogla, por në momentin kur Veseli ka kundërshtuar që të marrë përsipër formimin e një koalicioni, është krijuar një situatë tjetër. Kështu me 22 gusht do të shpërndahet kuvendi, dhe normalisht janë afate të tjera kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve, jo më pak se 30 ditë».

Është koha, sipas tij, që mandati t’i kthehet sovranit.

Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha ndër të tjera që seanca e 22 gushtit, është caktuar në dakordim me partnerët ndërkombëtarë. Pastaj sipas saj:

«Nuk është hera e parë e as e fundit që Kosova po përballet me mandate të shkurta. Ne nuk kemi arritur ta përmbyllim mandatin deri në fund, por vetë qytetarët do të përcaktojnë fituesi që do ta udhëheq vendin. Një koordinim më i mirë ndërmjet koalicionit do të ketë më shumë rezultate». Ajo pati një replikë me kolegen e saj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, për subjektin e së cilës tha që po sillet çuditshëm sidomos me LDK-në, për të cilën dikur nuk kishte fjalë të mira.

«Jemi dëshmitar ku subjekti i Albulenës ka pasur sjellje të patolerueshme për Mustafën dhe tani, kemi pa shtrëngime duarsh e kafe… Kur flasim për koalicione të çuditshme duhet parë edhe këto takime që janë të tilla» – tha ajo.

Por ajo mori një përgjigje nga Haxhiu, e cila paraprakisht ia kujtoi që e një vit LVV dhe LDK kanë nisur «organizimin opozitar për zgjedhje të jashtëzakonshme, para dorëheqjen e Haradinajt ne kemi pasur 58 nënshkrime dhe duheshin edhe 3 nënshkrime për rrëzimin e Haradinajt që do duhej të largohej, nuk e kemi pritur këtë mënyrë të dorëheqjes».

Një ndër arsyet se pse fuqia elektorale e partive në pushtet është zbehur dukshëm viteve të fundit është edhe kjo se:

«Gjithmonë është përfituar në emër të luftës sikur partitë deri më tani sepse kjo nuk dhezë më, njerëzit në emër të luftës janë pasuruar».

Për sa u përket akuzave, por edhe premtimeve, ajo tha që disa pyetjeve, vetëm PDK-ja mund t’u përgjigjet, sepse:

«Veseli sikur ka qenë në koma dhe tani po bënë komente që duhet luftuar korrupsionin dhe duhet rikthyer të rinjtë që kanë ikur nga Kosova», gjëra këto, për të cilat përgjegjësinë më të madhe e mbanë vet ai dhe subjekti i tij.

Në këtë debat pjesëmarrës ishte edhe Ahmet Isufi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili u shpreh i bindur që një koalicion i mundshëm ndërmjet AAK-së, NISMAS dhe PSD-së, do të jetë përcaktues për zhvillimet e mëtutjeshme politike:

«Kur përmendet koalicionet e mundshme nuk duhet të përmendet sepse po i shohim lëvizjet e fundit që po ndodhin. Marrëdhëniet tona janë mundësi me NISMA-n që të kemi koalicion por edhe me PSD-në që na kanë bërë të besojmë se mund të kemi koalicion në të ardhmen dhe kundërshtarët politikë ndoshta nuk e kanë të lehtë ta përballojnë këtë».

Nga ky debat, deputetët pranuan që disa çështje do të jenë përsëri sfiduese për secilin që do ta drejtojë qeverinë në të ardhmen. Ndër to, sfidë mbi sfidat mbetet çështja e bisedimeve me Serbinë, si dhe çështja e taksës./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet