Danimarka, tetë herë më e shtrenjtë sesa Kosova!

Kombëtarja e Danimarkës rezulton tetë herë më e shtrenjtë sesa ajo e Kosovës, me të cilën do të takohet të enjten mbrëma në Prishtinë. Vetëm ylli i saj i Tottenhamit, Christian Eriksen, vlerësohet me 85 milionë euro. Kurse, Milot Rashica vlerësohet më i shtrenjti te Kosova

Ndonëse do të jetë vetëm një miqësore, Kosova do të ketë punë shumë të vështirë kundër Danimarkës, në ndeshjen e së enjtes mbrëma që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kombëtarja e Danimarkës vlerësohet shumëfish më cilësore sesa ajo e Kosovës, e cila po i mbush vetëm tri vjet në arenën ndërkombëtare, ku tashmë ka nisur ta marrë veten.

Duke e marrë parasysh ueb faqen e specializuar të futbollistëve, “Transfermarkt”, del se skuadra e Danimarkës ka tetë herë vlerë më të lartë sesa ajo e Kosovës, raporton Gazeta Express.

Futbollistët e ekipit kombëtar danez vlerësohen me 330 milionë euro. Kurse, ata të Kosovës vlerësohen me gati 45 milionë euro.

Lojtari më i shtrenjtë i Danimarkës është ylli i Tottenhamit,  Christian Eriksen, i cili në tregun e futbollistëve vlerësohet me çmim prej 85 milionë eurosh.

Andreas Christensen ka çmim prej 35 milionë euro, kurse Yussuf Poulsen kushton rreth 30 milionë euro. Thomas Delaney vlerësohet me 27 milionë euro. Por, ka edhe lojtarë tjerë të shtrenjtë që kushtojnë mbi 10 milionë euro, shkruan Gazeta Express.

Ndërkohë, te futbollistët e ftuar nga Kosova për duelin me Danimarkën më i shtrenjti rezulton Milot Rashica. Ylli i Werder Bremenit vlerësohet me 7 milionë euro, një më shumë sesa Arbër Zeneli, i cili ka çmim prej 6 milionë eurosh aktualisht.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet