Daçiç: Serbia nuk vazhdon dialogun me Kosovën pa u hequr taksa dhe reciprociteti

Kreu i diplomacisë serbe Ivica Daçiç deklaron se Beogradi nuk do ta vazhdojë dialogun më Prishtinën zyrtare deri në shfuqizimin e reciprocitetit. Duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, përmes së cilit ndalohet hyrja në Kosovë për mallrat nga Serbia që nuk e kanë të shënuar në dokumente “Republika e Kosovës”, ai u shpreh se kjo është e papranueshme për Serbinë.

“Ne nuk kemi ndërmend të vazhdojmë dialogun derisa të hiqen taksa dhe reciprociteti. Kjo është e papranueshme për ne dhe mohim i të gjitha marrëveshjeve. Me të drejtë presim një reagim nga bashkësia ndërkombëtare. Richard Grenell reagoi ndaj kësaj edhe më herët dhe tha se aplikimi i reciprocitetit është anashkalim i heqjes së taksës”, shtoi Dacic.

Daçic shprehet se ndalimi i hyrjes së mallrave nga Serbia pa dokumente ku shkruhet destinacioni “Republika e Kosovës”, është masë më e keqe sesa taksa prej 100 për qind. Ndërkohë qeveria në Kososvë shprehet e vendosur për zbatimin e vendimit sipas të cilit nuk do të lejohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që mohojnë shtetin e Kosovës.

Ndryshimet u bënë publike pas mbledhjes virtuale të qeverisë në detyrë e Kosovës, ku ndër të tjera u vendos që të plotësohet edhe më shumë vendimi për zbatimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet