COVID-19 vështirëson punën e bizneseve – rrezikojnë edhe falimentimin

Si masë parandaluese për përhapjen e virusit COVID-19, Qeveria e Kosovës ka mbyllur një numër të madh të bizneseve, duke u shkaktuar kështu humbje të mëdha në veprimtarinë e tyre. Edhe ato biznese të cilat vazhdojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre po përballen me sfida të shumta.

Pamundësia për t’i paguar punëtorët, pagesat e qirave të objekteve, janë disa nga sfidat me të cilat po përballen bizneset në kohën kur vendi po përballet me pandeminë koronavirus që tashmë ka prekur pothuajse të gjithë botën.

Kompania “Jysk” ka të punësuar mbi 800 punëtorë në të gjithë vendin, e 95 për qind e këtyre punëtorëve aktualisht nuk janë duke punuar.

Pronari i kompanisë “Jysk” dhe “KFC”, Fatmir Zymberi tha se janë duke operuar me një numër të vogël të punëtorëve, kryesisht të administratës.

“T ash janë fiks bizneset tona, si KFC dhe Jysk, përveç një numri të vogël të administratës që është i angazhuar për hir të produkteve që janë porositur dhe që kemi nevojë për mirëmbajtjen e tyre, se njëri bizneset merret me ushqim, tjetri merret me produkte jo ushqimore. Të gjithë janë të papunë”, potencoi ai.

Në këtë kohë kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19, Zymberi thotë se Qeveria duhet t’iu dalë në ndihmë bizneseve, në mënyrë që ato të mos falimentojnë.

Në rast të falimentimit, ai thotë se do të jetë dyfish më vështirë që të rimëkëmbet ekonomia e vendit.

“Bizneset në Kosovë mund të them që janë furnizuesi kryesor i buxhetit të Kosovës që pas luftës e këndej dhe nëse ne mendojmë vetëm pak për ekonominë e këtij vendi që mund të jetë virusi më i rëndë se ky virusi ekzistues, atëherë unë mendoj që shteti i Kosovës, Qeveria e Kosovës do të merret shumë seriozisht me bizneset e Kosovës. Jo vetëm me një sektor, por mendoj të gjithë sektorët që janë të prekur dikush më shumë, e dikush më pak. Problemi është që nëse këto biznese nuk do të kenë mundësi të zhvillojnë veprimtarinë e vet, ato do të falimentojnë dhe falimentimi nuk mjafton më për t’i paguar pagat, atëherë duhet 10-fish kapital për të nisur nga e para. Kështu që, është shumë më lehtë të sanohet një problem kur biznesi ka mundësi të zhvillohet dhe ka mundësi të mbahet kontinuiteti pa fitim, vetëm për të mbajtur kontinuitetin e të hyrave ose të shpenzimeve që i ka”, thotë ai.

Zymberi thotë se shteti duhet t’i dalë në ndihmë bizneseve, e këtë ai thotë se mund ta bëjë duke ndalur të gjitha investimet kapitale dhe ato para të orientohen për të ndihmuar bizneset.

“Ne nuk jemi duke folur për fitim, jemi duke folur për mbijetesë. Na sot që diskutojmë nuk e dimë a do të kemi përkrahje nga shteti për mbulimin e një pjese të rrogave të punëtorëve, nuk e dimë. Ata punëtorë kanë familje të veta, kanë shpenzime të veta, a ne e dimë që sektori publik i kanë marrë rrogat e veta, e sektori publik marrin rroga nga buxheti i shtetit, buxheti i shtetit mbushet nga bizneset e Kosovës, nuk ka një të hyrë tjetër. Kështu që, unë mendoj që Qeveria e Kosovës duhet t’i ndërpresë të gjitha investimet kapitale në këtë vend, ta ruajë shëndetësinë që është shumë më rëndësi, ta ruajë arsimin, t’i ruajë sektorët kryesorë që e mbajnë zhvillimin e shtetit, por asnjë investim kapital, as rrugë, as shkolla. Të gjithë buxheti që ka Kosova ose edhe fondi i privatizimit duhet të përdoret për mirëqenien e biznesit”, thotë Zymberi.

Ai thotë se nuk kanë bërà « analizën se sa kanë pasur humbje gjatë këtyre ditëve, por thotë se janë koncentruar me të gjitha kapacitetet për ta mbajtur stabilitetin e kompanive që të mos falimentojnë.

Ndonëse nuk e kanë ndaluar punën, kompania “Pestova” po përballet me probleme të shumta të funksionimit të saj.

Pronari i kësaj kompanie Bedri Kasumi thotë se nuk e kanë ndalur komplet punën, por kanë bërë reduktimin e stafit.

“Nuk e kemi ndërprerë punën, kemi punuar. Tani jemi në vlugun më të madh edhe të mbjelljes së patates, sepse është faza ose është koha më e mirë për mbjelljen e patates. Jemi në tri faza duke punuar, në përpunim të patates, në mbjellje të patates dhe në furnizim të fermerëve me agroimpute, sepse ne farën e patates e prodhojmë në Kosovë, mirëpo një sasi e importojmë nga Holanda… Stafin rezervë e kemi lënë nà « pushim, gjithmonë me pagesë jo pa pagesë, një pjesë e stafit është duke punuar, një pjesë është rezervë Zoti na ruajt mund të ndodh diçka që mos të ndalet prodhimi. Sepse megjithatë jemi industri ushqimore, me lëndë të parë jemi shumë mirë të furnizuar dhe këto masa i kemi ndërmarrë si preventivë për më të keqen”, tha ai.

Kasumi potencon se janë duke u përballur me vështirësi në transport, ku përmend se vështirësitë në importimit e farës së patates nga Holanda për shkak të pengesave në kufij.

Ai tregon edhe dëmet më të cilat do të përballet vendi gjatë kohës që po përballet me pandeminë COVID-19.

“Dëmet po ju them se do të jenë evidente pikërisht në sasinë e patates së mbetur për treg, si të kompanisë edhe të fermerëve. Arsyeja është sepse viti i kaluar ka qenë vit shumë i frytshëm në prodhim të patates, mirëpo sido që të jetë edhe në vitet e mira edhe në vitet jo të mira, do të thotë kur është rendimenti i mirë ose jo bash i mirë që varet prej kushteve klimatike, nuk shtrohet pyetja asnjëherë a ka mjaftë patate në Kosovë, mirëpo a ka treg. Fatmirësisht, tash e 15 vjet Kosova me përjashtim të dy muajve, – maj e qershor që importon kryesisht nga Shqipëria- muajt e tjerë ka mjaftë dhe eksporton. Tregun kryesor e ka Shqipërinë dhe Maqedoninë. Mirëpo, për shkak të situatës dhe pandemisë në Shqipëri, po më duket është edhe më e rëndë se te ne, po edhe në Maqedoni, një sasi e patates rrezikohet për shkak të mbylljes së tregut ose vështirësive në transport”, thotë ai.

Si shqetësues Kasumi e paraqet edhe furnizimin me pleh artificial nga Greqi, ku thotë se për tri javë importi ka qenë i paralizuar e që iu ka shkaktuar probleme për mbjelljen e patateve.

Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa për t’iu dalë në ndihmë bizneseve vendore, pasi pasojat pas kësaj pandemie do të jenë më të mëdha sesa që parashihen.

Mbështetje për prodhuesit vendorë vazhdimisht po kërkojnë edhe odat ekonomike. Ndërsa, Ministria e Financave dhe Transfereve ka prezantuar pakon emergjente, ku janë paraparë edhe ndihma për bizneset vendore.

Në këtë pako të prezantuar, Qeveria ka vendosur që të asistojë bizneset me tri ndërhyrje, ku e para është: a. mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove; b. Subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove; c. Për punëtorët e ndikuar dhe që përfitojnë nga pika “a”, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ard hshëm, në masën e 8 milionë eurove.

Po ashtu, në këtë pako thuhet se kompanitë që kanë shënuar rënie të përkohshme të të hyrave të rregullta si rezultat i kufizimeve në lirinë e lëvizjes, pezullimit të ofrimit të disa shërbimeve nga sektori publik apo deklarimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve qeveritar (kryesisht, por jo vetëm, ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbimet komunale apo ndërmarrjet në pronësi private por që ofrojnë shërbime bazike), mund të kërkojnë likuiditet të përkohshëm nga qeveria në masën e nevojshme për të mbajtur operimin e rregullt të veprimtarisë, shumë këtë të cilën janë të detyruar t’ia kthejnë shtetit pas stabilizimit të operimit, por jo më larg se deri në fund të dhjetorit të vitit 2020.

Në këtë masë, qeveria alokon 20 milionë euro, dhe mjetet e alokuara bartin zero interes vjetor.

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet