COVID-19: Spanja për herë të parë që nga shpërthimi regjistron më pak se 100 raste të reja të zbuluara

Ministria spanjolle e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit u regjistruan vetëm 96 raste të reja të konfirmuara me koronavirus, pothuajse 200 raste më pak se dita e mëparshme.

Për herë të parë që kur Spanja prezantoi masat e bllokimit në mes të muajit mars, vendi në ditën e fundit ka regjistruar më pak se 100 infeksione të koronavirusit të ri (COVID-19).

Ministria spanjolle e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit u regjistruan vetëm 96 raste të reja të konfirmuara me koronavirus, pothuajse 200 më pak se dita e mëparshme.

Në total, numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Spanjë është 239.429, shifër e cila e rendit Spanjën në vendin e pestë në botë sa i përket rasteve të zbuluara me COVID-19.

Vendi gjithsej numëron 27.127 vdekje nga koronavirusi, dy të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.

Deri më tani, Spanja ka kryer mbi 2.5 milionë teste të dyshuara për COVID-19 dhe sipas autoriteteve shëndetësore kapaciteti i vendit për testim u rrit me 14 për qind javën e kaluar.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, në një konferencë për media tha se “evolucioni i virusit po shkon shumë më mirë sesa e kishim parashikuar”.

Më 14 mars, Spanja filloi me zbatimin bllokimit, një nga më të rreptat në Evropë, pasi për javë të tëra, fëmijët nuk u lejuan të dalin jashtë, stërvitja në natyrë po ashtu ishte e ndaluar dhe shumica e bizneseve jo-thelbësore u mbyllën.

Dhjetë ditë më parë, mbajtja e maskës u bë e detyrueshme në vendet ku njerëzit nuk mund të siguronin dy metra hapësirë midis tyre.

Kryeministri Sanchez njoftoi se do të përpiqet të nxisë një zgjatje të fundit të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila do të vazhdojë deri më 21 qershor.

“Kjo do të jetë shumë më e lehtë se më parë, por ne kemi nevojë për të që të përfundojmë punën”, tha Sanchez.

Në 15 ditët e fundit që çojnë drejt 21 qershorit, përgjegjësia për të menaxhuar krizën do të zhvendoset nga qeveria qendrore në rajonet lokale.

Pavarësisht shifrave pozitive që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë në Spanjë, Sanchez apeloi për përgjegjësi individuale dhe atribuoi përparësitë e fundit të vendit ndaj qytetarëve të pakujdesshëm.

“Është logjike të ndjehemi të lehtësuar për atë që kemi arritur, por ne nuk mund të relaksohemi. Përgjegjësia individuale është prioritet”, u shpreh Sanchez.

Ai po ashtu njoftoi se nëse virusi vazhdon me tendencat pozitive, më 1 korrik kufizimet e lëvizshmërisë brenda vendit do të hiqen, datë kur Spanja po ashtu ka vendosur të hap turizmin ndërkombëtar.

Sipas shifrave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, në mbarë botën kjo pandemi ka marrë jetën e mbi 370 mijë personave, me mbi 6 milionë raste të zbuluara dhe pothuajse 2.6 milionë të shëruar.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet