COVID-19, Mauzoleu i Leninit do të mbyllet për një kohë të pacaktuar

Kjo është mbyllja e parë e detyruar e memorialit në historinë moderne të Rusisë. Më parë, një masë e tillë e jashtëzakonshme u ndërmor gjatë Luftës së Dytë, kur trupi i Leninit u evakuua nga frika se mauzoleu mund të shkatërrohej nga bombardimet

Mauzoleu i Leninit në Moskë, vendi i pushimit i udhëheqësit të parë sovjetik Vladimir Lenin, do të mbyllet për publikun për një kohë të pacaktuar nga 17 nëntori për shkak të përkeqësimit të situatës me koronavirusin e ri (COVID-19), njoftoi sot Shërbimi Federal i Mbrojtjes në Rusi (FSO), transmeton Anadolu Agency (AA).

Pa dhënë një datë të rihapjes, FSO, në një deklaratë në faqen e saj zyrtare, tha: “Hyrja do të pezullohet përkohësisht”.

Kjo është mbyllja e parë e detyruar e memorialit në historinë moderne të Rusisë. Më parë, një masë e tillë e jashtëzakonshme u ndërmor gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur trupi i Leninit u evakuua nga frika se mauzoleu mund të shkatërrohej nga bombardimet.

Edhe pas sulmeve të shumta, duke përfshirë përdorimin e eksplozivëve, dhe gjatë puçit të tetorit të viti 1993, ai mbeti i hapur për vizitorët.

Dy herë në vit, mauzoleu mbyllet rregullisht për dy muaj për punë mirëmbajtjeje, dhe në vitin 2012 u mbyll për rreth nëntë muaj për rinovim.

Mauzoleu i Leninit në Moskë, i ndërtuar në vitet 1924-1930, u bë një nga vendet më të famshme të varrimit në historinë moderne.

Në vitin 1990, iu dha statusi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s së bashku me Nekropolin e Murit të Kremlinit.

Kategoritë
BotaLajme