COVID-19: Kreu i Çairit në vetë-izolim shkaku i kontaktit me një person të infektuar

“Gjendja nuk duket aspak e mirë dhe gjithmonë mund të përshkallëzohet për më keq”, shkroi Ganiu.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka bërë të ditur se nga dita e sotme është në vetë-izolim shkaku i kontaktit të tij me një person që kishte rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit të ri (COVID-19).

Në rrjetet sociale, Ganiu shprehu shqetësim mbi zhvillimin e situatës me koronavirusin në vend dhe tha se do të veprojë sipas protokoleve të institucioneve përkatëse shëndetësore.

Ai po ashtu apeloi tek qytetarët e tij për kujdes dhe përmbajtje ndaj masave të parapara, si dhe për trajtimin më me seriozitet të kësaj “tematike dhe sfide”.

“Gjendja nuk duket aspak e mirë dhe gjithmonë mund të përshkallëzohet për më keq”, shkroi Ganiu.

Ditëve të fundit janë rritur ndjeshëm rastet e zbuluara me koronavirus. Edhe deputeti i partisë në pushtet, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Muhamet Zekiri, dje njoftoi se së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij kanë rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit.

Autoritetet shëndetësore të vendit së fundmi njoftuan 62 raste të reja të zbuluara dhe dy vdekje nga pandemia e koronavirusit, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të zbuluara u rrit në 2.226 dhe i vdekjeve në 133.

Deri më tani nga virusi në vend janë shëruar 1.552, ndërsa numri aktiv i rasteve me COVID-19 eshtë 541.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet