COVID-19, Franca vendos ndalesë të lëvizjes gjatë natës në Paris dhe disa qytete të tjera

Presidenti Macron tha se ndalesa e lëvizjes, që do të hyjë në fuqi nga e shtuna, do të fillojë nga ora 21:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit në rajonin e Ile-de-France, ku ndodhet kryeqyteti Paris, dhe tetë qytete të tjera.

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se do të vendoset ndalesë e lëvizjes gjatë natës në Paris dhe qytete të tjera, pasi në vend u shpall gjendje e jashtëzakonshme për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë të transmetuar në televizionin kombëtar, Macron tha se ndalesa e lëvizjes, që do të hyjë në fuqi nga e shtuna, do të fillojë nga ora 21:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit në rajonin e Ile-de-France, ku ndodhet kryeqyteti Paris, dhe tetë qytete të tjera.

Përveç Parisit dhe rajonit përreth tij, masat e reja do të zbatohen gjithashtu në qytetet Lille, Grenoble, Lyon, Aix-Marseille, Montpellier, Rouen, Saint-Etienne dhe Toulouse.

Ministria e Shëndetësisë e Francës sot raportoi 22.591 infeksione të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 779.063. Numri i të vdekurve në vend arriti në 33.037 me 104 vdekje të reja gjatë 24 orëve të fundit.

Ndërkaq, 6.033 njerëz mbeten të shtruar në spital, me 1.037 prej tyre në kujdes intensiv.

Macron bëri thirrje gjithashtu për të kufizuar tubimet në jo më shumë se gjashtë persona.

“Ne përpiqemi, kur ftojmë miqtë, të mos jemi më shumë se gjashtë persona në tryezë”, tha presidenti francez, duke folur për restorantet, por më pas shtoi se kjo vlen edhe për grupet në rrugë.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet