Çka ndodhë nëse nuk votohet buxheti?

Projektligji për buxhetin për vitin 2019, ende nuk është votuar. Punëtorët në sektorin publik, prej sot, mund t’i marrin pagat për muajin janar, ndërsa në rast se dështon miratimi i ligjit, atëherë alternativë e vetme po shihen zgjedhjet e parakohshme – shkruan Gazeta e Re.

Edhe në seancën e parë parlamentare, u diskutua rreth kësaj çështje, ndërsa pozicionet, ashtu siç edhe pritej, ishin ato të vjetrat.

Deputeti nga radhët e LDK-së Arban Abrashi, edhe njëherë e ka bërë të qartë se ky subjekt nuk do ta votojë ligjin në fjalë:

“LDK-ja i ka rezervat dhe vërejtjet e veta për buxhetin, nuk besojmë që ky buxhet i sjell zhvillim vendit” – ka thënë ndër të tjera ai, duke e bërë të qartë që nuk do të bëhen pjesë e atyre që do ta votojnë. “Le të mbetet çështje e koalicionit” – ka thënë shkurt ai, në një emision në televizionin publik.

Edhe më të vendosur, në këtë pikë, janë deputetët e Vetëvendosjes. Për më shumë, duke marrë shkak nga zhvillimet e fundit, ata po kërkojnë që koalicioni ta dorëzojë krejt pushtetin.

Nga ana tjetër koalicioni qeverisës ka varur shpresat në deputetët e Partisë Scial Demokrate (PSD-së), por të cilët kanë përsëritur se pa plotësimin e kushteve të vëna për sa i përket buxhetit, ata nuk do ta votojnë. Një ndër kushtet e vëna të PSD-së, është edhe shkarkimi i Ministrit Nenad Rikallo, për ç’gjë ende nuk ka asgjë zyrtare.

Koalicioni qeverisës nuk do të mund ta shtyjë pafundësisht votimin, prandaj edhe pozita e tyre në pushtet, do të vihet në pikëpyetje. Për rrjedhojë, nëse me 2 shkurt nuk votohet buxheti, zyrtarisht do të futemi në një bllokadë financiare. Kështu të paktën ka thënë Ministri Bedri Hamza. Ai paralajmëroi se vendi pritet të futet në një situatë tejet të palakmueshme, ndërsa i njoftoi deputetët se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve, nuk do të ketë para për mbajtjen e tyre. Po ashtu, sipas tij, pensionistët dhe shërbyesit civilë, mund të mbesin pa paga.

Ua kujtojmë që kushtet e PSD-së, për ta votuar buxhetin janë:

  1. Ligji për pagat të miratohet në lexim të dytë së bashku me leximin e dytë të projektbuxhetit, me theks të veçantë në kërkesat e sektorit të shëndetësisë;
  2. Ligji për dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend;
  3. Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim në një afat prej tre muajve, pastaj kërkohet funksionalizimi i plotë i Ministrisë së Bujqësisë;
  4. Dhe lirimi nga detyra i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo;
  5. Si dhe i tërhiqet vërejtja Qeverisë se projektbuxheti është i ngarkuar së tepërmi me skema sociale e beneficione pensionale.

Qeveria ka mbajtur mbledhje dhe i ka shqyrtuar në parim këto kushtet e PSD-së, por ende nuk ka ndërmarrë as edhe një hap në drejtim të plotësimit të tyre. E shtuna, prandaj, po llogaritet si dita D e kësaj qeverie. Megjithatë, bashkë me taksën edhe buxheti, po shihen si barriera të patejkalueshme për këtë koalicion. /Gazetaere.com/

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet