Çka mund të bëjë ky ekip negociator?

Kritikat për ekipin e ri i cili do t’i vijojë bisedimet me Serbinë, kanë filluar që nga dita e parë, kur kjo ide u promovua nga Partia Socialdemokrate (PSD). Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kanë qenë të zëshme me kritikat e tyre, ndërkohë që partitë në pushtet, bashkë me PSD-në, e kanë konsideruar si marrëveshje ideale, për ta nxjerrë republikën nga kriza politike dhe jo vetëm – shkruan Gazeta e Re.

Vetëm një ditë pas miratimit të ligjeve për ushtrinë, Parlamenti i Republikës së Kosovës ka mandatuar ekipin e ri negociator, i cili do t’i vijojë bisedimet me Republikën e Serbisë. Rezoluta e miratuar, mori dritën e gjelbër nga partitë në pushtet dhe nga PSD, përkatësisht nga 59 deputetë, prej 61 sa ishin të pranishëm. LDK dhe LVV, të cilat nuk qenë të pranishme fare në këtë seancë të jashtëzakonshme, kanë drejtuar kritika të ashpra ndaj përfaqësuesve të zgjedhur, duke e cilësuar ekipin si jo-legjitim.

Deputeti Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate (PSD), duke e komentuar votimin e rezolutës, ua ka kujtuar deputetëve të dy partive të tjera opozitare, e veçanërisht krerëve të tyre Albin Kurtit e Isa Mustafës se procesi i dialogut tash është në duar të sigurta.

“Po ta lexonin Rezolutën dhe Ligjin edhe Albin Kurti edhe Isa Mustafa do ta kuptonin qartë se të gjitha siguresat vendimmarrëse, procedurale dhe politike e juridike janë paraparë aty. Nuk ka marrëveshje pa njohje!” – E ka bërë të qartë ai. Duke i siguruar ata që sovraniteti shtetëror, integriteti territorial, karakteri unitar do të jenë të pacenueshme dhe të patjetërsueshme.
Por përkundër pompozitetit të deputetëve të mazhorancës, përkatësisht atyre të PSD-së, se roli i Presidentit Hashim Thaçi tashmë është i kontrolluar, analisti Florim Zeqa mendon se asgjë përtej një formaliteti, në të vërtetë, nuk ka ndodhur:

“Edhe pse në dukje të parë, Rezoluta për dialogun e votuar në Kuvendin e Kosovës i zvogëlon kompetncat e presidentit në dialogun e Brukselit, megjithatë është kjo një lojë përverse e Hashim Thaçit, i cili si gjithnjë din t’i gjejë mbështetësit e duhur në skenën parlamentare për interesat e tij personale. Pavarësisht faktit se është përzgjedhur (votuar) një ekip i zgjeruar për fazën finale të dialogut të Brukselit, roli i tij do të jetë dytësorë në këtë dialog, për shkak të ngritjes tashmë të dialogut në nivel të dy presidentëve (Thaçi-Vuçiq). Si gjithnjë vendimet e mëdha në dialogun e Brukselit do të arrihen mes dy presidentëve, ndërsa roli kryesor i ekipit negociator do të jetë formal dhe teknik, gjegjësisht me implementimin e marrëveshjeve, gjegjësisht për sensibilizimin e deputetëve për votim në Kuvend dhe përgatitjen e opinionit vendor për pritjen në mënyrë të qetë marrëveshjeve vështira në Bruksel!”

Zeqa, jo vetëm që e konsideron formal këtë ekip, por është edhe shumë i ashpër ndaj tij, duke e kujtuar kohën kur anëtarët e PSD-së, sa ishin pjesë e VV-së, ishin kritik po ndaj të njëjtit president, ndërsa tani “janë shitur si dushk për gogla”:

“Për më tepër se kaq, seanca e së shtunës së kaluar në Kuvendin e Kosovës shpërfaqi në mënyrën më të keqe servilizmin, primitivizmin dhe marrëzinë e politikanëve kosovarë, të cilët për realizimin e ambicieve personale, janë të gatshëm të tradhtojnë idealet, të shesin komb e atdhe, familje e farefis të gjerë. Thënë ndryshe, në seancën e së shtunë në Kuvendin e Kosovës, përmes deputetëve mercenarë të PSD-së, nuk ndodhi gjë tjetër përveçse legjitimimi i presidentit Hashim Thaçin në tentativat e tij për ta përmbyllur dialogun me Serbinë qoftë edhe me ndarje të Kosovës. Paradoksalisht deputetët e PSD-së, të dalë nga VV-ja, të cilët 3 vite më parë ishin ndër më të zëshmit kundër dialogut të ish-qeverisë Mustafa, ndërkaq të njëjtit këtë të shtunë që lamë pasë, pas pazareve me PDK-në dhe AAK-në e NISMA-n, e kurorëzuan koalicionin e tyre duke u bërë pjesë e ekipit dialogues, por edhe bashkë kryesues oligarkun e inkriminuar Shpend Ahmeti, një materialist dhe karrierist i pangopshëm. Nga dita e shtunë 15 dhjetor 2018-të, PSD-ja e shitur si “dushku për gogla”, jo vetëm që nuk është pjesë e opozitës shqiptare në Kuvendin e Kosovës, është bërë pjesë integrale, gjegjësisht “xhoker” i pushtetarëve ngjashëm sikurse Lista serbe. Përfundimisht, bazuar në pozicionin diskriminues të Kosovës në BE (e përfaqësuar si UNMIK e jo si Kosovë), lënë pak për të dëshiruar në suksesin e këtij dialogu, gjegjësisht, i është hapur mundësi e madhe Serbisë në arritjen e qëllimeve të saj ndaj Kosovës dhe në raport me anëtarësimin e saj në BE. Me këtë raport forcash, përkatësisht me këtë klasë politike mercenare dhe të shantazhuar, rreziku është shumë i madh, që Kosova në fund të këtij dialogu të dali të një humbëse e madhe jo vetëm në aspektin territorial, por edhe moral për shkak të mosnjohjes së shtetit tonë nga Serbia.”

Siç dihet, pjesë e delegacionit do jenë edhe zëvendëskryeministri tjetër Enver Hoxhaj nga PDK, Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, ministri nga radhët e pakicës turke, Mahir Yagcilar, zëvendëskryeministri Dardan Gashi, një përfaqësues i shoqërisë civile. Dy vende të parapara për përfaqësuesit e partive opozitare LDK dhe LVV, me gjasë do të mbesin bosh, pasi që këto të fundit e kanë kundërshtuar që nga fillimi këtë iniciativë. Përderisa nuk e ndryshojnë mendje, këto dy vende do të mbushen me Visar Ymerin dhe Dugagjin Gorani nga PSD.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, nëpërmjet një konference, ia ka bërë të ditur opinionit publik se grupi i zgjedhur, përkundër që u votua në parlament, nuk komandat kushtetues.

“Platformë e vetme për dialog është vetëm Kushtetuta e Kosovës, nuk mund të ketë kurrfarë platforme që del mbi Kushtetutën e Kosovës. Dhe e dyta, nuk mund të simulojmë ekipe për dialog, pasi ekip për dialog është vetëm qeveria që ka legjitimitet qytetarë, qeveri e shumicës që flet në emër të shumicës së qytetarëve normalisht me rolin shumë të rëndësishëm në atë ekip në të ardhmen të opozitës, të shoqërisë civile”.

I të njëjtit mendim është edhe Glauk Konjufca, Shef i Grupit Parlamentar të LVV-së. Sipas këtij të fundit, partitë të cilat votuan rezolutën, ia kanë kryer një shërbim Presidentit Thaçi.

“Projketi i Hashim Thaçit ka ngecur, ndërkaq këtë projekt të rrezikshëm po do që ta shpëtojë PSD-ja. Duke qenë se Thaçi nuk ka mandat kushtetues, atij po i duhen vagonët si bazë legjitimuese” – është shprehur ai, në një konferencë për shtyp.

Polemikat ndërmjet palëve kanë vazhduar në distancë, ndërsa Visar Ymeri, siç duhet i revoltuar, i ka cilësuar kundërshtarët e kësaj ndërmarrjeje të re politike si “si kukuvajka”. Ekipit të sapoemëruar, do t’i duhet të ecë nëpërmjet tensioneve të ngritura politike jo vetëm në raport me Serbinë por edhe me BE-në (pas vendimit për ngritjen e taksës 100% për mallrat serbe e boshnjake dhe vendimit për formimin e ushtrisë). /Gazetaere.com/

Kategoritë
Lajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet