Cilido që bëhet kryeministër nuk do të ndikojë në raportet e Kosovës me ndërkombëtarët

Qytetarët e Kosovës të dielën do të zgjedhin parin e qeverisë së vendit dhe përfaqësuesit e tyre në kuvend. Për dallim nga herët e tjera kur numri i kandidatëve për kryeministër ishte më i madh, në këto zgjedhje si rezultat i koalicioneve parazgjedhore, qytetarët kanë tri opsione për të zgjedhur njërin prej tyre për kryeministër të vendit. Fjala është për Ramush Haradinaj nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Avdullah Hoti nga LDK-AKR-Alternativa dhe Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje.

Mirëpo, për sa i përket marrëdhënieve të udhëheqësve shtetëror të Kosovës me ndërkombëtarët , cili nga kandidatët për kryeministër mund të jetë më i pranueshëm nga ta? Njohësit e çështjeve politike në vend mendojnë se pavarësisht kush do të vi në krye të qeverisë, kjo nuk do të ketë ndonjë efekt negativ në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

Analisti Hidajet Ahmeti nuk sheh ndonjë problem në raportet e Kosovës me ndërkombëtarët pas ardhjes të cilit do nga kandidatët për kryeministër në krye të qeverisë. Ai thotë se pasi të tre kandidatët kanë të kaluar politike, ndërkombëtarët kanë njohuri për profilet e tyre.

“Gjykoj se ka një mori atributesh që qytetarët mund të gjykojnë për kandidatët në fjalë, duke filluar nga përgatitja intelektuale, e kaluara politike e tyre, oferta programore, konsistenca në qëndrime e parime, ideologjia e tyre politike, karizma e tyre prej lideri dhe një mori atributesh tjera. Nëse nisemi nga e kaluara politike e tyre, ndërkombëtarët kanë një pasqyrë të qartë për tre pretendentet për kryeministër, por besoj që ardhja në pushtet e cilit do prej tyre, nuk do të jetë problem në raport me ndërkombëtarët. Është e rëndësishme që sjellja e tyre të jetë brenda rregullave të lojës, duke u përkthyer në interesa të qytetarëve të vendit, e me theks të veçantë raporte të mira ndërkombëtare, por jo duke u nënshtruar deri në servilizim, por duke mbrojtur e promovuar Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Ahmeti për Gazetën e Re.

Ai shtoi se është një mundësi e mirë që qytetarët të tregojnë maturi e pjekuri politike dhe sipas tij, të vendosin në bazë të koncepteve politike që ofrojnë tre kandidatët për zhvillimin. Ai këshillon që qytetarët të vendosin për kandidatin që besojnë dhe kanë shpresë se vendin mund ta nxjerrë nga kjo katrahurë ekonomike, politike e sociale.

Edhe opinionisti Faton Mehmeti, mendon se cilido nga kandidatët për kryeministër t’i fitojë zgjedhjet nuk do të ndikojë në raportet e vendit me ndërkombëtar. Sipas tij, edhe pse ndërkombëtarët kanë disa dallime me Kurtin, ai nuk beson se kjo do të paraqiste problem nëse ai i fiton zgjedhjet. Mehmeti i quan propaganda deklarimet e disa partive se kandidati i tyre është më i pranueshëm nga ndërkombëtarët.

“Mendoj se Bashkësia ndërkombëtare do e respektojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për cilindo lider që ata e zgjedhin për të qenë kryeministër i ardhshëm. Gjithsesi me Albin Kurtin kanë disa divergjenca më të theksuara, por të cilat nuk besoj se janë pengesë që eventualisht bashkësia ndërkombëtare të ndërpriste kontaktet. Propagandat e disa partive se kandidati i tyre për kryeministër është më i pranueshëm nga bashkësia ndërkombëtare janë thjeshtë propaganda dhe tendenca për të rritur imazhin e kandidatit të tyre, që ajo të përkthehet pastaj në vota. Kushdo që zgjidhet kryeministër nuk do të ndryshonte diçka thelbësore në relacionet me bashkësinë ndërkombëtare, kohët e fundit edhe Albini ka vënë kollare dhe ka filluar të ndryshojë qëndrimet e tija të deridjeshme. Kjo shpjegon më së miri se janë disa gjera që nuk mund të ndryshohen”, shpjegon Mehmeti. Sipas tij, është e sigurt se bashkësia ndërkombëtare do e pranojë secilin që e zgjidhin qytetarët e vendit me rëndësi që mos të jetë i korruptuar dhe të sfidojë autoritetin e tyre, jo që mund ta sfidojnë në mënyre klasike por që mund ta bëjnë më të vështirë dialogun.

Derisa Mehmeti flet për divergjencën e Kurtit me ndërkombëtarët, njohësi i çështjeve politike Arsim Haziri, thotë se është i gabuar perceptimi se pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosjes nuk janë të dëshiruar nga ndërkombëtarët.

“Faktori ndërkombëtar konsideroj se nuk përdor kritere të veçanta për ardhje politike, por ato më shumë zhvillojnë marrëdhënie me atë elitë e cila qeverisë me sferën publike”, potencon Haziri. Tutje, ai thekson se në këtë kohë, Kosova ka më së shumti nevojë për mirëqeverisje dhe për koncept të ri politik.

Qytetarët e Kosovës kanë kohë edhe një ditë që të vendosin se për kë do të votojnë, pasi që nesër është heshtja zgjedhore. Ndërsa, të dielën është dita kur ata do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendiZgjedhjet Parlamentare 2017

Të ngjajshmet