Cili është skenari më i rrezikshëm për Kosovën?

Muret që dukej se po i ndanin krerët e shtetit për sa i përket procesit të bisedimeve me Serbinë, sikur po zhbëhen. Nuk dihet nëse fotografia e përbashkët në një darkë joformale në shtëpinë e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, është një dëshmi se konsensusi ndërmjet krerëve të shtetit për skenarin përfundimtar të zgjidhjes së problemit shekullor, veç është marrë. Por çka nëse vërtetë janë pajtuar për një variant, çfarëdo varianti? – shkruan Gazeta e Re.

Vendimi për taksën 100%, që doli të jetë një pengesë për zhvillimin e procesit të dialogut, i ndau krerët më të lartë të shtetit në disa taborre. Ndërsa Presidenti Hashim Thaçi kërkonte anulimin e taksës, Kryeministri Ramush Haradinaj këmbëngulte se ajo punë nuk do të bëhej. Duke dashur, mbase të ndërmjetësonte, Kryekuvendari Kadri Veseli, sugjeroi një variant të mesëm: pezullimin e përkohshëm të saj. Pra taksa, që nisi të shëmbëllente në një armë jo vetëm ekonomike përballë Beogradit zyrtar, mjegulloi edhe më shumë skenarin edhe ashtu të paqartë, të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. S’u përmenden vetëm ndryshimet e kufijve, s’u përsërit vetëm opsioni i bosnjëzimit, por edhe mundësia e rihapjes së konfliktit dhe degradimit të tij deri në luftë. Në diskursin e tensionuar, nuk kanë mundur të shmangen edhe pyetjet e llojit: Cili është skenari më i rrezikshëm për Kosovën?

“Çdo marrëveshje tjetër që synon të zgjidhë një konflikt në vete bartë rreziqe që mund të përkeqësojnë situatën ose të mirëmbajnë status-quon. E njëjta vlen edhe për negociatat Kosovë-Serbi. Dialogu për arritjen e një marrëveshje mes dy vendeve është i populluar me rreziqe të tilla. E para, rreziku kryesor që vjen nga këto negociata është dështimi për të arritur çfarëdo marrëveshje. Kjo është e barabartë me vazhdim të status-quos, por në këtë rast mirëmbajtja e saj do të ishte më e vështirë”- tha për Gazeta e Re analisti Shkodran Ramadani.

Por si erdhi në shprehje Status-quoja? “Statu-quoja ka qenë e mundur për shkak se në horizont ka ekzistuar një mundësi për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Kosovën dhe Serbinë” – thotë Ramadani. Por çka nëse dështon dialogu?:

“Në rast të dështimit të dialogut” – vijon ai, “turbulencat brenda Veriut rriten dhe mundësitë për eskalim janë më të mëdha. Rreziku tjetër është që kjo marrëveshje të mos jetë as gjithëpërfshirëse, as përfundimtare. Marrëveshja është gjithëpërfshirëse nëse ajo rezulton me njohje, ulëse në OKB dhe perspektivë në BE për Kosovën. Nëse këto pika nuk arrihen, problemi Kosovë-Serbi nuk zgjidhet dhe e mbanë bombën të kurdisur. Në situatë të tillë gjendja në Kosovë nuk do të përmirësohej shumë. Kushtet që riprodhojnë tensionet do të mbijetonin. Serbia ende do të kishte pretendime territoriale mbi Kosovën dhe konflikti do të mbetej i hapur. Marrëveshja nuk do të ishte as gjithëpërfshirëse, as përfundimtare sepse nuk do të përfshinte secilin cep të problemit dhe nuk u jep fund të gjitha dilemave rreth Kosovës. Por edhe arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që do të ndante Kosovën është shumë e rrezikshme dhe me pasoja. Shumë shqiptarë nuk do të pajtoheshin me një skenar të tillë dhe mundësia për konflikt, edhe në rast se do të kishte njohje, do të ishte e madhe. Ndarja e Kosovës do të ishte çmim i lartë për Kosovën dhe kjo nuk duhet të pranohet. Kjo vetëm do t’i hidhte benzinë zjarrit. Ndërkohë që një marrëveshje që sjell njohje përmes shkëmbimit të territoreve do të ishte më e pranueshme për Kosovën. Kjo do t’i balanconte interesat e Kosovës dhe ata të Serbisë. Me këtë Kosova siguron sovranitetin dhe integritetin e vet. Pretendimi territorial i Serbisë mbi Kosovën eliminohet. Tutje, një marrëveshje që pranohet nga Serbia do të pranohej edhe nga Rusia, Kina dhe 5 shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ulësja në OKB do të ishte një objektiv real në terma afatmesëm, nëse jo menjëherë i realizueshëm. Perspektiva për BE do të hapej, por vetëm në terma afatgjatë sepse Kosova është shumë larg BE-së. Serbisë ndërkohë do t’i eliminoheshin barrierat për BE. Kjo do të ishte përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse dhe do të mbyllte kontestin Kosovë-Serbi. Mirëpo, mbyllja e problemit Kosovë-Serbi përmes ndryshimit të kufijve mund të hap probleme për shtetet e rajonit që ende nuk i kanë konsoliduar mirë shoqëritë e tyre multietnike, si në rastin e Bosnjës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kjo edhe është frika më e madhe e BE-së që druan se një ndryshim i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë do të mund t’i destabilizonte edhe kufijtë e shteteve përreth. Siç e shohim, rreziqe ka si në rast të arritjes së marrëveshjes, si në rast të braktisjes së dialogut.”

Profesori Avni Mazrreku, në një publikim në facebook, shprehet skeptik për sa i përket një happy end-i të mundshëm, duke përshkruar versionin e skenarit më të keq të mundshëm:

“Po them sepse për një kohë të gjatë – për të mos thënë, gjatë gjithë kohës – kemi besuar se e keqja më e madhe që (mund) t’i kërcënohet Kosovës është bosnjëzimi i saj. Sot, fatkeqësisht, më duhet ta pranoj që një tezë e tillë nuk më duket më adekuate për të shpjeguar atë që është duke ngjarë në Kosovë. Meqenëse, siç po rrjedhin kështu gjërat, Kosova rrezikon të bëhet edhe më keq sesa Bosnja: pa ulëse në OKB, pa njohje formale nga Serbia, me Zajednicë, me copëtim të territorit, me zona ekstra-territoriale, me shumicë të dyfishtë në Kuvendin e Kosovës, me mbi dhjetë komuna me shumicë serbe, pa perspektivë evropiane, pa lëvizje të lirë të qytetarëve në vendet evropiane… Bile-bile, me deklarata të rrezikshme si ajo e kryeministrit Haradinaj për një “konferencë ndërkombëtare për Kosovën,” apo ajo e presidentit Thaçi për “përmbyllje të konfliktit njëshekullor shqiptaro-serb,” rrezikon të rihapet edhe i ashtuquajturi “status i Kosovës,” që ka qenë qëllim i shtetit serb qëkur Kosova shpalli Pavarësinë e saj me 17 Shkurt, 2008.”

Se ç’fund do të ketë kjo sagë shekullore, askush nuk e di me saktësi, por është e sigurt që palët janë nxitur nga faktori ndërkombëtar. Letrat e Presidentit Donald Trump të shkruara në adresë të homologëve të tyre nga Prishtina dhe Beogradi si dhe zgjedhjet e marsit në BE, duket që do të ndikojnë në përpjekjen për t’i dhënë fund një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”. /I.Topanica /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet