Cilat janë objektivat e kandidatëve të rinj për asambletë komunale?

Ndërsa i kemi lënë prapa ditët e para të vjeshtës, nuk është vetëm atmosfera e kësaj stine të ftohtë që na e ka ndryshuar ambientin. Mediat e shtypura, radiot, televizionet dhe platformat elektronike vendore, po vjellin lajme që kanë të bëjnë me zgjedhjet e tetorit. Bëhet fjalë, siç e dimë, për ato në nivel lokal, për kryetarë komunash dhe asamblistë të rinj. Uragani i fushatës i ka kapluar veçanërisht portalet, ndërsa aktivitetet në terren, ende nuk e kanë prekur pikën e vlimit. Po ashtu, në këtë fillim, sidomos të bie në sy sesi 91 subjektet e certifikuara, detyrimin që e kanë pasur ndaj të rinjve, kanë provuar ta shlyejnë duke ua çelur dyert për t’u bërë pjesë e politikës – shkruan Gazeta e Re.

Sipas një ankete të realizuar nga ASK (Agjencia e Statistikave të Kosovës), në tremujorin e parë të këtij viti shkalla e punësimit është 28.9%. Punësimi më i lartë është te meshkujt, 44.6%, ndërsa punësimi te femrat është 13.0%. Ndërsa femrat janë të punësuara kryesisht në sektorin e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 49.8%; nga ana tjetër meshkujt kryesisht janë të punësuar në sektorin e ndërtimtarisë, prodhimit dhe tregtisë me 43.8%. Shqetësues mbetet fakti se shkalla e papunësisë mbetet mbi 30% dhe ka indikacione të qarta që kjo përqindje është edhe më e lartë. Duke marr parasysh këtë kontekst mjaft të bisht social e ekonomik, shtrohet pyetja, si do t’i joshin të rinjtë subjektet politike, që të votojnë për to?

Kandidatë që po provojnë për herë të parë të bëhen pjesë e asambleve komunale, i përgjigjen vet kësaj pyetje. Mimoza Stublla, Arbër Vokrri, Arbër Ibrahimi, Liridon Llapashtica, Bujar Veliu dhe kandidatë të tjerë të rinj, premtojnë që në fokusin e tyre mbetet pikërisht angazhimi për përmirësimin e gjendjes sociale, ekonomike dhe jo vetëm, të të rinjve.

Arbër Vokrri, i cili me profesion është mjek, vjen nga radhët e Vetëvendosjes dhe po garon për asamblenë komunale të Prishtinës për herë të parë. Ai konfirmon se si aktivist, disa nga idetë dhe propozimet e tij janë marr parasysh edhe në kohën kur ishte aktivist. Disa prej tyre veç janë realizuar dhe për disa të tjera ai thotë që nuk do të heqë dorë derisa të realizohen. Ai tashmë e ka agjendën e qartë dhe disa nga kauzat për të cilat do të angazhohet janë edhe këto: <<Ndërtimi i Spitalit Rajonal të kryeqytetit, pikë në të cilën kam insistuar që në takimin e parë me Shpendin e porsazgjedhur kryetar, mandej kthimi i pronave publike të uzurpuara në shërbim të qytetarit, integrimi më i mirë i periferisë në infrastrukturën urbane (përfshirë edhe më shumë linja të autobusëve, kyçje në rrjetin e Termokosit etj), vëmendje më e madhe për kategoritë sociale, shtim i donacioneve dhe investimeve të jashtme e kështu me radhë. Kryetari Shpend Ahmeti e di mirë se nuk e kam ndërmend ta lë rehat pa e parë zbatimin e këtyre zotimeve, dhe sigurisht se nuk do të jem i vetmi asambleist i LVV me këtë qasje.>>

Ndryshe nga Vokrri, Mimoza Stublla që vjen nga radhët e PDK-së dhe kandidon për një vend në asamblenë komunale të Podujevës, premton se përkushtimi i saj ndërlidhet, në rend të parë, me nevojat e të rinjve dhe grave.

<<Votuesit, sidomos të rinjve dhe grave, u premtoj angazhim të vazhdueshëm në mënyrë që interesat e tyre te jene sa më lartë ne agjendën e ekzekutivit të ardhshëm të Komunës, në krye me z. Hajredin Hyseni.>>

Sikurse Stublla, synime të ngjashme ka edhe Edona Zeqiri  Bici nga radhët e NISMA-s, e cila lufton për të njëjtin qëllim, duke synuar të shndërrohet, siç e ka thënë përmes një postimi <<…zëri i gruas>>.

Por Stublla, për Gazeta e Re i ka siguruar votuesit potencialë të saj se do të shndërrohet në avokate e tyre. <<Dmth ata, me kërkesat e tyre, me nevojat e tyre, do të definojnë se si do të votoj unë në asamblenë komunale, çfarë do të them, e çfarë qëndrimi do të mbajë. Në kuadër të programit të PDK-së dhe kandidatit z. Hyseni, vend të rëndësishëm zë rinia dhe gratë. Konkretisht, masat për të mbështetur zhvillimin ekonomik, punësimin dhe ndërmarrësinë. Unë do të fokusohem të ndihmoj që fondi për mbështetjen e StartUp bizneseve të krijohet sa më shpejt për të rikthyer shpresën e humbur të të rinjve.

Premtoj që të rinjtë dhe gratë që duan të punojnë, do të kenë mbështetje të komunës se tyre. Ne kemi një ekip të ri që përveç si vendimmarrës, jemi edhe të pajisur me njohuri moderne të politikave zhvillimore dhe besojmë që përmes parkut të biznesit dhe fondit për StartUp bizneseve do të arrijmë ta zvogëlojmë papunësinë e të rinjve dhe grave.>>

Stublla premton që mundësitë reale për çerdhe më të mira, arsim më të mirë, gjelbërim më të mirë dhe infrastrukturë më funksionale, do të zgjerohen, me përfaqësimin e saj në kuvend.

Një karrige në Kuvendin e Ferizajit e kërkon edhe Arbër Ibrahimi. Ai garon në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe objektivat  e tij tashmë janë të qarta.

<<Jam i vetëdijshëm që fjala “premtim” i karakterizon  ose është Sinonim i zgjedhjeve në përgjithësi, mirëpo para së gjithash do të doja  që me mirëkuptimin tuaj, ta heqim këtë fjalë nga ky prononcim. Kam vendosur që të bëjë një fushatë më ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim dhe do të përpiqem që edhe në fushatë të krijojmë standarde të reja, qoftë në mënyrën e prezantimit të prioriteteve>> – paralajmëron Ibrahimi.

Ai vijon duke thënë se ndër synimet të tij kryesore mbeten këto: <<Dua që së pari ta kthej dashurinë për vendin, sepse mendoj që një gjë e tillë ka filluar të venitet. Siç rëndom ndodhë me një profesion që nuk e keni për shpirti, nuk mundë ta ushtroni atë në mënyrën më të mirë të mundshme. E njëjta vlen edhe për vendin, nëse nuk keni dashni për te, do të punoni pa vullnet dhe rendimentet do të jenë të pakta.  Unë dua që t’i siguroj bashkëqytetarët e mi se do të angazhohem me gjithë kapacitetin tim profesional e intelektual që komuna jonë të merr pamje tjetër. Gjëra që mundë të bëhen me pak para dhe që do t’ia kthejnë dashninë qytetit. Para se të bëhet kjo, dua që t’i siguroj bashkëqytetarët e mi se do ta ngris zërin për liritë dhe të drejtat tona. Ne e dimë se si trajtohen të rinjtë tanë sot në sektorin privat! do të bëjë ç’është e mundur që si kuvend të bëjmë presionin e duhur që të respektohet ligji i punës dhe  mos të trajtohen njerëzit si skllevër, me orare të zgjatura, pa pagesë shtesë, pa pushime vjetore, pa kontrata etj. Për këto çështje mbase do të më duhet të kontaktojë edhe me Kryeministrin Haradinaj, por nuk prishë punë, nëse veç është e nevojshme.>>

Pothuajse me të njëjtin entuziazëm i është futur kësaj gare edhe Liridon Llapashtica. Ish gazetari i njohur, do t’i futet politikës përmes subjektit të AKR-së. Se çka e ka shtyrë atë të garojë për një vend në asamblenë e Prishtinës, tregon ai vetë:

<< Po në vitin 2017, në shekullin 21, Prishtina ende ka probleme të cilat po e vështirësojnë jetën e qytetarit>> – dhe këtu duket të ketë buruar motivi i tij. Ai beson se ekipi i AKR-së në krye me kandidatin e saj për kryetar të Prishtinës, veç i ka identifikuar problemet kryesore, ndërsa edhe ka gjetur zgjidhje për to.

<<Në programin e AKR-së janë paraparë zgjidhja e problemit me ujë të pijes në zonat rurale të Prishtinës, ato me kanalizimin, me rrjetin e vjetruar të rrymës, me mungesën e çerdheve dhe cilësinë në programin primar dhe sekondar… Po ashtu, një nga zgjidhjet do të jetë edhe problemi me trafik, dhe po ashtu me theks të veçantë dhe në fokus do të jenë 35.000 njerëz në asistencë sociale. Këto janë probleme që nuk do të duhej t’i kishim 17 vite pas luftës, 9 vite pas shpalljes së pavarësisë. Në programin tonë ne japim idetë tona se si mund t’i zgjidhin këto probleme dhe ne duam t’i zgjidhim këto probleme. AKR-ja së bashku me kryetarin Selim Pacolli, do ta hapim komunën për të gjithë qytetarët që të shprehin problemet e tyre dhe që në këtë mënyrë të na ndihmojnë t’i zgjidhim ato sa më shpejt. AKR nuk do të jep premtime shumëmilionëshe, por do të premtoj se do të merret me problemet e qytetarit. Ne votuesit do t’i ofrojmë programin e zhvillimit ekonomik të AKR-së për Prishtinë, është i hartuar nga grupi i ekspertëve e profesorëve universitar me kualifikime të larta, eksperiencë dhe tituj akademik, ky program është i prekshëm për qytetarin dhe ndikon direkt në jetën e tyre…ka shumë për të bërë, duke filluar nga infrastruktura rrugore e qytetit si, vendosja e kamerave të sigurisë si dhe sinjalisitikës duke mbuluar qytetin dhe disa fshatra, sepse për shkak të semaforëve numri aksidenteve dhe vdekjeve është rritur. Pastaj do të punojmë për ndarjen e një shirit të veçantë për biciklistë, ndriçim të qytetit, ndalimin e pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat publike, zhvendosja e komunikacionit nga qendra me rrugë alternative dhe zgjerimi i tyre. Po ashtu, në fushën e arsimit duhet së pari të punojmë me kuadro profesionale, nuk na intereson se nga cila parti janë drejtoret apo mësimdhënësit, ata duhet të punojnë dhe do të japin llogaridhënie, do të formohet një komision i veçantë dhe do e përcjell në vazhdimësi punën e secilit punonjës, nëse nuk tregon suksese ai do të largohet , shkolla nuk do jetë strehë për ata që mendojnë se aty është vendi për asistencë sociale>> – thotë Llapashtica. Ai premton që do të jetë një zë i denjë i familjeve në nevojë dhe këtë beson ta ketë dëshmuar nëpërmjet aktiviteteve të deritanishme me organizatën ‘Ndihmo edhe ti’.

Për një vend në Kuvendin e Shtimjes lufton Bujar Veliu nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai premton që do të luftojë për të drejtat e të rinjve ndërsa si përfaqësues i tyre ai betohet se <<do të jem zëri i tyre>>. Ai vë në dukje dobësitë që e kanë karakterizuar deri më tani këtë komunë, duke thënë që do të angazhohet që të rinjve t’ua plotësojë nevojat, sa më shumë që të jetë e mudur.

<<Duke ditur që Shtimja ka një gjeneratë të re me përgatitje superiore dhe komuna jo që i përkrahë mirëpo nuk ju jep as hapësirë. Për më shumë punëson në arsim dhe shëndetësi nga komunat tjera si p.sh Lipjani, Prishtina, Ferizaji, Drenasi e Kaçaniku me direktiva të kryetarit Naim Ismajli, i cili i punëson të afërmit e bashkë-partiakëve nga komunat tjera. Unë do ta ngris zërin në kuvend që në kushte të barabarta të rinjtë e komunës tonë të jenë prioritet për t’u punësuar, në mënyrë që të vije në shprehje kontributi i tyre për qytetin>>.

Ndërsa i kemi lënë prapa ditët e para të vjeshtës, nuk është vetëm atmosfera e kësaj stine të ftohtë që na i ka ndryshuar ambientin. Kandidatë për kryetarë komunash dhe për asamble komunale, kanë pushtuar rrjetet sociale me fotografi e postime. Disa prej tyre i janë futur kësaj gare për herë të parë. Zotimet e tyre për angazhime të pakursyera në dobi të përmirësimit të kushteve sociale e ekonomike, janë të shumta. Nuk e lënë prapa as arsimin, sportin dhe kulturën përgjithësisht. Në një kontekst kaq të rëndë social e ekonomik, ku shkelen në mënyrë flagrante të drejtat e punëtorëve, ku nuk ka aktivitete kulturore, ku të rinjve po u tretet ngadalë shpresa për një perspektivë më të mirë jetësore, ata pretendojnë të jenë zëri i tyre. Me vizionin e tyre, për një të ardhme më të mirë./ImerTopanica/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet