Çështja ‘e tribunalit’, e ndanë në dysh përsëri parlamentin

Iniciativa për themelimin e një gjykate në të cilën do të viheshin para drejtësisë të gjithë ata që llogariten përgjegjës për kryerjen e gjenocidit ndaj shqiptarëve, e ka thyer për së dyti parlamentin kosovar. Pjesa më e madhe e opozitës (përjashtuar PSD-në), e lëshoi sallën e kuvendit, duke kërkuar paraprakisht përgjegjësi nga ata që e lejuan të ndodhte skandali me fotografinë e rrejshme (të cilën e ekspozoi deputetja e PDK-së Flora Brovina), – shkruan Gazeta e Re.

 Dardan Molliqaj, deputet nga radhët e PSD-së, kërkoi nga pozita që dikush të “sakrifikohet”, si marrje e përgjegjësisë pas skandalit me fotografinë. Justifikimet, sipas tij, nuk pinë ujë nëse kjo gjë nuk ndodh.

 “Këtu ka dy rrugë, ose është përgjegjësi e Flora Brovinës, e dimë kontributin e saj por duhet të japë përgjegjësi, ose është përgjegjësi e grupit parlamentar që si ka menaxhu mirë deputetë, dëgjova që kjo fotografi është paraqitur edhe para disa viteve, atëherë është përgjegjësi edhe e juaja”, tha ndër të tjera ai, duke vijuar me dy propozime konkrete:

“Propozimet e mia janë dy, e para është ose PDK’ja vetë, ose Flora Brovina vetë duhet të japin përgjegjësi, s’kam pretendime që është bë me qëllime të caktume, por dëmi tashmë është bërë dhe dikush duhet të përgjigjet” – ka thënë prerë ai.

Paraprakisht, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, në fjalën e tij, u bëri ftesë deputetëve që kjo iniciativë të mbështetet, në mënyrë që të marrë formë konkrete.

“Kosova ka shumë dëshmi që faktojnë gjenocidin serb. Kosova është në gjendje ta dëshmojë gjenocidin serb në Kosovë. Forma se si ka ndodhur, koha, vendin e saktë dhe kryesit e tyre…”

Ai pranoi që veprimi i deputetes, ishte i gabueshëm. Mirëpo Glauk Konjufca, Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi nga ky i fundit që të ndërmerrte një hap konkret.

“Qe 16 vite në Kosovë nuk ka ndodhur të dëmtohet një kauzë kaq e rëndësishme, sikur me seancën e 16 majit. Po t’ia jepnim një laps Serbisë duke kërkuar prej tyre ta dëmtojnë në mënyrën më të keqe Kosovën, do ta bënte ashtu siç ndodhi më 16 maj. Unë po e kursej Flora Brovinën, sepse ai që duhet ta japë dorëheqje është vet kryetari i Parlamentit” – tha Konjufca.

Më tutje ai tha që: “Nuk mund të vazhdojmë më me këto struktura politike të cilat çdo gjë që po prekin me dorë po e prishin. Edhe ideja e tribunalit ndërkombëtarë mendoj se është tallje me viktimat dhe popullin tonë, sepse ne të gjithë e dimë se sa viktima ka pasur, e dimë se cilat kanë qenë krimet dhe qysh krijohet një tribunal ndërkombëtarë. Një tribunal ndërkombëtarë krijohet nga OKB-ja.” Ndërsa sipas tij: “Në dialogun me Serbinë kurrë nuk është ngritur çështja e ndëshkimit të krimeve të Serbisë”.

Pas fjalimit të tij dhe të Shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hotit, të dy këto grupe parlamentare lëshuan seancën. Debati në parlament ende është duke vazhduar, ndërsa të pranishëm janë edhe familjarët e personave të zhdukur, të dëshmorëve dhe viktimave të luftës./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet